“Ishte një burrë i gjatë, i fortë e i pashëm”, më thoshte gjyshja, me sytë që i shndrisnin nga malli i pashuar. “Ditën që do të ikte e s’u kthye më, u ngjita në katin e tretë të kullës dhe me dy vajzat në krahë, e ndoqa me sy të përlotur deri sa silueta e tij nuk dukej më. Kur e përcolla atë ditë, qava më shumë se herët e tjera. Sikur ma ndillte zemra që s’do të kthehej”.
“Do të kthehem sapo ta shporrim pushtuesin e ta çlirojmë vatanin, mos u mërzit!”, i kishte thënë asaj. Ai mund të mos rreshtohej në çetë, sepse udhëzimi ishte që të mos dilte partizan ai që ishte i vetmi mashkull i shtëpisë. Por ai përpos këtij fakti, që në krijimin e saj iu bashkua Çetës Partizane së Dibrës me komandant Haxhi Lleshin.
Fushë Aliaj, 08.07.1944 në betejë midis partizanëve e gjermanëve, të cilët ndihmoheshin edhe nga forcat bandite të Halil Alisë, bie dëshmor djaloshi 27 vjeçar Ismail Caka. I kisha dëgjuar “bëmat” e Halil Alisë edhe kur punoja në Vlorë. Kolegët më tregonin se gjatë luftës, Halil Alia kishte bërë krime edhe në Labëri. Gratë e Tragjasit, e jo vetëm, më shumë kishin frikë nga banda e Halil Alisë, se sa nga pushtuesit e huaj. Ata vidhnin e përdhunonin, ua këpusnin grave vathët bashkë me veshin. Kur vinte Halili me bandën e tij, gra e fëmijë fshiheshin në male dhe braktisnin shtëpitë. Dëshmi të ngjashme solli dhe historiani Paskal Milo në emisionin “Opinion”, kur bëmave famëkeqe të Halil Alisë u shtoi dhe vrasjen e prefektit të Vlorës, të atyre viteve. Këto fakte më kujtonin Konicën që thoshte se “Armiku më i madh i shqiptarit është vetë shqiptari” e se shqiptarët i kanë bërë njëri-tjetrit shumë më të këqia se të huajt. Mu për këto “merita” Këshilli Bashkiak i Peshkopisë i ka dhënë Halil Alisë titullin qytetar nderi dhe ja ka vendosur bustin në qendër të qytetit. Një turp që duhet korrigjuar.
Gjyshja ime me dy vajzat, Zemrien dy vjeçe dhe Libaden katër muajshe, të pamundura për ta përballuar jetesën të vetme, e braktisin kullën trekatëshe në Vlashe dhe shkojnë për të jetuar tek i vëllai, Aqif Miftari në Çerenec. Më pas gjyshja u martua dhe e mori me vete vajzën e vogël Libaden, kurse ime më u rrit te daja i saj, derisa u martua me tim atë. Shtëpia mbeti bosh. Edhe babai i Ismailit, Imeri por edhe të parët e tij pijade (një mashkull) kishin qenë. Kulla trekatëshe e cila ndodhej në vendin më të mirë të fshatit, pranë kishës e xhamisë, u rrënua dita-ditës derisa u sheshua e tëra. Familja e kulla u shuan, por mbeti kënga:
“Kur hasmi na shkeli/ vatanin atë ditë/ Ismail Caka malit/ partizan çu ngjit/
Shkrepave me shokë/, vendit me i dalë zot/ se ju dhims kjo troje/ fort ju dhims kjo tokë/
Çfarë kanë malet sot?/ Drini sot çfarë ka?/ Tuj ba pushkë me hasmin,/ Ismail Caka ra/
E kujtojmë ne sot/ e jemi krenar/ ndaj kjo tokë shqiponjash/ është pëllëmbë e lapidarë.”
Kjo këngë, një arkë e drunjtë, një foto, emri i mirë i ‘bijës së dëshmorit’ dhe varri në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Peshkopisë, ishin gjithë çfarë i kish mbetur nënës sime nga babai i saj dëshmor. Arkën, ime më e ruante si një thesar e në të fuste gjërat që donte t’i ruante me kujdes. E kur i duhej ndonjë gjë, na thoshte: “Shko merre tek arka e babës tim”. Ishte një arkë prej druri, por nga cepat kishte pjesë metalike. Ndoshta kish qenë arkë municioni e lënë nga ushtria italiane pas dezertimit. Gjyshja më kishte treguar edhe mua se arkën e solli Ismaili nga lufta, luftë që asaj i mori fatin e parë. “Ah mor bir, s’ka si fati i parë”, më thoshte. “Fati i parë, lulja në ballë”.
Por më e trishtë gjendja ishte për vajzat e mbetura jetime. Edhe sot ime më jeton me këto fare pak copëza kujtimesh. Në një kënd të dhomës së gjumit i ka vënë në një kornizë foton e babait, një jetëshkrim të tij shkruar nga një bashkëluftëtar (Ferit Muha), çertifikatën e “Dëshmorit të Atdheut” lëshuar nga zëvendëskryeministri Ilir Meta, dhe flamurin e kuq mbi të cilin është qëndisur monumenti i Nënës Shqipëri. “Ah sikur ta kisha provuar si është ledhatimi dhe puthja e babait”, më tha një herë tek po përqafoja time bijë. Që nga ajo ditë përpiqesha të mos i përqafoja vajzat në sy të nënës.
Janë pikërisht këto vuajtje dhe sakrifica sublime të dëshmorëve që përligjin respektin e thellë për ta. Në këtë shtatëdhjetëvjetor le të jetë ky shkrim një homazh e nderim për tim gjysh dhe për gjithë të rënët për lirinë e këtij kombi. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!
* Autori është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës

Bravo Ladi, ke cuar me tej emrin e mire te familjes tende patriotike, lavdi u qofte heronjeve te vertete te popullit tone. R.M