Treva e Krahësit

Ornela

Ilmi S.Qazimi

Historia tregon, se në çdo kohë, sado e vështirë të ketë qenë, jeta ka ecur fuqishëm dhe vrulli njerëzor përparimtar për të kapërcyer çdo pengesë e çfarëdolloj vështirësie kurrë nuk është ndalur. E në këtë periudhë, kur s’na u ndanë as epidemitë si ato që pjell politika, as ato të biznesit që ndjell vdekjen  masive siç është shpikja e Covid – 19, as edhe ato që na sjell natyra e egërsuar me ne si tërmetet, përmbytjet,…përsëri jeta gjallëron në tërë rrembat e saj. Një shembull i shkëlqyer janë shoqatat atdhetare kulturore në mbarë vendin tonë të cilat, me veprimtaritë e tyre  të larmishme, evokojnë të kaluarën e lavdishme historike të banorëve  të trevave që përfaqësojnë, mbajnë të ndezura idealet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, emrin dhe veprën e dëshmorëve të rënë në luftërat për pavarësi e çlirim kombëtar. Gjithashtu, janë ato shoqata që në një përballje të fuqishme me disa pseudohistorianë, me ata që kanë vetwmarrë pasaportën e servilëve dhe shërbëtorëve të shitur tek të huajt (dje pushtues e sot pretendues për troje e copëtime), po mbrojnë fuqishëm historinë e këtij vendi. Është e domosdoshme të themi se këto organizma shoqërore vullnetare po punojnë që edhe vepra e madhe e  puna vetmohuese e periudhës së socializmit, të mos humbasë, por t’iu bëhet e njohur brezave të rinj.

Edhe pse në kohë vështirësish pandemike, janë realizuar disa aktivitete, siç qe përkujtimi, propagandimi e festimi i njëqindvjetorit të Luftës së Vlorës, që u pasqyrua edhe në median kombëtare, por, në veçanti, edhe në atë lokale. E këtu e kam fjalën për gazetën “VJOSA”, gazetën “Dëshnica”, “Shpiragu”, “Përmeti”, “Dukagjini”, “Trebeshina” e në ndonjë tjetër, që, me përkushtim dhe objektivitet, pasqyrojnë jetën dhe veprimtaritë e këtyre shoqatave atdhetare.

***

Shoqata Atdhetare Kulturore “Treva e Krahësit” u themelua në qershor të vitit 2003 me nismën e kuadrit madhor të Ushtrisë, atdhetarit tepër të përkushtuar të asaj krahine, Veli Llakaj. Në aktin themelues të Shoqatës  ai firmoi së bashku me z. Xhelil Aliu, Rait Rama, Gjolek Zeneli, Selman Elmazi , Xhevdet Xhemali, Selam Rama, Selfo Dosti, Myzafer Kanani, Sulo Gërbi, Muhamet Hada, Leonard Rama etj.

Detyrën si kryetar i zgjedhur i saj, ushtaraku madhor Veli LLakaj, e kreu me nder për më tepër se 8 vjet; më pas tij, 2013 deri 2014  e drejtoi Selman Elmazi, dhe 2014  deri 2015  qe i zgjedhur mësuesi Neim Deraj. Prej vitit 2015 shoqatën e drejton kryesia me 25 anëtarë.Midis mbledhjeve të saj është Këshilli Drejtues me përbërje Selman Hajro Caushin, Ahmet Hoxhën, Pelivan Hysi,Selman Elmazin, Levend Shehun, me nënkryetarë Drita Metën (Shehu) e Medin Caushin. Kryetar është zgjedhur Pelivan Hysi, ish- kuadër i lartë ushtarak, tani pensionist.Shoqata ka degët e saj në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Krahës, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.

Në objektivat dhe detyrat e veta Shoqata ka mbajtjen gjallë të  traditave atdhetare e kulturore, traditave më të shquara të luftës për Pavarësi e liri kombëtare, si dhe të traditave më të mira të punës për mbijetesë, për  ndërtimin e një shoqërie të re përparimtare, duke ecur me hapat e çdo kohe.  Shoqata ka lidhje me mjaft Shoqata të tjera të këtij lloji, si më atë  “Labëria”, “Shpiragu”, “Tafil Buzi”, “Tomorri”, “Çepani” etj

Themeluesit e dinin fort mirë, se vetëm me një gazetë lokale,  por me shpërndarje në të gjitha anët e Shqipërisë ku banojnë anëtarët e Shoqatës mund të përhapej dhe bëhej e njohur e tërë veprimtaria atdhetare, historike e kulturore e saj. Prandaj ata, fillimisht me financimin e tyre, botuan periodiken “Vjosa”, si organ i Shoqatës. Jo vetëm që nuk harrohet, por vlerësohet së larti roli drejtues e organizues dhe  puna e veçantë për mbarëvajtjen e kësaj Shoqate e kryetarit të parë të saj, Veli Llakaj, si edhe e shokëve të tjerë pasardhës.

***

Gazeta “Vjosa” është organ shtypi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Treva e Krahësit”, që del në qarkullim tri – katër herë në vit. Aktualisht kryredaktor i saj është z. Ahmet Hoxha. Ka 17 vjet që del në qarkullim dhe ka arritur tashmë në numurin 47, numër që doli më 29 dhjetor 2020 dhe u shpërnda brenda datës 30 në tërë pikat ku e presin me shumë kënaqësi lexuesit në disa krahina e rrethe të Shqipërisë. Vini veshin: më 30 dhjetor 2020,(kur të tërë e kanë mendjen tek Viti i Ri) gazeta “Vjosa” e përgatitur dhe botuar në Tiranë, shkoi fizikisht si letër në dorën e lexuesit në Allkomemaj, Levan, Kamçisht, Xhoxhaj, Qesarat, Kalivaç, Krahës dhe në  gjithë fshatrat e kësaj treve.

Jemi mësuar që të lexojmë e të dëgjojmë për heronj, luftëtarë , kordhëtarë, njerëz të penës e të dijes ndër kohëra të kaluara etj., që i kanë shërbyer atdheut dhe i kanë dhënë shoqërisë shqiptare. Mirëpo, ja që, ata të heshturit e sotshëm, që punojnë po aq sa  shumëkush më parë, herë – herë në të njëjtat kushte, “harrojmë” t’i shohim dhe të themi disa fjalë për ta. Të shumtë janë këta, por këtë herë le të na lejohet të themi pesë fjalë plotësisht të merituara për drejtorin e gazetës “Vjosa”, njëherazi edhe kryetar i kësaj Shoqate, i përkushtuari Pelivan Hysi, që ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë tepër të lavdërueshme. Ai gjen sponsorin, mbledh materialin, e ideon dhe e sistemon atë për në gazetë. Pastaj së bashku me kryeredaktorin,  z. Ahmet Hoxha, zbardh e rishikon të gjitha shkrimet e dokumentet, fotot dhe çdo gjë tjetër që ka grumbulluar për t’i pasqyruar në 12 faqet e gazetës, dy faqe prej të cilave janë me ngjyra. Në vazhdim, realizon faqosjen e gazetës së radhës.

Z.Pelivan aktivizon edhe anëtarë të tjerë të Shoqatës shokë që i kushtohen gazetës me seriozitet. Pelivani, duke bërë një ndarje racionale të detyrave me kryeredaktorin, kryen, ndërkohë, thuajse edhe tërë punët e tjera, prej projektidesë e deri në daljen në qarkullim të kësaj gazete historiko-kulturore. Drejtorit të kësaj gazete i duhet që të përplotësojë edhe tërë  punët e tjera, të konsideruara “të vogla”,por që realisht janë sfilitëse, siç janë faqosja, shtypja, transporti brenda kryeqytetit, përgatitja e çdo pakoje për te lexuesi nëpër rrethe, nisja e dokumentuar dhe deri te mbërritja e  gazetës te lexuesi.

Gazeta “Vjosa”, ashtu edhe shumë nga simotrat e saj, ku do të veçoja gazetën “Dëshnica” me drejtor z. Gëzim Voda, ka një përmbajtje të pastër atdhetare, të pasur për nga tematika dhe të larmishme për nga gjinitë gazetareske. U bënë disa vite që e ndjek nga afër dhe e lexoj faqe për faqe, si për  të  thelluar njohjen, ashtu dhe për të mësuar sa më shumë prej saj. Veç kompozimit dhe faqosjes dinjitoze dhe estetike, realizuar nga znj. N. Nallbani, përmbajtja e shkrimeve jo pak herë të fut në mendime. Aty gjen realisht jetën e vërtetë të banorëve të të 18 fshatrave të krahinës së Krahësit në epoka të ndryshme të historisë. Do të përmendja me shumë nderim e respekt shkrimet e gazetarit të talentuar Xhelil Aliu, ato të Prof. Fatmira Rama, të Prof. Bardhosh Gaçe,të z. Vezir Muharremi, të z. Pelivan Hysi, të z. Ahmet Hoxha, të znj. Majlinda(Mano) Rama, të z. Shyqyri Hysi, të z. Mitat Shehu, të z. Asqeri Muçoimaj, të z. Medin Caushi, të z. Ilirjan Balla e të mjaft të tjerëve.

Në faqet e kësaj gazete pasqyrohen me vërtetësi dhe me nivel të lartë publicistik ecuria shekullore e banorëve të trevës së Krahësit, e marrë kjo në lidhje të ngushtë me krahinat  e tjera të Tepelenës, Vlorës, Gjirokastrës, Beratit  e Skraparit. Në rubrikat e spikatura të gazetës gjen shkrime që bëjnë fjalë për heroizmat e Osman Haxhiut, me origjinë nga kjo trevë, luftëtar e atdhetar i madh, që drejtoi Komitetin Kombëtar të Luftës së Vlorës. Gjen emrin dhe veprën e gjerë ushtarake, politike, atdhetare dhe shkencore të Gjeneralit Veli Llakaj. Aty shkruhet për sakrificat e atyre që punuan për të ngritur shkollën shqipe e për të përhapur mësimet në gjuhën tonë amtare, kryesuar nga Ibrahim Selimi e Qamil Rustemi. Bien në sy edhe të tjera figura të shquara të luftës e të punës, që kanë bërë emër e kanë lënë gjurmë të pashlyera atdhetarie,trimërie e urtësie, si Zenel Shehu, Sinan Hasani, Sulo Beqiri, Reshat Rama, Kalo Brahimi, Rexho Malo, Muhamet Hada, Bektash Mema e të tjerë.

Është kënaqësi  të përmendim, duke u shprehur mirënjohjen dhe falënderimet e thella, sponsorëve të kësaj gazete, biznesmenëve të nderuar: Arben Muçobega, Qazim Qëndro, Adem Alushi, Flamur Xhemali, Orgen Hasanbega, Afrim Rama, Ilmi Shehu, Ramiz Kapllani, Resmi Sala; intelektualëve dhe të zgjedhurve: Fatmira Rama, Mirela Levanaj (Llakaj), Hajro Caushi, Levend Shehu, Gjergji Hoxha, Bastri e Brahim Velikaj, Sulo Muçobega. Një falënderim të posaçëm kemi për dy emigrantët, Xhevdet Sakaj dhe Kujtim Metaj, që  jo vetëm u rreh zemra për vendlindjen, por edhe  sponsorizojnë gazetën e Shoqatës.

Kryetari i shoqatës dhe drejtori i gazetës, zoti Pelivan Hysi dhe shokët e tij, sakrificat për realizimin e detyrave të shoqatës i ndjejnë si detyrime morale dhe, natyrisht, edhe si kënaqësi shpirtërore për të mos lejuar që traditat, emrin dhe lavdinë e banorëve të trevës së tyre t’i mbulojë pluhuri i harresës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *