Për Marina Cvetajevën
Kur për herë të parë fillova të lexoj poezitë e Cvetajevës, ndjeva se po më merrej fryma.
Vonë ka qenë takimi im me poezitë e saj. Kisha dëgjuar, herë pas here kisha lexuar ndonjë poezi të saj, përkthyer fshehtas nga miq poetë, e shpërndarë po ashtu fshehtas, kur befas, krejt befas, ajo erdhi si një çudi e pazakontë, e mrekullueshme, timide dhe e fortë në të njëjtën kohë, e brishtë në poezinë e saj dhe, po aq e brishtë kishte qenë në jetë; pesimiste në poezi dhe me jetë të vështirë, ruse dhe kozmopolite, por që nuk e shiti kurrë vendin e saj të pamatë; kryelartë dhe e hutuar, një enigmë që nuk mund të vinte ndryshe veç përmes poezisë.
Më pas njoha portretin e saj: sytë e mëdhenj si liqejtë e Bajkalit, ku nuk mund të fshihej më trishtimi i saj, flokët e prerë shkurt, sa që në disa foto mund ta merrje për një djalë të hutuar, buzët e holla, të shtërnguara, ashtu si ndodh tek njerëzit pasionantë dhe të vështirë, shikimi si i mjegullt dhe mësova se kishte vuajtur nga miopia, dhe, gjithçka, në pamjen e saj të jepte dyzimin , nëse kishe para vetes një zonjë mondane, sidomos kur e hidhte shikimin e saj në një vend të paqëndruar , apo , ashtu befas, po shihje foton e një çunaku fshatarak, që ka humbur rrugën në një udhëkryq të paditur.
Kishte lindur në 8 tetor 1892, është pragu i ndërrimit të shekujve dhe ajo do të futej në shekullin e ri, ku u bë njëra nga poeteshat më të shquara, përmes botës së artit, sidomos poezisë, për të cilën ajo thonte se, “Poezia është milimetri i parë i ajrit përmbi tokë”. Gjithçka në fëmijërinë e saj ishte art; babai i saj ishte profesor arti, ai do të themelonte Muzeun e Arteve të Bukura “Pushkin“, ndërsa nëna ishte pianiste, njëra nga studentet më të mira të Nikolai Rubinstein. Në këtë hapësirë poetike, ku gjithçka është art, ku mysafirët , duke pirë çaj dhe kafe të fortë flasin për botën e madhe të letrave, Marina ndjehet e sigurtë, do të thoja e korracuar dhe, në moshën 6 vjeçare nis të shkruajë poezitë e para.
Nuk do të jetë ende 16 vjeçare kur fillon studimet në Sorbonë. Sikur të mos i mjaftonin poezitë dhe esse-të në gjuhën ruse, tani fillon të shkruajë poezi edhe në gjermanisht dhe rusisht. „Gjermania është çmenduria ime! Gjermania është dashuria ime!“ Një çerek shekulli më pas, kur divizionet gjermane pushtuan Pragën dhe kërcënuan të gjithë botën, ajo, e tradhtuar nga ndjenja e saj do të hakrrehej e dëshpëruar : „Do të digjesh mos Gjermani! Çmenduri, marrëzi është kjo që po bën“.
Libri i saj i parë botohet kur ishte 18 vjeçare dhe bën bujën e pamatë. Njerëzit pyesin :“Nga erdhi kjo befasi e furishme“?
Çfarë kishte të veçantë kjo vajzë – poete, që kaq lehtësisht kishte hyrë në oborrin e madh poetik dhe, kur të gjithë mendonin se do të ishte një mjellmë, befas e kishin kuptuar se ajo synonte të ishte një shkabë e bardhë
NË ZEMËR
Në zemër: ferri dhe altari,
atje parajsa rri dhe turpi.
Kush është i ati?
Ndofta cari,
a, mbase cari dhe hajduti?
Ajo ishte në të vërtetë edhe vajza e thjeshtë ruse, nga që njerën gjyshe e kishte pasur një grua të zakonshme, për më tepër priftereshë në fshat dhe, nga ana tjetër një damë kryeneçe, nga që kishte pasur gjyshen tjetër një aristokrate të njohur polake; ndërsa nga e para kishte marrë hutimin, brengën dhe druajtjen, nga gjyshja tjetër ajo kishte me vete kryelartësinë që shfaqej në çastet vendimtare të jetës së saj.
Ajo ishte në të njëjtën kohë zonja e dikurshme e oborreve fshatarake, e sjellshme, e devotshme, e përkorë, e druajtur, dhe, në të njëjtën kohë dama rebele, kryelartë, frymëzuese, e pabindur, kryeneçe. Ishte rrëmujëbërëse në shtëpinë e saj, por edhe studente e shkëlqyer në Universitetin e Sorbonës; mjeshtre e fjalës ruse, të cilën e përkdhelte ëmbëlsisht, por, në të njëjtën kohë, kaq përkryer shkruante edhe në gjermanisht dhe frëngjisht; e heshtur në praninë e mediokritetit, qoftë ai edhe artistik, por e zjarrtë në diskutimet e pafund për artin e vërtetë dhe politikën; dembele për të shkruar dy rreshta për njërin nga kritikët e saj, por ka një korespondencë të dendur, si një lum dashurie, me Pasternakun, mikun e saj të mirë e të dashuruar kur ishin larg dhe të qetë e naivë kur ishin me njëri tjetrin.
Nuk e bëri të tillë ai që quhet Revolucioni i tetorit, ky i fundit, më pas, e nxori në një dritë tjetër qëndrimin e saj. Si të them, nëse deri në vitin 1917 tiparet e saj ishin të gdhendura në një baltë të butë, timide, që mund të punoheshin, revolucioni, me gjithë atë katrahurë dhe zymtësi që krijoi pas vetes, i gdhendi tiparet e jetës së saj, virtytet apo veset, në gurin e pandryshueshëm.
Ajo e njihte veten më mirë se kushdo tjetër. Në vitin 1916 do të shkruante ” Fale zot, mëkataren që të troket, kryelartësia e solli të gjorën Marinë në gjirin tënd”.
Në një nga poezitë e para të saj ajo do të shpërfaqet në atë dritë ku kishte gjetur veten:
Tani vërvitet vesa e era ka rënë,
Furtuna e yjeve bredh anembanë.
të gjithë do të flemë nën tokë, ngrënë e pa ngrënë,
të gjithë ne, që njeri tjetrin pa gjumë e lamë.
Por befas, si të mos ishte e njëjta Marinë kobndjellëse, shpërthen një tjetër, gjithë ankth dashurie dhe pasion çmendurie, jo më e brishta, por e hutuara nga dashuria e madhe, nazemadhe dhe elegante, heq qyrkun e saj fëmëror, lazdrohet, përkdhel dhe shkruan me atë stilin e saj të habitshëm nga ndjenjat fluide, të pafshehura, përvëluese:

Dhe e putha djaloshin në kokë,
S’ia gjeta dot buzën, s’e di!
E prapë siç dihet me kohë,
Ti je e mirë, dashuri.
Një çikëz verë të gëzuar
Dhe tej e hedh qyrkun, e flak,
Oh, siç është thënë e shkruar,
I çmendur do ndizesh ti, gjak.
Veç , jo-për kohën që patëm
Dashuria s’u bë dot grua!
Vetë Venera, si mori sëpatën,
Shkrepën ashkla kudo në katua.
Me ferrin me akull e murtajë,
Me dimrin vuri kurorë.
Dashuria , dy krahët e saj
I do me çizme të forta për dëborë.
Pa shih ç ’krijim i adhuruar,
Ti thurma litarin, se ç ’fat,
Dhe ulu sipas përvojës së shkruar
Siç shtrihet një vajzë në krevat.
Dhe mirupafshim vonë a herët,
Në prapë do shihemi tok,
Kur ne të mësojmë që djemtë
T’i puthim më mir’ se në kokë.
E tmerronte idea e vdekjes, po aq sa edhe idea e jetës. I përfytyronte rrugët e Moskës nga do të ecnin njerëzit me arkmortin e saj, të shumtë do të ishin ata që do e shoqëronin, më të shumtë ata që rrugës do të mbeten, rrëshqethës do të ishte grushti i dheut mbi kapakun e arkmortit dhe të padëgjuara fjalët që do i thonin. E tërheq e zeza. Deri tek monumenti i poetit të adhuruar të saj, Aleksandër Pushkin, dhe, në njerën nga esetë e saj të mrekullueshme, – ajo njihej si një ndër katër a pesë eseistët më të mirë të shekullit të XX – do të shkruajë se :,
„ Prej monumentit të Pushkinit unë kam edhe dashurinë e çmendur ndaj të zezës, të mbartur për gjatë gjithë jetës, edhe sot e kësaj dite, kënaqësinë ndaj çdo qenieje, kur rastësisht, në vagonin e tramvajit ose diku tjetër, ndodhem me të zezën – pranë. Hyjnia ime e bardhë brinjë më brinjë me zotin e zi. Te çdo zezak unë dashuroj Pushkinin dhe dalloj Pushkinin – monumentin e zi të Pushkinit të miturisë sime
parashkollore dhe të gjithë Rusisë.
… Sepse mua më pëlqente, largohemi ne apo afrohemi, kurse ai – përherë qëndron. Nën dëborë, nën gjethet, që fluronin, në ag, në kaltërsi, qumështin e turbullt dimëror – përherë qëndron“.
E shkujdesur deri në palcën e saj ajo më shumë donte rrëmujën se sa rregullin, kërkonte rebelimin në vend të qetësisë; adhuronte heroin rus Stenka Razinin dhe nuk i bëhej të shkruante për herojtë e rinj; kërkonte të shkonte drejt njerëzve të thjeshtë, por e trembte padituria; në kohën kur të gjithë po kërkonin jetën e qetë, ajo ndjell rebelimin; kur revolucioni po vendoste gardhet e hekurtë të tij, ajo kërkonte lavdinë e Rusisë jashtë tij; e përkedhelur nga lindja dhe e dënuar nga jeta, ajo bëhet zëri poetik i kohës së saj me një forcë të pashterrur, mahnitëse, turbulluese dhe ëndërrimtare.
Çuditërisht atë trup të brishtë nuk e mposht vetmia, lodhja; çmenduritë e kohës herë herë i duken argëtime e herë të tjera bën vetë çmenduritë e saj, të mëdha, të zhurmshme dhe rebeluese; ajo shkruan se i adhuron gratë e luftrave me shpatë, me ushtën lart e jatagan në brez, por lumturinë , ashtu si të gjitha gratë, nën skllavërinë e djepit unë e pres… dhe nuk mund të besosh se është e njëjta, ajo Marinë që, ashtu si bashkëshorti i saj, adhuronte ushtrinë e bardhë, por nuk bashkohej me të, ajo Marinë që ishte krejt e kundërt me detashmentet e të Kuqëve, por që në mërgim nuk u ngrit kundër tyre; që poezia e saj në formë tingëllonte si e kundërt, por në thelb ishte si e “tyrja”,…nuk mund të mendosh se ke vetëm një Marinë , një të vetme, edhe ajo që pret skllavërinë e saj të djepit që përkund dhe, në të njëjtën kohë, atë Marinë që shkruan me zemërim të papërmbajtur se, ” Andre Shenjesë në gijotinë koka iu pre, e unë jam gjallë, ç’gjynah…”.
Jeta e Cvetajevës është ndoshta romani më tragjik i një poeteshe, e aq më tepër i një poeteshe të shquar. Gjithçka ishte tragjike në jetën e saj dhe do të mbetej e tillë deri në fundin e jetës. Çastet e shkurtëra të qetësisë do të merrnin fund marramendshëm shpejt, sa që mund të pohohet se ajo nuk e njohu kurrë qetësinë. Jeta e saj i ngjan një lumi të harbuar, që në të gjithë shtratin e tij ka rrjedhur më shumë nëpër thepira, se sa në një tokë të butë; më shumë ka pasur përplasje,se sa qetësi, dhe, në fund, kur i është dashur të derdhej në det, qetësia ka qenë e rreme dhe përfundimtare.
Jo më kot ajo do të krahasonte rrjedhën e lumit me rrjedhën e librave, sepse jeta e saj, ashtu e vrullshme, si lemejtë malorë dhe tronditës, ishte e tëra një libër. Nuk mund ta ndash atë nga libri, qoftë i shkruar nga vetë ajo, qoftë i dikujt tjetër. Dhe shkruan:
“Ka libra kaq të gjallë sa ke gjithmonë frikë se, ndërsa ti nuk ishe duke lexuar, libri ka ndryshuar, ka rrjedhur si një lumë; ndërsa ti vazhdove të jetoje, ai vazhdoi të jetojë gjithashtu, dhe, si një lumë lëvizi e iku tutje. Askush nuk ka hasur në të njëjtin lumë dy herë. Por, a ka hasur dikush dy herë në të njëjtin libër?”
Është interesant, por të njëjtën die, saktësisht të njëjtën , e kam gjetur më vonë në ligjërimet e fenomenit të pamatë, Jorge Luis Borges. Në ligjëratën e tij „Mrekullia e librit“ , Borges, ndoshta njëri nga më të mëdhenjtë e botës së letrave, do të shkruajë se , „ Herakliti thotë ( e kam përsëritur shpesh) se njeriu nuk lahet kurrë dy herë në të njëjtin lumë. Ne nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë, sepse ujrat e tij ndryshojnë. Akoma më e tmerrshme është se edhe ne nuk jemi më pak ujorë se lumi. Sa herë që lexojmë një libër, libri ndryshon, ngjyrimi i fjalëve është tjetër. Sepse librat janë mbrujtur me të shkruar“.
Mes tyre, thënies së Cvetajevës dhe të Borges janë thuaj 40 vite, por, duke qenë majat e mendimit eseist , ata do të takohen, megjithëse kurrë nuk e kanë njohur njëri tjetrin.
Dhe jetën e saj nuk mund ta kesh hasur tjetërkund, tragjike si e pak kujt, ashtu si është e veçantë dhe brilante edhe poezia e saj.
Fati kishte qenë i pazakontë me të, tragjik që në paralindje dhe tragjik deri në vdekje. Si të ishte një e parathënë nga Zotat, të cilët ajo herë i besonte marrëzisht dhe herë të tjera as nuk donte të ia dinte për to. E ndjente praninë e tyre në pak çaste, më shumë ndjente harresën dhe braktisjen.
Si mund të jetë një njeri i braktisur, i vetmuar? Aq më tepër si mund të jetë një poet, për të shkuar më tej, thellë më tej: si mund të gjendej një poeteshë?
Një martesë dy kahëshe e prindërve të saj, ku njëra gjyshe priftereshë, zonjë e një shtëpie të zakonshme, në mos të varfër, predikon mbi kokën e Marinës butësinë, përuljen, timiditetin, nënshtrimin, mësimin me të keqen, sigurinë e rreme dhe të vërtetë, frikën nga njerëzit dhe nga Zoti, fushëpamja e jetës të së cilës është kaq e ngushtë, saqë nuk mjafton as për miopinë e lindur të Marinës dhe, nga ana tjetër, një damë polake e aristokracisë së lartë që e ka të lindur kryelartësinë, autoritetin, fjalën serioze, të matshme, rebelimin si mënyrë jetese dhe jetën si një shfaqje ku ajo e ka të përcatuar rolin e saj jo në passkenë, që e di me sigurinë më të madhe se jeta i duhej përkushtuar asaj dhe jo ajo të flijohej për jetën. Kjo gjyshe polake e shikon gjyshen e varfër ruse, priftereshën, tri herë me përbuzje, së pari nga shkalla shoqërore , së dyti, ndryshimi i besimit fetar, pasi e para, e zakonshmja është ortodokse ,ndërsa polakja i përket besimit katolik, dhe së treti e më e rëndësishmja, ajo është polake, dhe si e tillë nuk e do ,por e përbuz jo vetëm priftereshën, por gjithçka ruse, pasi kaq vite robëri dhe kryengritje e më pas, kaq vite paqe, nuk e kanë zbutur mërinë e saj për sunduesit e dikurshëm. Në një poezi të saj për gjyshet ,megjithëse përpiqet të zbusë gjithçka me vargun e saj magjik, shpërfaqet pikërisht kjo fillesë, e mistershme për shumëkënd, por dërmuese për shpirtin e saj të lodhur që nga fëmijëria. Ëmbëlsia e saj shpirtërore dhe romantizmi ëndërrimtar do të thyheshin shpesh herë dhe gastaret e mbledhura nëpër këmbët e saj nga thyerja, do ia përgjaknin rrugët.
Një fillesë e tillë jete do të bluhej në shpirtin e Cvetajevës dhe do të ndizte ato shkrepëtima që më pas do të sillnin zjarret.
Gjithçka që vazhdon më tej është po aq tragjike sa edhe fillimi. Revolucioni i Tetorit është i huaj për të, as nuk e kupton fillimisht dhe as nuk përpiqet ta kuptojë. Është ende në botën e saj, e qelqtë është është kjo botë, tronditet e tronditet, deri sa muret e saj çahen në një mijë copë dhe ajo sheh para vetes tragjedinë e një populli që e kishte dashur me shpirt dhe drejt së cilit mendonte se po ecte, veçse, në fakt, pa arritur kurrë ose tepër vonë. I shoqi i Marinës bashkohet me ushtrinë e bardhë dhe kjo rrymë e ftohtë depërton tek ajo. Nuk di asgjë se çfarë ndodh në frontet e luftës, miope në shikim dhe miope në politikë, por e çmendur krejtësisht pas politikës, ajo dashuron marrëzisht atë çka burri i saj dashuron, beson tek të njëjtat gjëra dhe, kur fillon të ketë një shikim tjetërlloj, tronditet përsëri. Është vjeshta e vitit 1920 kur në vetminë e saj proverbiale dhe rebeluese në të njëjtën kohë, ajo përfundon vëllimin me poezi „ Tufa e mjellmave“, ku lavdëron Të Bardhët, megjithëse sheshet janë të gatshëm për të prerë kokat e tyre. Dy vite më vonë, në botimin e librit „Shtojzavallja“ duket më e qetë në botën e saj politike, por përsëri karakteri i vështirë rishfaqet pasi vetë ajo që ndodhte rreth saj ishte aq e huaj për të, sa edhe krimi.
Atëherë ajo krijon „ oazin“ e saj poetik, ku ka vend edhe për mbretër, më shumë priret drejt tyre, për trima bujarë dhe fisnikë, për Carin, si figurë madhore, megjithëse nuk e harron pabesinë e tij bizantine, krijon një rreth oborrtarësh, të cilët më pas, ashtu me një lëvizje, i largon, i dërgon në vende të tjera dhe përmbys ishullin e saj kryengritës po aq lehtësisht sa edhe e kishte ngritur.
***
Do e shoqërojnë më shumë vdekjet se sa lindjet. Vdekja e parë tronditëse i vjen nga vëllai i saj, aktor, njeri i butë, me shpirt timid si e motra, më shumë i menduar se sa aktiv, që, i sëmurë nga tuberkulozi largohet nga jeta tepr i ri , duke lënë boshllëkun e njohur tek motra e tij, që edhe ashtu kishte më shumë pikllim se sa mund të mbante një njeri i vetëm. Vdekja e dytë është edhe më e tmerrshme. Vajza e saj tre vjeçare vdes nga uria. Vdekjet e tjera i vijnë më pas, por të gjitha tronditëse: i shoqi, i arrestuar nën akuzën e bashkëpunëtorit gjerman, i gjykuar, i dënuar dhe i ekzekutuar;vajza e madhe, ajo që në moshën 5 vjeçare recitonte me pasion poetin e madh rus Aleksndër Bllok,edhe ai i vetëvrarë, do të jetë fillimisht e arrestuar,pastaj gjysëm e internuar. Më vonë, pas vetvrasjes së saj, djali, ende pa i bërë 18 vitet, vritet si ushtar në Front.
Është krejt e vetme në një çast dëshpërimi dhe vajza e saj, e vetmja që e di se ku është nga ajo që ishte dikur familja e saj, është larg. Marina Cvetajeva është përsëri e vetmuar, në një vetmi tragjike, së cilës nuk i duket fundi.Për më tepër, zyrtarisht e evakuar, realisht e internuar. Me vete ka një grusht rrobash, të mbledhura në çastet e fundit në dengat e rastit, disa libra, shënime të pambaruara, dhe një litar, të cilin ia ka dhënë miku i saj, poeti Pasternak, në çastin e ndarjes, jo për gjë tjetër, veçse për të lidhur dengun e rrobave. Poeti, si për ta qetësuar miken e vjetër, me të cilën janë puthur vetëm në letrat e shumta, i thotë se litari është i fortë, mban edhe një njeri të varur. Pastaj qesh pa të keq, por thënia e poetit mbetet në mendjen e lodhur tashmë në Cvetajevës. Dhoma e vogël, aq është e ngushtë edhe bota rreth saj, ndërsa ajo kishte dashur, ëndërruar dhe synuar për një botë tjetër, të pamatë, botë poeti dhe të denjë për njeriun. Medet, gjithçka është mbyllur rreth e rrotull saj; të kuqtë po i përpinin jetën, gjermanët, që i kishte dashur si popull dhe i kishte urryer si demonë të politikës, po shfaqeshin barbarë; njerëzit iknin nga ajo dhe ajo vetë nuk i donte, një rreth që po mbyllej drejt saj dhe një botë e hedhur nën këmbë.
U ul n tryezën e shtrembër, e vetmja dashuri besnike e saj, të gjithë miqtë e kishin braktisur, dhe , si në jermin e botës që përmbysej, me shkrimin e saj të qartë dhe të bukur, i shkroi të birit vetëm një shënim të shkurtër:
„Më fal, por ti do të vazhdosh. Do të ishte më keq, jam e sëmurë rëndë, nuk jam më unë. Unë të dua me pasion, por e kuptoj se nuk mund të jetoj më. Nëse i shihni ndonjëherë ata, thuajuni se i kam dashur deri në çastin e fundit dhe ua shpjego atyre qe e gjeta veten në një kurth“.
Po zvarrisen pas meje zinxhirët
të gjëmojnë së shpejti i pres,
Sa dëshirë kam, sa dëshirë,
qetësisht të mbyll sytë e të vdes!…
Çfarë të bëne mëkatarja Marinë? Ajo e kishte parashikuar se shumë nga miqtë e saj nuk do të ishin në ditëfundin e saj; njërin prej tyre, Ilia Erenburgun e kishte takuar kur po internohej, por poeti tjetër, dikur mik i saj, që i kishte shkaktuar edhe shumë dhimbje, nuk e kishte mendjen tek ajo; Rusia e Madhe po zvoglohej gjithnjë e më shumë, vapë e gushtit 1941, tmerr, llahatrë dhe dhunë, përmbysje dhe ajo e di se kjo nuk është më bota e saj.
Ç’të bëjë? 15 ditë më parë ishte ekzekutuar i shoqi, i kthyer në Rusi pas 17 viteve mërgim. Ajo e sheh se jeta e saj po shndërrohet në pluhur para se të ikte ajo vetë prej saj. E turbullt, e vetme, ndoshta duke e paraditur fundin e saj në këtë botë sovjetësh dhe muzgu mjeran, ajo do të bëjë aktin e saj të fundit. I kujtohet lamtumira me Pasternakun. Sytë i janë zbehur. Nuk kanë më shkëlqimin verbues dhe dritën brenda tyre. Në një cep të rrobave të saj është litari. Fillimi dhe fundi i jetës së saj. Sikur të donte të thonte lamtumirën e fundit, përdor atë litar për të varur veten. Është vapë e madhe. Dritarja e vetme e dhomës është e mbyllur. Në shkallë dëgjohen lëvizje dhe zëra, por asnjëri drejt saj. E vetmuar, si kishte qenë gjithë jetën e saj.
(Vijon numrin e ardhshëm)

Me ne fund dikush guxon te afroje frymarrje
shpirtit te ftohur per vdekje te Litetartures edhe pse
historia e poetes pershkruhet nga nota teper trishtuese ,
qe prekin shpirtin e lexuesit …pushtuar nga deshperimi i fatit te poetes Ruse , Marina …
(Kaq shume deshir /pasion per kte Jete ,
qe kurr se jetuam njiher vertete ! )
—–
S’jam i sigurt nese lejojn komente ktu . Jetojm kohe te pakuptushme ,ku basurditeti ka pushtuar gjithchka .
Njeriu e ka te veshtire te kuptoj njeriun !
Nejse :
Flm, pruresit te ktij shkrimi .
Ktij muaji me i bukur i vitit Mai ,
s’duhet ti mungoj ajo drit ai Diell per tee ciin ka aq shume nevoje Trendafili i Bardhe i Poezise …
( Amo Te…Poesi )
Ju prut ne keta rreshta “proze poetike”nji poete Ruse , me nji fund tragjik,si shumica e poeteve te shquar Ruse;nga Pushkin e Lermontov ,tek Esenin ,Majakovski e te tjere:na shtuat trishtimin,ne keto dite te trishta per gjithe njerzimin , perfshire edhe Shqiperine,ndoshta per te na treguar se bota e ka ne natyren e saj kete ndjenje prandaj ne nuk kemi perse te ligeshtohemi!!
Sillni nje carcaf te madh per nje poete ruse, thuajse te panjohur edhe nga lexuesit e poezise. Ne vend te zgjoni kersherine e lexuesit per poeten dhe poezine e saj, e largoni. Thjesht per te mbushur rubriken e Kultures! Ne nje kohe qe lexuesi i DITA-s veshtire te njohi te pavdekshmit Esenin, Pushkin, Lermontov!
Aman, lerjani poezin poeteve. Nuk e zbukuron pershkrimin imitimi me togefjalesha “poetike” dhe huazimi idiot i termave te huaj. Timide, tidmiditet..
Apo ndjenje e zonjave mondane kjo.
Zonjat mondane ndjejne anglisht dhe me togefjalesh..fundjeta.. funddita
mirel,
mbase e qe komentojme jemi te tille
o goje majasell qe s’le vend pa ngren ,”ate qe uk thuhet ” ktu !
mirel,
mbase Ne qe komentojme jemi te tille
o goje majasell qe s’le vend pa ngren ,”ate qe uk thuhet ” ktu !