Trimi që provoi…”Shpellën e Mbytjes”

anazapta

Ka njerëz që nisen në këmbë për të fotografuar vende që shkelen rrallë nga këmba e njeriut.  Personazhi me të cilin kemi folur sot, është njëri prej tyre. Ai është një mik i natyrës dhe këtë e ka të dokumentuar tashmë.  Një album me më shumë se 200  fotografi na zbulon Tiranën, atë Tiranë që nuk e shohim në të përditshmen tonë. Albert Cmeta nuk është me profesion fotograf, por ka guxuar që nëpërmjet  saj dhe natyrës të na bëjë të mendojmë për vendin ku jetojmë. Për më shumë se 5 vite ka shëtitur me këmbë çdo zonë të Tiranës, e kemi fjalën këtu për ato që ne nuk i shkelim në të zakonshmen tonë. Ai e ka bërë, ka shkuar, gur më gur e rrëzë më rrëzë për të na sjellë pamje mbresëlënëse të natyrës.

ne shpelleQëllimi i tij ishte hulumtues. Nëpërmjet Cmetës dhe fotove që na ofron, ne mund të ngacmohemi se ku të shkojmë për të kaluar një të diel. Mund të jenë të shumtë ata që janë lodhur nga ish-Blloku dhe lokalet e zhurmshme të tij, nuk do të ishte keq që të arratiseshin në një moment. Ku? Pse jo mbrapa malit të Dajtit?  “Dita” ka folur me fotografin, i cili ka rrëfyer këtë udhëtim mes skutash, që shumë prej jush nuk i kanë ditur dhe as nuk i kanë shkelur.  Këto imazh që shumëkush i sheh për të parën herë, nuk janë gjë tjetër veçse një ftesë e personazhit tonë për t’i vizituar, njohur e për t’u bërë njësh me to.

Liqeni i Dorezit
Liqeni i Dorezit

Albert, duhet të të jenë bërë këmbët copë për kapjen e këtyre zonave që ke fotografuar?

Eh, është e vërtetë. Nuk kam lënë vend pa shkelur. Fotot janë të një kryeqyteti ndryshe që syri nuk na e kap kur shkojmë në punë apo kur lëvizim në vende të ndryshme brenda tij.

Një Tiranë ndryshe, por sa të vështirë e ke patur ti dhe po ashtu, sa të vështirë mund ta kemi ne që të shkojmë në gjithë këto vende ku ju keni fotografuar?

Duhet të theksoj që krahas fotografisë unë kam një pasion tjetër që është, pasioni për eksplorim.  Pikërisht ky pasion, më ka ndihmuar shumë dhe më ka shtyrë që të marr një aparat me vete dhe t’i bie pas këtyre peizazheve që në fakt askush nga ata që po na lexon në këto momente nuk duhet t’i humbë.

Sa  larg nga Tirana janë vendet që ju keni fotografuar dhe a janë të gjitha të kapshme me makinë?

Lumi i Tiranes
Lumi i Tiranes

Përderisa unë vetë i kam kapur, do të thotë që çdo kush mund t’i kapë, mjafton të ketë dëshirë. Në pjesën më të madhe të tyre mund të shkohet me makinë deri diku, e më pas mund të eksplorohen në këmbë.

Sa kohë pune u është dashur?

Që të arrish të bësh fotografi të mira duhet kohë, kohë që t’i gjesh këto vende e më pas, po ashtu, edhe kohë për të gjetur këndin e duhur në mënyrë që bukuria e natyrës të shpaloset ashtu siç është. Një rol shumë të rëndësishëm luan edhe drita. Janë vende historike në të cilat ka pasë jetë edhe në epokën para ilire, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë dijeni për to. Këto foto, në një farë mënyrë, japin edhe një informacion për këto vende e treva.

Vijmë më konkretisht. Cilat janë ato zona që ju mund të na sugjeroni që t’i vizitojmë në Tiranë?

Ka shumë. Ne gjithmonë flasim për zonat tjera të Shqipërisë duke folur vazhdimisht për Veriun dhe Jugun, por, ndërkohë kemi harruar që këto bukuri nuk janë vetëm andej, por janë edhe në qendër, janë edhe në kryeqytet. E besojmë apo jo, ato janë reale dhe shumë të prekshme. Kemi Lumin e Tiranës, kanionet e Erzenit, zonën e Petrelës,  fshatrat në krah të malit të Dajtit, për të mos folur për shpellat.

Cili është vendi më interesant që ke fotografuar deri më tani?

Po, janë disa, por do të veçoja “Shpellën e Mbytjes”. Emri është i çuditshëm dhe t’ju them të drejtën unë nuk kam mundur ta gjejë historikun se përse quhet kështu. Ajo është një nga shpellat më të bukura që unë kam vizituar, dhe këtë po ua thotë një njeri që ka vizituar shumë, më besoni. Kjo është ndër ato që unë e radhis si më të bukurat.

Shenkoll, Petrele
Shenkoll, Petrele

Pse?

Është një shpellë që nuk është shumë e madhe. Ka një gjatësi afërsisht 150 metra. E veçanta e saj është se ka një hyrje shumë të ngushtë dhe më pas hapet brenda me një lartësi 15 deri në 17 metra. Stalaktitet dhe stalagmitet janë që në hyrje të shpellës e deri në fund të saj. Në thellësi të saj shohim një “tmerr” bukurie. Po hyre, zor se mund të dalësh, pasi të tërheq shumë për nga pamja që ka.

Ku ndodhet?

Gjendet në kufirin  midis Elbasanit dhe Tiranës. Është shumë lehtë e arritshme nga pjesa e Kërrabës. Nga ana e Tiranës është lehtësisht e kapshme.

Po vende të tjera që mund t’i vizitojmë?

Një nga vendet më të bukura dhe që janë lehtësisht të arritshme është për shembull kanioni i Erzenit.  Ky kanion mund të bëhet një pikë shumë e bukur turistike nëse do të ndërtohej infrastruktura për t’u bërë i vizitueshëm lehtësisht. Do të thoja që e gjithë bukuria e vizitës në këto vende është që ato t’i shëtisësh në këmbë.

 

Një inxhinier që zbulon vende të fshehta

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe njëkohësisht qyteti më i madh i saj. Të pasionuarit pas udhëtimeve mund të eksplorojnë shpella, male, kanione të formuar nga lumenj e përrenj që e përshkojnë atë, formacione të ndryshme natyrore etj. Ky është prezantimi i parë që na vjen nga albumi më i ri i Tiranës. Rrethinat, zemra e kryeqytetit, sekretet, dita dhe nata, vendet kulturore për t’u eksploruar dhe thellësitë e shpellave,  janë mendimet e fundit që vijnë pasi ta kesh shfletuar mirë e mirë albumin e fotografit Albert Cmeta. Historia mes nisjes dhe përfundimit është e thjeshtë: Perceptimi ynë mbi një vend të panjohur nis nga fotot. Planet tona të eksplorimit të vendeve të reja nisin nga fotot. Dëshira për të takuar një mik që nuk e kemi parë prej vitesh nis shpesh kur shfletojmë një album. Autori i rreth 200 fotografive plot ngjyra është një inxhinier dhe jurist. Fotografia ishte pasioni i tij më i madh, ndërsa albumi vepra e tij më e dashur.

 

Share This Article
3 Comments
  • Nje art i bukur qe dhe unë e kam pasion. Shembulli i albert cmetës duhet ndjekur nga te tjere. Zbulimi i bukurive natyrore te shqiperise nuk eshte bërë as 1 perqind. Di bukuri natyrore te shumta mbi te cilat nuk eshte shkrepur kurrë nje aparat fotografik…! Ndiqeni albertin te rinj!

  • fotografimi i natyres eshte nje pasion i bukur por albert cmeta nuk eshte i vetem me kete rast dua te falenderoj edhe fotografin amator Anesti Jance nga qyteti i Permetit qe me nje total me mbi 20000 fotografish nuk ka lene fshat apo zone te rrethit te permetit pa fotografuar ne albumin e tij ne youtube jane mbi 200 video ku perfshien reth 105 fshatra te rrethit permet si dhe luginat e vjoses lengarices apo dhe maleve te rethit Permet qe me bukurite e tyre nxisin turistet nga e gjithe bota per ti vizituar keto vende

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *