Tridhjetë vjet më parë: Kur kërkohej pluralizmi politik

Ornela

Nga Hamdi Jupe

Më kërkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur me temë: “Debati si shprehje e demokracisë.” Nëntori i vitit 1990. Po përpiqesha të kuptoja  përse po thirreshin intelektualët, kur mendimet e tyre për zhvillimet njiheshin. I kishin shprehur ato në takimin me Ramiz Alinë tre muaj më parë si dhe ne gazetat “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në radion “Zëri i Amerikës” etj. Gazeta e partisë “Zëri i Popullit” ku punoja, po braktisej nga intelektualët dhe lexuesit. Kjo kishte filluar pas 2 korrikut dhe shkarkimit të kryeredaktorit Hajati. Në këto rrethana, kjo bisedë në redaksi dukej si përpjekje e sforcuar për të rifituar “pozicionet e humbura”.

Në listën e intelektualëve të ftuar ishin emra të njohur: Profesor Alfred Uçi, kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve; Dr. Petrit Skënderi, drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore; Profesor Luan Omari, jurist konstitucionalist i njohur; Dr. Servet Pëllumbi, profesor i  filozofisë në Universitet;  Profesor Doktor Sali Berisha, mjek i njohur kardiolog; Fatos Nano ekonomist,  bashkëpunëtor shkencor. Tre prej tyre: Omari, Berisha dhe Nano kishin qenë në takimin e intelektualëve me Alinë.

“Kurrë pluralizëm partiak në Shqipëri”  

Tre muaj më parë, më 10 gusht (1990) Alia organizoi një takim me  intelektualë “të zgjedhur”, kryesisht shkrimtarë dhe artistë, por edhe nga fusha të tjera. Nuk ishte i ftuar Ministri i Arsimit dhe as kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve që mbulonin sektorët. Tema e takimit nuk dihej dhe shumica e të ftuarve ishin thirrur nga plazhet ende pa mbaruar pushimet.

Udhëheqësi përpiqet të tregohet “i hapur”. Përshëndetet me të gjithë, pastaj i drejtohet shkrimtarit Ismail Kadare: “Ku je ti Ismail, përse në rreshtin e tretë (të karrigeve). Hajde këtu pranë”. Duket, ka diçka të veçantë për t’i thënë. “Hë pra, do ta filloni ju apo ta filloj unë? (Ata nuk dinë se për çfarë të fillojnë). Mirë pra, po e filloj vetë”. Fjalimi i tij është i gjatë, rreth dyzetë minuta, për ndryshimet që kanë ndodhur në vendet e lindjes komuniste ku, siç thotë, “pushtetin e kanë marrë në duar klasat e përmbysura”. “Direktiva” është e qartë: qëndroni edhe ju në këtë linjë në diskutime.

Flasin emra që nuk përfaqësojnë gjë të madhe dhe deklarojnë atë që kërkon udhëheqësi: “Duam  pluralizëm mendimi, por jo pluralizëm politik.” Por “njëshi” nuk është i kënaqur. Ideja kryesore e fjalimit që sapo ka mbajtur: nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në Shqipëri, sepse ajo është “rast i veçantë” pra, “as lindje as perëndim.” “Ramiz Alia nuk kish dalë para grupit të intelektualëve në rolin e dëgjuesit, por të kreut të Partisë e të Shtetit, që jep direktiva se çfarë lejon Partia dhe çfarë nuk e lejon”. (Alfred Uçi, gazeta “Dita”). Ai kërkon të flasin “të mëdhenjtë” në mbështetje të tij: “Jo, dëgjo Ismail, e kuptoj, por këtu e kam hallin, që ndoshta duhet të nxjerrim një konkluzion edhe neve: që të tërë duhet të jemi më aktivë, mendoj unë…”

Shkrimtari mundohet të rihapë çështjen e pluralizmit partiak. “Lidhur me pluralizmin që shtruam këtu, që unë nuk e kam shumë të qartë, të them të drejtën, nga ana juridike, as statusin e pluralizmit d.m.th….” Alia ndërhyn: “Shiko, “pluralizëm”, “status”, e di që ç’ke me të ti se ç’domethënë, posi. S’e ditke ti! Të ma thotë ndonjë që s’e di, mirë. Si s’e di? E di, e di ti…”. Kadare vazhdon të bëjë të “paditurin”: “Ose më mirë: ç’kuptohet me këtë fjalë tek ne…?”

Tensioni është ulur këmbëkryq midis të dyve, edhe pse të tjerët nuk e dinë shkakun: Kadare i ka dërguar një letër Alisë tre muaj më parë (3 maj ‘90) ku ngrinte probleme të mprehta të situatës, sidomos dhunën e përdorur nga policia ndaj protestuesve në Shkodër dhe Kavajë. Ai kërkonte që vendi të futej në rrugën e demokratizimit. Për letrën ka marrë një përgjigje ironike, prandaj tani nuk ka shumë besim te udhëheqësi. “Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët “e zymtë”, po për shpërthimin inatçor ndaj atyre forcave që ti i quan “konservatore”… Në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë, nuk ndesha asnjëherë në fjalën “Parti”” (Alia, përgjigje për Kadarenë, 21 maj). Kuptohet qartë pezmi i politikanit ndaj shkrimtarit dhe anasjelltas.

Alia merr përsipër të shpjegojë çfarë është pluralizmi politik: “Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë të ketë edhe një parti tjetër, social – demokrate, republikane, një parti liberale, një parti e gjelbër. Ja, kjo është. Ja këto janë…”. Kadare ndërhyn sërish: “Kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike për këtë problem…”.

Alia bën deklaratën e qëllimit të takimit: “Shiko, ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Që ta përmbledh këtë muhabet. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë kurrë pluri – partizmin. …  Kjo do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit.”

 

Berisha provokon  me gazetën e partisë

Doktor Sali Berisha ndërhyn: “Unë, në radhë të parë, i përmbahem një shprehjeje: “Never say never!” Kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam i bindur se në stadin aktual, ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak – H.J). Jam për pluralizmin e mendimit”. Ai pra, tregohet i “kujdesshëm”: edhe “kurrë mos thuaj kurrë”, edhe “ky popull nuk është i përgatitur”. Por ai hedh në sallë një “popël” të padëgjuar: “Zëri i Popullit” të jetë organ i partisë, jo i Komitetit Qendror”, siç ka qenë për 48 vjet. Kjo është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Paskërka një hendek të madh midis partisë, nga njëra anë dhe udhëheqjes, nga ana tjetër. Ideja kundërshtohet nga Alia. Ai nuk mund të pranojë ekzistencën e konfliktit parti – udhëheqje dhe të lejojë gazetën t’i ikë nga duart.

Në takimin prej tre orë e gjysmë nuk pati të kënaqur, por në pamje të parë, as të pakënaqur, megjithëse fjala “pluri – partizëm” u lakua në të gjitha rasat. Alia kërkonte një miratim sado formal të mendimit kundër pluralizmit dhe, në pamje të parë, ia arriti. Në gazetën e partisë njoftimi për takimin botohet sipas ATSH – së, pa u përmendur fare thelbi i tij: përpjekja e sforcuar për t’i vënë fre pluri- partizmit. Megjithatë, djalli kishte dalë nga shishja dhe vërtitej tani nëpër Tiranë në formën e diskutimeve për këtë çështje.

Këshilltarët e Alisë botuan një përmbledhje “të redaktuar” të diskutimeve, por shpejt ajo u zhduk nga qarkullimi. Më mirë të mos ekzistojë fare. Takimi nuk ka shkuar ashtu siç pritej për udhëheqjen. Kjo është përshtypja e përgjithshme. Alia nuk e mori atë që priste. Në vend që të vinte vetulla, kishte nxjerrë sytë. E kishte zgjuar shejtanin nga gjumi. Në një përpjekje të dëshpëruar për të rivënë në vend “nderin e humbur”, tri ditë më vonë organizoi një takim me intelektualët e ekonomisë, ku u fol për “pluralizmin” e preshit dhe të kastravecëve.

Ikja e Kadaresë

Më 24 tetor “Zëri i Amerikës” tha lajmin se shkrimtari Ismail Kadare ka kërkuar strehim politik në Francë. Vetë Kadare deklaron në valët e saj se ka ikur nga atdheu, sepse nuk është dakord me politikat e udhëheqjes komuniste dhe se do të rikthehet, sapo vendi të hyjë në rrugën e demokracisë. Zi në redaksinë e gazetës. Çfarë duhet të ndodhte tjetër për ta quajtur situatën katastrofë? Kanë kaluar vetëm dy muaj nga përplasja e shkrimtarit me Alinë në takimin me intelektualët.

Udhëheqjes së shokuar komuniste i duhen dyzetë e tetë orë kohë për të formuluar tre rreshta lajm për opinionin e brendshëm, të cilin e shpërndan me anë të ATSH – së. Titulli: “Ismail Kadare dezertoi”. Lajmi, i botuar në fundin e faqes së parë të gazetës: “Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji në Francë, kërkoi pardje strehim politik atje. Me këtë akt të shëmtuar që fyen rëndë ndërgjegjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të popullit shqiptar.”

Është lajmi më i shkurtër dhe më i trishtë i botuar në dyzetë e tetë vjet të jetës të gazetës. Në të Kadare ka  filluar punë para tridhjetë vjetësh, pas kthimit nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Ai  ishte jo vetëm shkrimtar i njohur botërisht, por edhe deputet dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Goditja ndaj regjimit pra, është “brinjë më brinjë”, prandaj edhe gjuha e përdorur në njoftimin zyrtar është nervoze dhe e ulët.

Nuk ka shenja se do të ndalohet vepra letrare e “dezertorit” dhe “shërbëtorit të armiqve” Kadare. “Gjenerali” i letërsisë botërore do të vazhdojë të lexohet e të studiohet edhe më tej. Regjimit i kanë renë brekët në fund të këmbëve. Cari e kishte frikë Tolstoin, ndërsa Tolstoi nuk e kishte frikë Carin. Më vonë autori do të deklaronte: “Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova, se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej një Gorbaçov shqiptar.” (“Shqiptarja.com”, 7.07.2019)

Gjinushi: “Të lejohet pluralizmi partiak”

Kuvendi Popullor zhvilloi punimet në sesionin e vjeshtës më 13 dhe 14 nëntor. Në rend të ditës: Ndryshimet Kushtetuese në rrethanat e reja. Deputetët Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti, përkatësisht Ministër i Arsimit dhe Ministër i Ndërtimit, kërkojnë lejimin e pluralizmit politik. Thuhet se ka edhe deputetë, ministra dhe intelektualë të tjerë që i mbështesin. Përmenden emra: Profesor Xhevat Lloshi, Profesor Sabit Brokaj, Profesor Farudin Hoxha, Profesor Ahmet Kamberi, Profesor Ismail Lleshi, profesor Robert Koli, Profesor Doktor Gramoz Pashko etj. Të gjithë këta ishin komunistë. Regjimi kishte përgatitur “varrmihësit” e vet. Kjo ndodhte vetëm tre muaj pas takimit të Alisë me intelektualët, ku u theksua se nuk do ketë kurrë pluralizëm politik. Disidenca politike ishte ende e ngujuar në qelitë e burgjeve të Spaçit dhe Burrelit.

Diskutimet e deputetëve erdhën me buletinin e ATSH-së të plota në gazetë. Sektori i Brendshëm (çfarë emri!) merret me redaktimin e tyre. Nuk kanë gjë interesante për t’i botuar, thjesht “për të pasqyruar” punimet e Kuvendit. Në këtë kuadër të redaktimeve, “redaktohet” edhe diskutimi i ministrit Gjinushi: hiqet  fraza ku kërkohet pluralizmi politik dhe vendoset diskutimi në fund të faqes tre, pa asnjë përkujdesje në paraqitje: “Ja, ta botuam edhe ty diskutimin!”

Por ato janë dëgjuar nga dyqind e pesëdhjetë deputetë dhe dhjetëra punonjës të administratës së Kuvendit, kështu që fjala merr dhenë: është kërkuar pluralizmit politik. Është rasti i parë që një kërkesë e tillë bëhet zyrtarisht nga foltorja e Kuvendit, nga dy ministra të qeverisë komuniste, në prani të udhëheqjes së lartë. Duket se në kupolën e kuqe ka ndodhur një krisje e madhe, ku një pjesë e saj, kryesisht të rinj, janë kundër pjesës tjetër për çështjen e pluralizmit politik. Është  çarë “rrjeta” dhe peshqit e pabindur po dalin prej saj.

“Rrypat e transmisionit” në vend të pluralizmit   

Po afronin zgjedhjet e reja për Kuvendin dhe udhëheqja komuniste hodhi në lojë “kartën e fundit” për të penguar pluralizmin politik. Kjo do të realizohej duke u futur në zgjedhje me kandidatë “alternativë”, krahas Partisë së Punës, edhe subjekte të tjera. Kjo sanksionohej në Projekt – Ligjin e ri të zgjedhjeve të botuar në gazetë. Neni 23:

“Kanë të drejtë të paraqesin kandidatë për deputetë në Kuvendin Popullor organizatat politike e shoqërore: Partia e Punës së Shqipërisë, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve si dhe çdo organizatë dhe shoqatë tjetër e njohur me ligj”. Nuk kanë të drejtë të paraqesin kandidatë vetëm Shoqata e Gjuetarëve dhe Organizata e Pionierëve të Enverit, sepse këta të fundit janë nën moshën 18 vjeç!

Ideja e re e “pluralizmit” dukej joshëse vetëm për naivët. Të gjitha këto “subjekte zgjedhore” mbeteshin në vartësi të Partisë komuniste, si “rrypa transmisioni” të saj me masat, siç deklarohej me bujë dhe, si të tilla, ishin vetëm dekor për të ashtuquajturin “pluralizëm alla shqiptar”. Ajo u mbajt gjallë deri sa doli në dritë opozita politike.

 

Të ftuarit në redaksi

Në ftesën për intelektualët jepej data dhe tema e bisedës, si dhe lista e të ftuarve, për t’u dhënë të kuptonin se me kë do të ishin në tryezë. A do të vinin apo jo? Që të vinin, ata duhet të flisnin atë që mendonin dhe dihej se çfarë mendonin ata, ndërkohë që njihej qëndrimi i udhëheqjes dhe i gazetës ndaj zhvillimeve. Me ftesat në duar shkova në të gjitha institucionet, ku punonin për t’ua dorëzuar në dorë.

Në spitalin 1, kati i dytë, te dhoma e kardiologut, takova doktor Sali Berishën, i veshur me bluzën e bardhë të mjekut.  E kisha parë dikur në Peshkopi, kur vinte me grupet e mjekëve nga Tirana për ndihmë për disa ditë atje. Nga të gjithë  të ftuarit, ky dukej si më “problematiku” me mendimet e tij nëpër artikuj dhe intervista. Doktori e lexoi ftesën në këmbë, pa atje të ftuarit e tjerë, falenderoi dhe tha: “Do vij patjetër.” Ky ishte një reagim më shumë se i mirë, sepse prisja refuzimin e tij me justifikime të ndryshme.

Të dytit ia çova ftesën Fatos Nanos. Para pak muajsh, në një takim në sallën e katit të tretë të Pallatit të Kulturës, kishte folur për atë që quhej “mekanizmi i ri ekonomik”, një variant i vonuar  i vetadministrimit jugosllav të ndërmarrjeve, që synonte t’u jepte pavarësi relative atyre, si shpresë e fundit për t’i nxjerrë nga kolapsi. Ai foli afro një gjysmë ore rreth temës, po nuk kuptova asgjë nga  ato që tha. Dukej sikur fliste që të mos merrte vesh njeri për ato që thoshte, sikur nuk i besonte as vetë ato, vetëm se ishte i detyruar nga “lart” të  vinte atje. I konsideruar nga disa si “ylli në ngjitje” i politikës shqiptare, Nano e pranoi ftesën pa hezitim.

Problematike ishte dorëzimi i ftesës kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Profesor Uçit. Për faj tim apo të drejtuesve të gazetës, isha vënë në pozicion të vështirë me të, sepse e kisha tepruar disi me shkrime kritike ndaj institucioneve të kulturës dhe artit dhe vetë Komitetit. Atë sektor mbuloja, por nuk mungonin edhe nxitjet e herëpashershme  të shefave që më thoshin: “Bjeri Komitetit të Kulturës!” Ndoshta kishin  “llogari” të tjera me të dhe prandaj përdornin gazetën për ta goditur. Protestat e artistëve të Kinostudios me rastin e 2 korrikut, kishin tensionuar marrëdhëniet midis udhëheqjes komuniste dhe kreut të Komitetit të Kulturës. Uçi tani përflitej si njeri me “njollë” në biografi për ato ngjarje. Për fat të mirë, ai nuk ndodhej në zyrë dhe ftesën ia lashë sekretares së tij.

Pëllumbi refuzon gazetën e partisë  

Si sallë për takimin kishim lënë sallën e Hotelit “Arbëria” në krah të gazetës, (sot Ministria e Drejtësisë). Mendoja se  për nivelin e të ftuarve,  takimi mund të zhvillohej në zyrën e kryeredaktorit, e vetmja zyrë për të qenë në gazetë, sepse ata ishin personalitete të njohura, por kjo nuk ndodhi. Po afronte ora dhe po prisja te porta e gazetës, gati duke u dridhur nga frika se mos nuk vinin.  Por ja tek u duk i pari, duke ecur ngadalë, Profesor Servet Pëllumbi. Ai pra, i ishte përgjigjur ftesës. Ç’gëzim i madh! Ky është njeri për së mbari. Ai kishte botuar disa artikuj interesantë në shtypin e kohës. Por, jo, isha gabuar. Pas përshëndetjes, profesori i hodhi ujë të ftohtë gëzimit tim.

–          Erdha për të qenë korrekt me ju. Të më falni, por nuk mund të vij në bisedën në redaksi, sepse kam mësim në universitet. Dua të më kuptoni, kam humbur shumë orë mësimi, prandaj nuk vij dot.

I gjithë gëzimi i çastit u kthye në hidhërim. Pra, nuk do të vinin intelektualët. Ky ishte i pari dhe nuk e kisha menduar kurrë refuzimin prej tij. Të ndonjë tjetri, po. “Arsyetimi” se kishte mësim e kuptoja që ishte thjesht një alibi. Përse nuk po vinte profesori? Kishte frikë të fliste, se mendonte që gazeta nuk do t’i botonte fjalët e tij, apo nuk i pëlqenin të ftuarin e tjerë në tryezë? Nuk mund ta pyesja për këtë. E vërteta u mësua më vonë.

Më 15 shtator Pëllumbi kishte botuar një artikull gati një faqe në gazetën  e partisë me titull: “Thellimi i demokratizimit –  domosdoshmëri për zhvillimin tonë”. Jehona pozitive e shkrimit e kishte “ngrohur” profesorin dhe e kishte bërë të ngrinte “stekën” e kërkesave të tij ndaj udhëheqjes. Në fillim të nëntorit i kishte dërguar një letër Alisë ku, pas analizës së situatës në Shqipëri e në botë, theksonte nevojën e ndryshimeve demokratike. “Vëzhgimi i kujdesshëm i proceseve të sotme … tregon se shoqëria jonë objektivisht po shkon drejt nevojës së pranimit të pluralizmit politik, përfshi edhe atë partiak”… (Pëllumbi: “Dritëhije të tranzicionit”, faqe 13)

“Vëzhgimet” e profesorit e kishin e sëkëlldisur shumë udhëheqësin i cili, në një takim në Presidencë, ia kishte dorëzuar letrën e Pëllumbit ministrit të Brendshëm Isai me fjalët: “Ja, shikoni kush do të na e mësojë pluralizmi tani.” (Pëllumbi: Po aty). Duket se kjo ishte arsyeja e vërtetë që ai refuzoi gazetën, me pretekstin e “orëve të mësimit”.

Nuk i dija këto, prandaj mbeta i shtangur në trotuar, ndërkohë që koka e thinjur e profesorit po zhdukej mes turmës së kalimtarëve në Bulevardin “Stalin”. Një fillim i prapë ky për bisedën. Prit tani kur të vijnë edhe të tjerët e të thonë: “Nuk vij dot, se më doli një punë.” Ose thjesht, të mos vinin, se s’kishe çfarë t’u bëje. Dhe kështu, dështim i plotë, bisedën  po e merrte lumi. Por, jo, nga gjashtë të ftuar, pesë të tjerët iu përgjigjën ftesës.

“Fajin e ka magnetofoni”

A do të vinte dikush nga drejtuesit e gazetës t’i takonte intelektualët?  Erdhi vetëm shefi i sektorit, as kryeredaktori, as zëvendësi nuk u dukën. Kjo tregonte se ftesa për intelektualët nuk ishte fort e sinqertë. Kryeredaktori kishte pak kohë që ishte bërë kandidat i Byrosë Politike dhe ndoshta prandaj kishte filluar t’i shikonte të tjerët “nga lart”. Kisha marrë me vete një shishe raki rrushi nga shtëpia, sepse lokali nuk dihej nëse kishte gjë për qerasje. Kamerieri solli gotat. Askush nuk hodhi pikë në to. Dukej sikur ishim mbledhur për vaki.

Nuk kisha magnetofon për të regjistruar bisedën, sepse nuk kishte të tillë në gjendje pune në gazetë. Në treg, jo e jo.  E mori fjalën Profesor Alfred Uçi, shumë i nervozuar. Ndoshta ngaqë drejtuesit  kryesorë të gazetës nuk kishin begenisur të dilnin e ta takonin kryetarin e Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Ndoshta, nga disa artikuj kritikë që ishin botuar në gazetë për institucionet e artit. Ndoshta për arsye të tjera të marrëdhënieve të tij me udhëheqjen. Ai m’u drejtua me fjalë të ashpra:

–          Ç’është kjo bisedë në redaksi në saletin e hotelit? A nuk u gjet dot një zyrë në gazetë për t’u futur ne të ftuarit? Përse na ftoni këtu, kur nuk keni krijuar kushte? Kjo nuk është aspak serioze, kjo është për t’u tallur me intelektualët. Por unë nuk mund të lejoj që ju të talleni me mua, a më kuptoni, nuk lejoj? Ja, ti si gazetar nuk ke magnetofon për të regjistruar fjalët e mia. Si do flas unë këtu, ashtu, kuturu do flas? Jo, jo jo, kjo nuk mund të ndodhë, nuk mund të ndodhë. –  Dhe vazhdoi disa çaste kështu profesori.

Nuk kisha çfarë të thosha. Ai po më drejtohej mua, por kuptohej që e kishte inatin gjetkë. Isha “kali i kapur që shin lëmin”. Nuk ishte shkak mungesa e magnetofonit. Fjalët e ashpra të tij e kishin burimin te pakënaqësia ndaj drejtuesve të gazetës dhe ndoshta, edhe më tej.

U krijua një situatë e nderë. Edhe të pranishmit e tjerë miratonin me kokë në heshtje parafolësin: “Ka të drejtë profesori, nuk bëhen kështu këto punë!” Në këto çaste, kur bisedën po e merrte lumi për faj të “magnetofonit”, e mori fjalën doktor Berisha.

–          Me leje! Unë mendoj se nuk është fajtor gazetari për këtë situatë të gazetës, prandaj të mos ia lemë atij përgjegjësinë. Ne të gjithë e dimë gjendjen e saj, nuk ka magnetofon edhe nuk ka. Kjo është gjendja në gazetën e partisë. Ja, unë për vete, duke e ditur këtë, kam ardhur i përgatitur me shkrim, sipas ftesës që na është bërë. Këto që kam shkruar në letër, do t’i lexoj këtu dhe pastaj do t’ia dorëzoj gazetarit. Prandaj mendoj ta zhvillojmë bisedën.

Dukej se Berisha ishte më i interesuari për zhvillimin e saj. Kjo ndërhyrje e tij sikur i bindi edhe të tjerët: kemi ardhur që kemi ardhur, t’i themi ato që kemi për të thënë dhe të ikim. Filloi biseda dhe mbaja shënim fjalët e secilit prej tyre. Tensioni i krijuar nga fillimi takimit, bëri të përqendrohesha maksimalisht dhe të shënoja gati fjalë për fjalë ato që thoshin. Me  diskutimin me shkrim dore në rreth dy faqe e gjysmë në format A5, Berisha  i lexoi ato dhe m’i dorëzoi. Fatos Nano kishte përgatitur diçka në disa skeda, por nuk dorëzoi gjë. Të tjerët folën çfarë u erdhi në mendje.

Daktilografistja e gazetës ishte përpjekur të shtypte diskutimin me shkrim të Berishës, por shumë fjalë në të ishin të palexueshme. Shkrimi i tij ishte i tmerrshëm. Me shumë përpjekje munda të lexoj disa nga fjalët, ndërsa për të tjerat  lamë vendet bosh në faqe t’i plotësonte autori.

I gjithë debati i shtypur doli 12 faqe. Kryeredaktori tha se materiali do të botohej vetëm katër kolona në gazetë, që do të thoshte vetëm gjashtë faqe daktilografike. Pra duhet të hiqej gati gjysma e tij. Ku t’i çoja unë gjashtë faqe  të tjera të diskutimeve të intelektualëve?! Hall mundimi, por çfarë t’u thosha autorëve? Paska patur të drejtë Servet Pëllumbi që nuk kishte ardhur. Dukej sikur kjo bisedë në redaksi po u digjte duart drejtuesve të gazetës: “Ç’na u desh që i ftuam këta!” Me materialin e fotokopjuar shkova edhe një herë tek të gjithë, duke iu lutur ta shkurtonin. Nuk kundërshtoi askush. E kuptonin që nuk bënin punë kundërshtimet.

“Të lejohen organizatat e pavarura politike”

Një natë para botimit, doktor Berisha erdhi vetë në redaksi. Me dy kolegë gazetarë dëgjonim në korridor bisedën e nxehtë të tij me kryeredaktorin nga dera e hapur e zyrës:

–          Shoku Spiro, ju lutem shumë, atë fjali nuk mund të ma ndryshoni. Jo, jo, ju lutem, aty është i gjithë thelbi i diskutimit tim. Po hoqe atë, atëherë është e kotë e gjithë pjesa tjetër. Është e kotë.

–          Shiko doktor. Po sikur ta bëjmë kështu fjalinë? Ja, tingëllon më bukur kështu, dëgjomë mua, nuk ka ndryshuar asgjë nga kuptimi i saj.

–          Jo, jo, jo, nuk pranoj, nuk pranoj, në asnjë mënyrë. Më mirë e tërheq fjalën time fare. Shiko, nuk më ngelet hatri, po e hoqe të gjithën. Por jo, po e botove, atë fjali nuk mund ta ndryshosh, nuk mundet.

Vazhdoi kështu debati mes tyre një copë herë. Cila ishte fjalia që ngulte këmbë Berisha? “Duhet të lejohen organizatat e pavarura politike.” Me këtë fjali ndoshta ai kishte dashur të korrigjonte gabimin që kishte bërë në takimin me intelektualët tre muaj më parë, kur kishte thënë; “…ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak). Tani kishte ardhur koha për frazën tjetër: “kurrë mos thuaj “kurrë!”. Nëntori i festave të mëdha kombëtare po shfaqej përsëri si djepi i ngjarjeve historike.

Kishte kaluar ora nëntë e mbrëmjes, kur kryeredaktori tha se duhet të dilte se “kam një punë” dhe iku me çantën nën sqetull. Ku mund të shkonte në këtë orë, kur duhet të mbyllte gazetën kandidati i Byrosë Politike? Pas tij doli edhe Berisha. “Sa i bezdisur ky njeri! Kërkon që t’i shkojë patjetër e tija” tha njeri nga kolegët.

Të nesërmen, e diel 18 nëntor, materiali ishte botuar në katër kolona të faqes tre. Pashë a ishte aty diskutimi i Berishës dhe mora frymë i lehtësuar.  Biseda ishte botuar pa emrin tim që e kisha përgatitur. U mërzita pa masë. Të punosh dy javë rresht mes tensioneve e lodhjes dhe në fund, të përfundosh në një anonim!

Ngjarjet lëviznin me shpejtësi. Studentët ishin ende “ngrohtë” në qytezën e tyre. Duhet të kalonin edhe njëzetë ditë të tjera që ata të ngriheshin dhe të kërkonin “dritë”. Alia do t’ua jepte atë menjëherë. Fantazma e pluralizmit politik kishte kohë që vërtitej në këtë vend me kërkesat e përsëritura të intelektualëve dhe nuk mund të pengohej më. Pritej vetëm  thirrja e studentëve, e cila nuk mund të censurohej nga gazetat.

Rikthim  te “vendi i krimit”

Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2007, Berisha ishte kryeministër, ndërsa vetë isha rikthyer për pak kohë në gazetë. Një ditë përpara saj u shfaq një punonjëse e Drejtorisë së Shtypit në Kryeministri, që kishte punuar më parë gazetare e Televizionit “Klan”.

–          Vij nga Kryeministria – tha – Më ka dërguar Doktor Berisha tek ju, të më ndihmoni të gjej një intervistë të tij të botuar në “Zëri…” në fund të vitit 1990. Ai ka në plan të botojë një libër për atë kohë, prandaj i duhet ajo intervistë.

–          Berisha nuk ka botuar intervistë te “Zëri ….” në fund të vitit 1990 – i thashë.

–          Si nuk ka botuar?!  – tha e habitur. – Mua kështu më thanë.

–          Nuk ka qenë intervistë, por një bisedë në redaksi me intelektualë të tjerë. Nëse e ke fjalën për atë, shkojmë në gazetë dhe e kërkojmë.

Berisha po rikthehej kështu te “vendi i krimit” që kishte kryer tetëmbëdhjetë vjet  më parë. I kisha një “borxh” të vjetër: një muaj pasi erdhi Partia Demokratike në pushtet dhe ai u bë President i Republikës, më hoqën gruan nga puna, në bazë të Nenit famëkeq 24/1 të Kodit të Punës. I shkrova letër, më thirri në zyrë dhe dha urdhër që ajo të rikthehej menjëherë atje ku ishte.

Në redaksi ishte  i ruajtur koleksioni i gazetës qysh nga krijimi i saj para gjashtëdhjetë e pesë vitesh. Nuk e di nëse zoti Berisha e ka shkruar tanimë librin e tij për atë kohë.

(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)

 

Share This Article
7 Comments
  • Nuk besoj se ka rrace me te poshter ne planet se

    Zeripopulista si Hamdi Jupe .
    .si sekretare partie si Berisha
    apo njerez te “ditur” si Arben Puto qe nga sume lepires te Enverit u bene Bulldoge te Elez Biberit..
    Habitem me shqipfolesit e sotem qe nuk kuptojne se ngjarjet ne Shqiperi duhet te gjykohen para apo pas 25 dhjetorit 1989…Dita e Krishtit kur u pushkatua Caushesku (idiot) ne menyre kriminale nga sherbime sekrete..
    Qe nga ajo date Ramiz Alia uli breket….dhe pastaj erdhi nga Beogradi Rajersonoviqi dhe nga Titogradi Biberiviqi qe vuri zotin berisha te hamdiut n ekry te venit dhendrin e sllobodankes
    Per lexuesit e Dites shikoni nje nga korifenjte e intelektualeve qe zgerlaqej para Elezit si dhe ismali Kadavra

    >>
    ……Duke shfletuar librat me kujtime të Prof. Arben Putos, “Jetë me kujtime” dhe “Sfidat e të drejtave të njeriut për një shoqëri të lirë”, të botuara ditët e fundit, tërhoq vëmendjen një letër që Profesori i ka dërguar më 27 gusht 1990 Elez Biberajt, ish-shefit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe në atë kohë.

    Në Tiranë kishte ndodhur eksodi i ambasadave më 2 korrik, ishte bërë një takim i Ramiz Alisë me intelektualët më të shquar të vendit dhe dukej se kish filluar era e ndryshimeve të mëdha. Por sa reale ishin ato?

    Profesor Puto ndihet skeptik në këto gjoja ndryshime që po ndodhnin dhe kërkon përshpejtim të reformave….e kuptoni ? do Putua tja shpejtoi Elezi Sales

    Ai kritikon zgjedhjen e Xhelil Gjonit si numri dy në parti dhe në shtet, ndërsa jep dhe një gjykim të tijin për Ismail Kadarenë… Në vjim po botojmë letrën e plotë të Prof. Putos.

    Letër për z. Elez Biberaj

    Voice of America

    Albanian Service

    Uashington D.C. USA

    I nderuari Z. Elez Biberaj,

    Vendosa t’ju shkruaj juve, sepse, midis mjaft gjërave që na kanë ndarë, ka diçka që shpresoj na bashkon. Është fati i kombit, e ardhmja e Shqipërisë. Por siç e shihni, po jua dërgoj këtë letër me rruge……
    vijon diarreja

    Këtë letër po jua dërgoj juve në rrugë personale e konfidenciale. Ju lutem që ajo të mbetet midis nesh; unë nuk e quaj situatën të tillë që të më lejojë të dal hapur në këtë moment. Unë shpresoj se me ndihmën tuaj, me një vëmendje më të madhe nga ana juaj, jo vetëm unë, por edhe mjaft intelektualë të tjerë do të mund të “zbrisnin në arenë”. Megjithatë, besoj se ju mund të nxirrni nga kjo letër mjaft tema e argumente për komente mbi gjendjen e këtushme. Atëherë unë do të kuptoj se materiali ju ka shërbyer. Do t’ju sugjeroja t’iu referoheni “letrave nga Shqipëria”.
    Kërkoj ndjesë që një letër kaq të gjatë nuk pata mundësi t’jua dërgoj të daktilografuar, por shpresoj se leximi nuk do t’ju mundojë shumë.

    Ju dërgoj përshëndetjet e mia dhe mbetem me shpresën se do të takohemi një ditë. dhe do të bisedojmë…

    Arben Puto

    27 gusht 1990

    P.S. Në qoftë se do ta quani të mundshëm një takim apo edhe një bisedë telefonike kur të jem në Paris, po ju shkruaj adresën, mund të informoheni pranë “Institut Charles de Gaulle”, 5 Rue de Solférino, 75007 Paris, tel. 45.55.12.60, telex: ICG. CENT 270 823. Pyesni paraprakisht në kanë ardhur apo jo përfaqësuesit nga Shqipëria.
    ……………….

    NQS DO DREJTOJA NJE GJYQ PER SHKATERRIMIN ME THEMEL TE SHQIPERISE DENIMIN ME TE MADH DO JA JEPJA SERBISHTFOLESIT ELEZ BIBERAJ QE :

    KURRE NUK KRITIKOI BERISHEN
    KURRE NUK FOLI PER PAJTIM KOMBETAR
    KURRE NUK FOLI PER INEVESTIME…POR VETEM USHQEHEJ SI HIJENE ME KUFOMEN E KOMUNIZMIT.

    EDHE KETO LETRA SEKRETE QE KANE 22 VJET QE JANE BOTUAR JANE SI NJE TERROR MEDIATIK PER TE NA TREMBUR ME ENVERIN…PER TE SHPETUAR ZAGARIN E TIJ

    SALISERBIN

    SI E PRUNE SERBET DHE LOBI SERB I AMERIKES SERBERISHEN NE PUSHTET
    Ish-badiguardi i Sali Berishës gjatë presidencës së tij në 1992-1997, Izet Haxhia, ka filluar të flasë duke shpjeguar shumë zhvillime të rendësishme që nuk janë perceptuar nga publiku gjatë asaj periudhe.

    Në një postim të gjatë në profilin e tij në Facebook, Haxhia shpjegon se kanë qenë serbët dhe lobi sërbo-amerikan tepër i fuqishem në atë atë që sponsorizuan Berishën dhe njerëzit e tij në fillimet e ngjitjes në krye të shtetit duke i siguruar mbështetje diplomatike dhe pjesëmarrje në konferenca të rendësishme ndërkombëtare.

    Berisha ishte përfolur vazhdimisht se është mbështetur nga serbët dhe lobi sërb ne Amerikë për ardhjen në pushtet, por kjo është një akuzë e fortë e bërë nga një ndër njerëzit që e kanë shoqëruar kudo kreun e PD-së në levizjet e tij brenda dhe jashtë vendit në atë kohë.

    KU ISHTE HAM HAM DI KUR NA PUSHTOI JANULATOSI

    KU ISHTE hamhum jupi KUR I FALI BERISHA UJRAT GREKUT

    KU ISHTE HAMI ‘zoti berisha” VRAU 4 VETE NE BULEVARD…

    KU ISHTE HAM HAMIKUR U ZHDUK REMZI HOXHA

    …PSE NUK FLET KUR SHQIPERIA KA SHKUAR NE TESEMES…NGA ZOTI BIBERISHAJ JUAJ
    TE PSHURRSHA ZOTIN (ZOMBIEN” BERISH O JUPORDHA !!

  • Mirë o Hamdi mirë , po punët janë një çikë më të thella , biles-biles , shumë më të thella .
    Pluralizmi politik nuk ishte çështje e disa mëndjeve njerëzish të zgjedhur .
    Të gjithë këta , që nga Ramizi e me radhë Pëllumbi , Nano , Kadarea , Berisha e të tjerët , të ashtuquajtur intelektualë të shquar , ishin maskarenj , hipokritë , dallkaukë , skutha e frikacakë .
    Ku ishte partia , e tmerrshmja dhe e lavdishmja parti , që ishte në komandë në ç’do qelizë të vëndit ?!
    Partia kishte vdekur me kohë . Si parti komuniste ajo kishte vdekur që në Berat , më pas në Konferencën e Partisë së Tiranës në 56-ën dhe përfundimisht në 60-tën , ajo ishte një organizatë , por , asnjëherë parti politike komuniste , Partia në krye nuk kishte vënë kokën , por këmbët , nuk duhej Kongres vazhdimësie por një kongres që t’u thoshte stop marrëzive …
    Dhe Partia e pagoi shtrenjtë injorancën e saj – përfundoi për turp .
    Këtë “ heroizmë “ e bëri rruga me në krye plehërat e PPSH .

  • Ramizi nuk qe material lideri partie por burokrat, teknokrat. S’duhej ti ish dhene udheheqja e PPSH as e vendit. Ramizi beri sa diti por qe i paafte. Ne fund u kujtua pasi vendi mbeti keq ekonomikisht. Dhe shkon kerkon mbeshtetje te borgjezet e partise dhe “intelektualet” e borgjezuar jo te komunistet. Borgjezia beri ate qe di te beje me mire: kerkoi cdeshi per vete, liri nga detyrimet per vendin dhe popullin, dhe ktheu bythen menjane, me Kadarene ne krye.
    Ramizi shkoi per te vene vetulla dhe nxori syte me keq.
    Sigurisht Berisha do vinte ne pushtet si i vetmi aktivist konkret afer partise, mes bythqireve “intelektuale” borgjeze.

  • Le te flasin ata AP. te vertete te Asaj PARTIE te atyre vitreve -PARIA e PUNES-.. se si u diskutuar ne organizatat e Partise ne ato vite per PRURALIZMIN, qe do te behej e te mesoni te verteten… Antaret e thjeshte te Partise deri dhe te VERTETET AP. ne udheheqie,miratuan orientimin per pluralisem,..mes mbeldhjes se pergjitheshme te AP.ne BAZE,shprehen qendrimet e tyre te drejta,natyrisht pa injoruar vleren e PP.nje jete.
    Ishte kerkese e KOHES pluralizmi dhe ne shqiperi , ndaj u mbeshtet,tjeter si e qysh u realizua,deri BASTARDIM,sa sot nuk FLITET per PARTI te verteta,(nga udheheqiet se ne BAZE ka mirekuptim…)

    Dhimbie e Madhe POPULL flet.

  • Një saktësim ne 13 nëntor u shpall Ligji i Zgjedhjeve ku shprehej qarte ideja e Ramizit për pseudo pluralizmin e Partive dhe Shoqatave. Përpara Mbledhjes se kuvendit ishte bere dhe Pleniumi i 12 i PPSH ku u miratua kjo ide, dhe Ligji përkatës. Me interes për temën po jap çfarë tha
    Hekuran Isai se populli flet haptas për pluralizëm partiak dhe kërkon parti te tjera e për këtë e ka fajin Zëri Amerikës ..
    ndërsa
    Mehmet Elezi tha se le ta themi këtë qe te mashtrojmë perëndimin qe e kërkon.
    Pra si ne Kuvend ashtu dhe ne takimin me Jupen ata e sidomos Berisha po përhapnin vendimin e Partisë dhe Ramizit… qe sa për forme do behej por qe për veglat e Partisë …kjo shpjegon këmbënguljen e Ramizit për një shoqate (nga e keqja qofte e Parti) te Studenteve dhe Intelektualeve te Rinj dhe reagimin e egër te tij dhe te njerëzve te tij kur u formua një Parti e te Gjithëve , kundër regjimit.
    Çfarë ndodhi me vone kur pushtetin absolut e morën njerëzit e Ramizit..Nano..Berisha e Rama është tjetër gjë…..do merret dhe Historia me te

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *