Moikom Zeqo
Intervistë e Moikom Zeqos dhënë Rrezarta Merja – Redaktore e Shtëpisë Botuese “Erik”)
Pyetje: – I nderuar Moikom, sapo keni botuar librin “Tri Rrëfenjat e shekullit XV”, që ka dhe një nëntitull “Sinops romani”. Ky libër është paksa i habitshëm. Synon që të jetë një strukturë e një romani të shkurtër, por i ka kapërcyer përmasat e një narrative, që vijon sipas disa rregullave të njohura. Këto rregulla të njohura përcaktohen vetvetiu nga subjekti. Ju keni tentuar në një mënyrë krejt të lirë, të mos mbështeteni tek një subjekt i vetëm, pra tek subjekti që e bën romanin, zhanrin e rrëfimit romanesk, por të formësoni dhe të shpalosni domethënien jo të një subjekti, por në fakt të gjashtë subjekteve. Kjo duket si diçka eksperimentale, por nuk besoj se është e rastësishme, mos është bërë me qëllim nga ana juaj, ndonëse kërkon një meditim, apo dhe një përqendrim për ta kuptuar këtë gjë. Kështu tre subjektet e fillimit të këtij libri do t’i quaja subjekte me kahje negative. Ato përbëhen nga tri parabola që janë të shtjelluara dhe të skalitura në të njëjtin shekullin, që është shekulli XV, shekulli kur pushtuesit Osman sulmuan territoret e Arbërisë, por u përplasën me rezistencën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit të Lirisë, që për 25 vjet e kundërshtoi shtrirjen e kobshme dhe ogurzezë të pushtimit osman drejt Europës. Kurse tri subjektet e tjera, që mund t’i quaj, subjekte me kahje pozitive lidhen me ju vetë si autor, të përjetuara në shekullin XX, pra pesë shekuj më pas. Këto subjekte janë nderime të Sagës Kastriotase. Dua t’ju pyes, përse keni vepruar në një mënyrë të tillë? Dhe përse keni përzgjedhur një formë letrare kaq të pangjashme?
Përgjigje: – Ju duke qenë redaktorja e librit tim, e nderuar Rrezarta, padyshim që jeni ndeshur dhe e keni njohur me imtësi substancën letrare të librit. Kështu që ju qartësisht, por edhe duke i kuptuar nocionet kryesore bëni dallimin e tri subjekteve negative me tri subjektet pozitive, duke hulumtuar atë ekuilibër, gati të padukshëm, që i bashkon të gjitha fragmentet për të ndërtuar të tërën. Është e vërtetë, kështu besoj edhe unë, se një formë e tillë e romanit të shkurtër shkruhet për herë të parë, por për mua më e rëndësishme se sa “shpikja e formës” është sigurisht në vetvete përmbajtja semantike e librit.Ndoshta “shpikja e formës” lind nga rastësitë. Pra, nuk është e paramenduar që në fillim. Gjatë procesit të të shkruarit mendja lëviz në disa drejtime, qoftë në formë simetrike, qoftë dhe në formë asimetrike, në formë paralele, ose në formë përplasëse dhe përballuese. Pra, guxoj të them se në një çast të kohës krijuese lind një ide, që rastin e kthen në strukturë. Unë tre subjektet e para të librit i kam shkruar shumë vite më përpara, madje në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar. Subjekti i parë i quajtur “Koha gri” është ftillëzuar duke pasur parasysh bërjen e një romani historik, që në vitin 1974. Janë disa eksponentë të Perandorisë Osmane që i bashkëngjiteshin ushtrisë pushtuese për të plotësuar dhe organizuar vetë imazhin e pushtimit. Kështu, që një bërës hartash, vjen në trojet e Arbërisë për të shtuar territoret e reja të pushtimit, për të përmbushur një hartë më të përplotë dhe triumfuese të Perandorisë Osmane. Të tjerë specialistë lidhen edhe me teknikat dhe të gjitha mënyrat për shkatërrimin e shpirtit, si dhe të kujtesës së popullit të Arbërisë, për të ngulitur mbi “trutë e zbardhur” nocionet e pushtimit, të një tjetër linguistike, apo të një religjioni për të zëvendësuar religjonin e mëparshëm për të bërë kështu klonimin e luftëtarëve të lirisë në shtetas të bindur, të tjetërsuar të Perandorisë Osmane. E gjitha kjo është teknologjia e metamorfozës dhe skllavërimit. Gjithashtu, në këtë parabolë ku koha “është gjithmonë gri” flitet edhe për ngritjen e kalasë së madhe të Elbasanit nga ana e vetë Sulltanit Mehmeti i II-të i quajtur Fatihu.
Në parabolën e dytë “Masakra” përshkruhet pushtimi i Durrësit nga osmanët në vitin 1501. Pushtimi nuk është thjeshtë hapësinor, pra territorial. Pushtimi është dhe një masakër e qytetërimit që mbartte materia e qytetit të Durrësit. Vëzhgimi me kujdes i gjesteve të pushtuesve, se si shkatërronin afresket, apo thyenin statujat antike prej mermeri dhe se si kokat artistike të këtyre statujave i përdornin si gjyle topi e reflektojnë dhe mishërojnë idenë e procesit për të kuptuar se ç’është një pushtim i dhunshëm, tragjik dhe vdeksor. Kështu, në parabolën e tretë rrëfehet vetë pushtimi i qytetit të Krujës, nëpërmjet një Shkruesi, i cili formulon një Ferman se si u pushtua Kruja, i mbiquajtur si Akçe-Hisar. Në të tria parabolat perceptimi i historisë bëhet në sintoni dhe në mënyrë të përmbledhur nga ana e personazheve kryesisht figura dijetarësh, të kulturës dhe të shkrimit, pra nga përfaqësues të mendësisë dhe të ideologjisë së pushtimit.
Pyetje: – Vetëkuptohet, që në narrativën tuaj si autor, ju i skalisni këto personazhe negativë duke e lënë të mprehur ndjesinë tek lexuesi, se në anën e kundërt të tyre, si në një realitet të padukshëm, shfaqet e pamposhtur rezistenca dhe përkushtimi titanik për të mbijetuar. Si në një kronikë që të kujton diçka nga narrativja e Franc Kafkës, ju e përshkruani me pak penelata nervoze situatën duke qenë të kursyer në maksimum. P.sh po e citoj një pasazh:Ditën e tretë shkruesit i mbetej fare pak punë për të bërë.Fundi i shpalljes e ritualizon përsëri tregimin e titujve të shumtë të Sulltanit të Sulltanëve, Fatihut.Pastaj vijnë thirrjet entuziazte për të ardhmen.Kur mbaronte gjithçka shkruhej monogrami i Sundimtarit Fatmadh, kuptohet me ngjyrë ari dhe vula perandorake e tërëpushtetshmërisë sovrane dhe të pakundërshtueshme.Çdo shpallje qe një kryevepër kaligrafie shembullore dhe ambicioze.Pastaj shpallja qe gati t’i çohej Sulltanit të Sulltanëve.Ai e lexonte i vetëdijshëm se qe Zotëruesi absolut i Historisë.Shpata e tij e lavdishme qe pena e rëndomtë e shkruesit, robit të robërve, shpata qe Ngadhënjimi Botëstolisës, kurse pena Bindja e Fortlumturisë e skllavit të pafuqishëm, plot dobësi, por me dëshirë të papërmbajtur për temën e bukurisë së drejtësisë si një kujtim i vyer.Shkruesi e shkroi Fetih-namenë për Akçehisarin.
I pari e lexoi kryeastrologu që e pëlqeu shumë.
Ditën e katërt shkruesin e kaploi një gjendje ekstazer.Rrinte pa lëvizur dhe i përhumbur.
Kishte ndjesinë se i ishte zhdukur trupi i përkohshëm dhe qe i tëri prej shkrimi, një qenie kaligrafike, e përjetshme.Ahçehisari?Vërtetë a ka pasur ndonjëherë një qytet të tillë, diku në skajet e humbura të Ballkanit?Nëse dikur qe një qytet konkret, ndoshta krejt i parëndësishëm, tani e tutje do të qe një qytet prej shkronjash, termash dhe metaforash, pra një dëshmi mistike e stilit, me një rëndësi të tej-jetëshme…
Ah, klithi pa zë brenda vetes shkruesi.Kaligrafia është mbibota e Allahut, kur të gjithë sendet dhe qeniet e nën-botës zhduken, treten, humbin, për t’u shndërruar në Librin Hyjnor të Universit, ku çdo gjë: yjet, kometat, boshllëku, përplasjet, aksidentet kozmike, pozicionet astronomike të lëvizshme dhe të ndryshueshme janë shkrim dhe vetëm shkrim, çka tregon se vetë Allahu, që krijon kohën dhe hapësirën është i fshehur dhe i padukshëm, praninë e Tij të infinitëshme në shkrimin e dukshëm dhe të pazhdukshëm dot. Ah…”
Por njëkohësisht më lind e drejta për të pyetur: Si mundet vallë ta kundërbalancosh pasazhin e mësipërm me një tjetër subjekt? Pra, si mund të kalohet nga njeri skaj në tjetrin të dy kuptimeve të kundërta?
Përgjigje: – Kjo mënyrë të pyeturi më ndihmon edhe mua për të formuluar idetë. Nëse një shkrues perandorak mendon ose përjeton dëshminë e një pushtimi që është një akt sa fizik aq edhe konceptual, atëherë në një hapësirë që duket gati e zbrazur nga shekulli XV – XX mund të ketë disa ndërlidhje shumë të forta dhe të pashkatërrueshme dot nëse ti bën një kundërvenie konceptesh që nënkupton edhe një përplasje subjektesh. Po spjegohem: nëse i kam shkruar të tre parabolat brenda këllëfit kohor të shekullit XV, në vetvete nuk mund t’i lija ato në harresë, as t’i veçoja në “kthina kohore”, për të mos i parë dhe për të mos i ripërtërirë më. Kështu që gjatë një udhëtimi në Vjenë, në kohën kur isha Drejtor i Muzeut Historik Kombëtarë unë organizova një Simpozium Ndërkombëtar për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Me këtë rast u ekspozuan disa nga objektet arkeologjike dhe ikonografike të shekujve XIV – XV për të krijuar një ekspozitë, apo një koleksion që tregonte diçka për substancën kulturore dhe artistike të Epokës Skënderbejane. Simpoziumi u bë në Muzeun ku janë të ekspozuara Përkrenarja dhe dy shpatat e Gjergj Kastriotit. Ndërkohë në vetëdijen time të shqetësuar, me një ndjeshmëri gati të skajshme lëvizi përsëri një motiv subjektor për t’u ndërlidhur ose dhe për t’u përplasur me imazhin e para katër shekujve të Krujës dhe të Arbërisë së pushtuar. Dhe mund të them që ky përjetim ndërkohor por dhe ndërhapësinor ishte gati sfilitës. Dhe ja përvoja ime përkatëse: ” Evangelium secundum Matheum (25,30) “Et inutilem servume iicite in tenebras exteriors: illicerifletus, et stridor dentium” (“Flakeni në errësirën e jashtme shërbëtorin e pavlefshëm: aty do të ketë të qara dhe kërcëllima dhëmbësh”). Vizion i vrazhdë, rrezëllitës, apokaliptik, pashmangshëm, dlirësues. Ajo që më çudit, më trondit është pikërisht “in tenebras exteriors” (“në errësirën e jashtme”) Pse jo “in tenebras interiors” (“në errësirën e brëndëshme”)? Pse në errësirën e jashtme ka të qara dhe kërcëllitje dhëmbësh? Në vdekja s’ka asgjë, absolutisht asgjë. Ç’kuptim ka ky përfytyrim i pabesueshëm? Ferri është errësira e brendshme. Ky është Ferri i shkrimtarit. Errësira e jashtme është një metaforë idiote, e pakuptimtë. Tjetër gjë është ajo që astrofizikanët dhe kozmologët e quajnë “energjia e errët” që e kanë shënjuar, studiuar, por ende nuk e kuptojnë, e s’dihet nëse do ta kuptojnë.
Pasazhi në latinisht i Mateut, më ka mbetur në kujtesë. Mbaj mend që nga rinia shumë shprehje latine, që dua t’i harroj dhe s’i harroj dot.
Ah, kujtesë e tmerrshme, torturuese!
Në vitin 2005 udhëtoja me avion për në Vjenë. Në kryeqytetin austriak kisha organizuar një simpozium shkencor ndërkombëtar për 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, pikërisht në mjedisin e muzeut kur u hentë ekspozuara për krenarja e tij dhe dy shpatat e heroit. Isha fare vetëm- i vetmi shqiptar mes pasagjerëve të avionit. Nga dritarja ovale shihja jashtë terrin dhe yjet. E humba sensin e kohës. Mbase kisha 600 vjet që fluturoja, ose mund të fluturoja edhe 600 vjet të tjerë. Imazhi i Skënderbeut tani kishte si kalë fluturues këtë avion.Skënderbeu fluturonte në fakt edhe pa kalë, edhe pa avion. Ai e sfidonte teknologjinë e sofistikuar si askush. Më shumë se prej shpirti, kryetrimi shqiptar ishte prej shpejtësisë së dritës.
Ah, Skënderbeu! Ai e kishte bërë në mënyrë titanike detyrën e tij në histori, dmth. në shekuj.
Po unë? Ç’kam bërë unë në këtë jetë?
Dëgjova qartë (e pa asnjë zë rreth e qark) “Et inutilem servum e iicite in tenebras exteriores”
Mallkimi apokaliptik qe për mua, për mua!
Mos më përbuz Skënderbe!”
Pyetje: – Janë vërtetë mbresëlënëse dhe frymëzuese frazat e një përjetimi të tillë kaq të thellë. Ngjan sikur është gati e pamundur për të ngjitur sërish dhe lidhur fijet e këputura të kohrave dhe të fragmenteve të Historisë. Mund të kishim edhe dy histori paralele, që udhëtojnë krah njëra-tjetrës, ndonëse të ndryshme, të paidentifikueshme dot me të njejtën substancë. Por, ja që ju si shkrimtar keni mundur të arrini që të gjashtë subjektet të bashkohen me njëri-tjetrin për të sendndërtuar sinopsin e një romani të vërtetë. Kjo është mjeshtëria e të bërit dhe jo aftësia destruktive e të zhbërit. Është gati një sukses. Megjithatë ende mendoj, se si mund të arrihet mendërisht një gjë e tillë edhe për faktin që edhe të gjatë subjektet mund të botohen veç e veç, duke qenë të vetmjaftueshëm pa ditur asgjë për subjektet e tjera, pa qenë pjesë e bashkësisë së një romani të shkurtër, në formën e një sinopsi inteligjent. Pra, ajo që duket e pamundshme mund të hulumtohet dhe pastaj të strukturohet. Prandaj, kam gjithashtu të drejtë t’ju pyes: se si vallë arritët të unifikoni dhe të bëni një njësi të mëvetshme, gjëra të tjera, që ndoshta e refuzojnë fillimisht të lidhen me subjekte të ndryshme nga vetvetja.
Përgjigje: – Tërë bota paraqitet e fragmentuar, pjesë e një lëvizjeje, përplasen, rrotullohen, largohen, afrohen dhe megjithatë fragmentet janë sërish të dallueshme, ndonëse janë përherë të ndryshueshme.Nëse brenda vetë ligjeve të materies ekziston simetria, ajo gjithsesi, mund të kuptohet edhe në formën e asimetrisë. Sepse janë të pa shkëputura dhe elementë të së njëjtës sintezë. Koncepti filozofik i Logosit, i Heraklitit të Efesit, është edhe ftillëzim i Artit në procesin enigmatik të të shkruarit.
Logosi është i identifikueshëm me Fjalën, por e tejkalon në mënyrë sublime dhe të ndriçuar Fjalën.Të tërë subjektet lindin njeri tjetrin dhe janë shumëfishime të strukturave mendore të vetë Jetës dhe Vdekjes.Ky parashtrim, apo shpalosje nuk është thjeshtë një instrument linguistik, por substanca dinamike e përjetshme e Kujtesës.
Sepse atë që ne e quajmë Histori nuk është gjë tjetër veçse balsamim i ngjarjeve, një rikthim fantazmagorik i së Kaluarës , për të ushqyer me lëngje jetike të Tashmen, por edhe të Ardhmen.Sepse Historia në mënyrë të pamundur, nuk mund të jetë thjeshtë e Kaluar për shkak të eksluzivitetit kohor të të jetuarit të qenieve të gjalla më përditshmërinë e mbushur me semantikën përsëritëse të ngjarjeve, që kanë ndodhur dhe që nuk mund të humbasin me një Hiç të Infinitit.Kjo është arsyeja që i kam shkruar disa rrëfenja, fillimisht si fragmente, por që në vetëdijen time nuk kanë qenë gjë tjetër veçse një univers plotësues, ose tekste sinoptike, krejt të ngjashme, por që nuk përsërisin njëkohësisht detajet.
Pra, tejkalohet nocioni i subjektit të vetmuar, të këputur nga ligjësitë.Nëse është e nevojshme për të bërë një shpjegim, do të preferoja më tepër një argumentim. Të tre rrëfenjat e paraqitura në këtë libër, sado tema të mëvetëshme, apo subjekte të vërtitura në hovin në pështjellimin fantazmagorik i përkasin si kohë shekullit të XV.
Ky është shekulli i Skënderbeiadës.
Personazhet, gati të klonuar të rrëfenjave, përfaqësojnë furinë e papërmbajtur e një pushtimi ndaj tokave të Arbërisë,- një vend krejt i panjohur për pushtuesit aziatikë.
Kemi çastin e mbërritjes tek porta, tek brigjet e Arbërisë të ushtrive sulltanore.
Personazhet e rrëfenjave të mija në këtë lak kohor janë qenie njerëzore të cilët zbulojnë një Botë të Re. Saga e Zbulimit, ose e të gjitha Zbulimeve është arketipale.
Odiseu Homerik shtegton, lëviz mes rrezikut të deteve të dallgëzuar, pikërisht për të zbuluar, për të shikuar, atë nuk e kishte pare kurrë. Ai zbret në botën e Hadit.
Kurse Liza zbuloi një të Panjohur, më tepër fabulore, Botën e Çudirave.
Kurse ideja e pushtimit nuk ngjan fare me zbulimet e tilla të strukturuara në letërsi, sepse është përvoja e shkatërrimit drejt Vdekjes.
Duke lexuar një roman të shkurtër, të shkrimtarit kubanez Alejo Carpentier “Koncept Barok” m’u përtërinë ndjesitë, në kuptimin e lidhjes së fragmenteve, që nuk janë gjë tjetër veçse sinopsi i një romani, ose thënë në mënyrë më retorike Tri nuk janë gjë tjetër veçse Një.Romani i Carpentierit shtjellohet në mjedisin e qytetit të Venedikut në shekullin e XVIII. Në Venedik po zhvillohet Karnavali dhe të gjithë mbajnë maska. Një personazh, një njeri i pasur, meksikan ka ardhur në këtë Karnaval maskuar si Perandori i inkasve Montezuma.Atë e shoqëron shërbëtori i tij i ri negër.
Takojnë muzikantin Antonio Vivaldin, të njohur si “Kokëkuqi” për shkak të ngjyrës së flokëve të tij. Në këtë shoqëri bashkohet edhe një tjetër muzikant Skarlati, të gjithë bashkë shkojnë për të parë “Ospedale della Pieta”, manastirin e grave.
Tek ky manastir Vivaldi u vinte maska murgeshave dhe i kishte mësuar të ishin instrumentiste të veglave muzikore, për të interpretuar muzikën e tij.
Mjedisi i Venedikut është i gjithi një botë e shpërfytyruar, me maska tjetërsuese dhe të rreme.Por muzika është vërtet e jashtëzakonshme, madje magjike që bënte të krijohej sinteza e kohërave dhe tek një çast i vetëm dhe pikërisht në këtë mjedis bëhet një dialog i habitshëm, ku përmendet Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duket për një çast se heroi i Arbërisë përmendet rastësisht, por Kujtesa e shpikur për të mos qenë asnjëherë e rastësishme.
Emri i Skënderbeut përmendet ritualisht në bisedë dhe krijon atë përshtypje, që bën një pishtar i madh dhe i pashuar, i ardhur nga e Panjohura për të ndriçuar kubenë e një katedraleje, për të zbuluar kështu figurat e skenave të jashtëzakonshme, të afreskeve të shumëngjyrshme. Personazhi i maskuar si Perandori i inkasve Montezuma e kuptonte, se nuk mund ta posedonte identitetin e huazuar.Kurse emri i Skënderbeut , nuk kishte nevojë për asnjë maskë, madje as për ndonjë trupëzim.
Carpentieri operon me romanin e tij të shkurtër me domethëniet e fragmenteve, duke i bërë emrat e figurave të historisë të vezullojnë dhe të shndritin në mjegull.
Rituali marramendës i Karanavalit lëviz mbi kalldrëmet, në sheshin e Shën Markut, mbi urat dhe përzihen ngjarjet dhe ndërsa flitet me nderim, për Skënderbeun, personazhet e shekullit të XVIII besojnë për një takim krejt normal dhe të kuptueshëm të Vivaldit me muzikantin
Igor Stravinski të shekullit të XX, duke kapërcyer lehtësisht dhe mrekullisht paradoksin e dy shekujve, që ende nuk kishin ardhur në botë. Temat dhe notat muzikore janë në ajër dhe në frymën e njerëzve.Të gjithë përjetojnë ndijime dhe histori të ndryshme, por pa transcendencë. Njëkohësisht kujtohen dhe thëniet e kronikanëve osmanë, të apoteozës së botëpushtimit , që vërtiten mbi kokat e turmave të Karnavalit si “dije e errët”
Shkrimtari i shkëlqyer Alejo Carpentier ka stimuluar emrin e Skënderbeut, që unë ta lexoja shtjellimin e tij me stil barok dhe mbas leximit të kuptoja dhe të lidhja fijet e këputura të tri rrëfenjave, që ndërthuren me epokën e Skënderbeut,rrëfenja që përmendin vetëm kundërshtarët e tij.Pra prania e Skënderbeut është në mungesë. Por Skënderbeu ngrihet mbi çdo mungesë.
Të tri rrëfenjat e përbënin sinopsin e një romani, sepse nënkuptimi dhe nëntekstet përbejnë shpirtin e vërtetë të artit letrar.
Mendova disa herë i dyjëzuar,- nëse duhej t’i bashkoja tri rrëfenjat ,që unë i kisha shkruar në kohëra të ndryshme, por për të njëjtin shekull,- atë të Skënderbeut,- apo t’i lija veç e veç, pa i renditur njëra pas tjetrës në të njëjtin libër.
Por në fund e kuptova që përtej forcave të mija dhe fuqive mendore për t’i veçuar fragmentet, për arsye të një uniteti të tyre të brendshëm.
Dhe m’u kujtua parabola e një asketi të ditur dhe të vetmuar të Bizantit, në kohërat e hershme, ku diskutohej në Koncilet teologjike në Konstandinopojë, ideja zotëruese, metaforike (metafizike) dhe eterne e Trinitetit. Ky asket me flokët dhe mjekrën e thinjur deri në fund të këmbëve u paraqit, i ardhur nga shkretëtira me zhgunin e tij plot kokrriza rëre, duke mbajtur në dorën e tij të djathtë dhe të rreshkur një copë tjegull të thyer,-kështu, (si i dalë nga një Karnaval i Venedikut, pa maskë,po vetëm me tjegullën e rëndomtë dhe mitike ) u shfaq krejt i përrunjur , në një nga këto debate egërsisht blasfemike në Konstandinopojë dhe e vërtetoi , para syve të dinjitarëve perandorakë dhe peshkopëve, që kundërshtonin njeri tjetrin, se copa e thyer e tjegullës së tij, nuk ishte gjë tjetër, veçse sinteza e Baltës, Ujit dhe Zjarrit,- pa të cilat nuk mund të krijohej asnjë qeramikë.
Tjegulla qe Triniteti.
Kështu është në të vërtetë edhe sinopsi i një subjekti më konkret, që është një ngjizje e tri subjekteve të tjera, i Tri Rrëfenjave në Një.
A nuk kishte vepruar kështu edhe shkrimtari,- tashmë i vdekur,- Alejo Calpentier?
A nuk është kështu çdo përditshmëri e jona?
A nuk kemi në dorë si tjegullën e thyer të asketit, me emrin e harruar mes dunave dhe klepsidrave të thyer, të ditës së sotme, ku janë të ngjizura në mënyrë të trefishtë e Kaluara, e Tashmja, por dhe e Ardhmja?
