Triptik i kohës

DITA Online

 Nga Bedri Islami

 

Për një shok të vjetër…

Jemi komshi të hershëm, ndoshta disa breza. Na ndan një mur, pas shtëpisë sime, nga kopshti, që dikur ishte i mbushur me pemë dhe në rruginat e tij mund të ecje në barin e gjelbër.

Nga dritarja e dhomës së vogël ku jetoja dikur, shihja shtëpinë e tij, në rrugicën e Shkrelajve, një rruginë e vogël, ku në vegjëlinë tonë luanim futboll deri sa binte nata.

Quhet Njazi. Është disa vite më i vjetër se unë. Njeri i qeshur, gjithnjë me buzëgaz, dikur ishte një mekanik i klasit të parë, tani, si shumë të tjerë, papunë…dhe megjithë vitet e rëna mbi supe, mbi një tezgë të vogël, shet banane. Vetëm banane, që ia sjell dikush.

Është nga të paktët në qytetin tim që kur takohemi, edhe pas shumë javëve, nuk më pyet se çfarë bëhet në këtë botë jallinë, por vetëm për libra.

I pasionuar pas librave si pak kush tjetër. Nganjëherë e vëreja nga larg, kur nuk kishte blerës, ulur mbi karrigen e vjetër, mbështjellë nën shallin e madh, kapelën ulur deri mbi sy dhe një libër në duar. Rrallëherë e kam parë pa libër.

– Nuk më solle një libër të ri, më thotë gjithherë dhe shton – mbaje fjalën. Më sill ndonjë libër.

Të nesërmen ndalem dhe i tregoj dy a tri libra që mendoj se mund t’i pëlqejnë. I merr nëpër duart e tij të rreshkura nga puna e shumë viteve e ndoshta edhe nga të ftohtët dhe pastaj, si i ndan mënjanë, më thotë: Këtë e kam lexuar, po e lexoj edhe një herë, këto të tjerët i shoh më vonë.

Pastaj shton,

– Më sill prapë….

Nganjëherë, shumë në të rrallë, i pëlqen të flasë për politikë.

-Edhe ky i gjati i juaji, më thotë, nuk na doli gjë. Prita shumë prej tij. Prita se do të bëjë shtet. Se vetëm ata me një dërrasë mangët mund të bëjnë këtë shtet.

Largohem duke qeshur.

– Më sill disa libra, më tha, kur isha herën e fundit në Shkodër. Më sill shumë, t’i kem deri sa të vish përsëri.

I pangopur.

Pastaj i them:

-Ej, mos lexo shumë. E merr vesh ai, i gjati, dhe të delegon një ministri…

Ai i kthehet bananeve të tij dhe i lëmon librat…

Nuk e di se si i ka lëmuar fëmijët e tij, por nëse ka bërë kështu, si me librat, ata do të jenë fëmijë të lumtur nga dora e atit të tyre.

 

 

Me Enver Lepenicen

Shënim në një foto: A mund të bashkëjetojmë në një sofër?

Në foton e mëposhtme janë dy njerëz që janë njohur nga afër në një ditë të veçantë: Në përvjetorin e 100-të të vdekjes së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora.

Njëri është Enver Memishaj – Lepenica dhe, tjetri, jam unë.

Enveri është nipi i Hysni Lepenicës, njëri nga drejtuesit e Ballit Kombëtar në qarkun e Vlorës, nga figurat e veçanta që, së bashku me Hysni Kapon, organizuan qëndresën antifashiste në jugun e Shqipërisë. Megjithëse rrugët e tyre herë ndaheshin e herë bashkoheshin, deri në vitin 1991 emri i Hysni Lepenicës ishte nën mjegullën dhe enigmën e bashkëpunëtorit fashist, i cili u vra në Grehot, në ditët e kapitullimit të Italisë fashiste.

Unë jam një ndër nipërit e Naim Gjylbegajt, vrarë në Mirditë, nga bashibozukët e lidhur me regjimin nazist. Historinë dhe të vërtetën nuk mund ta ndryshojmë nga dëshirat e brezave.

Pas vitit 1991 figura e Hysni Lepenicës mori një dritë tjetër, ndoshta më pranë së vërtetës, por kjo është tashmë në ndriçimin e saj, dhe, do të ishte njerëzore të zbardhej si duhet, pa shtuar gjë nga mllefi dhe pa hequr gjë nga inati.

Ne u njohëm nga afër me Enver Lepenicën në akademinë përkujtimore për Ismail Qemal Vlorën, organizuar nga Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali”, drejtues i së cilës është Bujar Leskaj.

Enveri i takon së djathtës, unë jam me bindje nga e majta. Enveri ka shkruar për ngjarjet e së shkuarës dhe i ka trajtuar në syrin e tij; unë kam shkruar për to dhe i kam analizuar sipas shikimit tim.

Herë-herë ka pasur të drejtë ai, herë-herë kam pasur të drejtë unë. Historia nuk do vetëm një shikim, do më shumë se kaq.

Unë nuk marr dot përsipër të saktësoj të vërtetën , nëse Hysni Lepenica ishte vërtetë antifashist; ashtu edhe Enveri nuk mund të saktësojë të vërtetat e tjera të luftës antifashiste.

Por ne qëndruam së bashku dy ditë, në miqësinë edhe me të tjerë. Në një drekë, si rastësi, ballë njëri-tjetrit, në një tryezë, edhe duke u ngacmuar, ishin nipi i Hysni Kapos dhe nipi i Hysni Lepenicës. As nuk u zunë dhe as nuk u shanë.

Do të ketë njerëz që do i thonë Enverit se, “ç’ne ti, me këtë që është i së majtës”, ashtu si do më thonë mua “po ti, me këtë që çfarë nuk ka shkruar për të majtën”.

Në Vlorë, edhe në darka e dreka, tema kryesore ishte politika. Ndryshe nga sa ndodh në Shkodër. Dhe vlonjatët janë pasionantë të politikës. Diskutojë shumë seriozisht, me vrull të pashoq, sikur të ishte diskutimi i fundit. Më i moderuari mes tyre ishte kryetari i PD-së së Vlorës.

Edhe unë, në fund, harrova shkodranishten time dhe u futa pak në valle. Zakonisht unë flas me pasion për temën e luftës në Kosovë, por ja, që, dashur pa dashur u futa në vallen dhe isonë e politikës labe.

E shkuara na sillet ende nëpër këmbë. Megjithëse shkurt, edhe ne u futëm pak çaste në atë të mallkuarën e djeshme “ne” dhe “ju”.

E kemi të vështirë të hamendësojmë se çfarë faji kam unë, i së majtës, nëse Hysni Lepenica ka qenë i Ballit apo Antifashist, ashtu si dikush tjetër e ka të vështirë të perceptojë se si të majtët e sotëm nuk paskan përgjegjësi për të djeshmen.

E rëndësishme është se, edhe sot, pak kush, mund të marrë përsipër të mbrojë kolaboracionistët se kanë qenë të tillë.

Edhe Hysni Lepenicën e mbrojnë sot si antifashist dhe jo si nënprefekt në Mat, ku, sipas kryeministrit Maliq Bushati, në një shkresë të tij urgjente, theksonte që, Hysni Lepenica të shkojë urgjent në detyrë se po bëhet i rrezikshëm.

Pra, njerëzit po mbrojnë të kaluarën si antifashistë dhe kjo i shërben edhe të sotmes.

A mund të jetojmë të gjithë së bashku, pavarësisht se çfarë mendojmë për një periudhë kohore, rreth një sofre?

Them se po.

Si thashë, ne patëm një debat të shkurtër, ku ” ju” dhe “ata” na u soll nëpër këmbë dhe pasi qeshëm me veten tonë, thamë fjalët e së mirës dhe bëmë një foto para varrit të atij që na bashkoi, Ismail Qemal bej Vlora.

Enver Lepenica është një ndër miqtë e mi të rinj, megjithëse përmes shkrimeve jemi njohur që kur dhe, herë jemi dashur e herë jemi hidhëruar.

Ne, të zakonshmit, mund të jetojmë për bukuri me njëri-tjetrin, nëse mes nesh nuk do të ketë radikalë, ora e të cilëve ka mbetur shumë pas dhe që duan ta risjellin.

Qoftë edhe në një bisedë labe, ku ishte edhe një banor i Shkodrës dhe një personalitet i shquar, si Përparim Kabo.

Prej tij të gjithë mund të mësojnë se si, përmes mençurisë mund të jetohet si njerëz me mend.

Ky është shënimi im.

 

Vdiq një gazetar

Në Kosovë, disa ditë më parë vdiq një gazetar. Edhe gazetarët vdesin. Nuk e kam njohur nga afër. Nganjëherë ia lexoja shkrimet në mediat kryesore të Kosovës dhe ishin të një lloji të veçantë, ku, krahas mjeshtërisë, kishte edhe një pasion të habitshëm, gjë që ndodh me njerëzit e medias së shkruar.

Pastaj nuk e kam ndjekur më. E kërkoja emrin e tij dhe nuk e gjeja. Deri sa më kaloi në një gjysmë harrese që, zgjohej befas kur më kujtohej ndonjë nga shkrimet e tij.

Kur shkoja në Kosovë, mes njerëzve që më mungonin, ishte edhe ai, pasi edhe pse nuk e kisha parë, përfytyroja portretin e tij, sidomos pas një shkrimi që kishte bërë në vitet e luftës nga zona e Drenicës.

Para pak ditësh lexova për vdekjen e tij. Nga një sëmundje.

Më habiti nekrologjia e shkurtër shkruar për të, si për diçka të harruar, por mbi të gjitha, për fundin e tij.

Pasi kishte punuar në disa media kryesore, në fund, krejt në tri vitet e fundit, kishte qenë shitës në një dyqan.

U habita së tepërmi dhe pyeta disa nga miqtë e mi se si kishte ndodhur kështu.

Përgjigjja më erdhi befasuese.

Për shumë kohë nuk ishte qenë i një mendje me linjën e ndjekur nga gazeta, por jo vetëm kaq. Paga e ulët si gazetar nuk ia lejonte të mbante një familje.

Dhe, i zemëruar se në liri nuk ishte i lirë, ai u bë shitës.

Dhe vdiq si shitës.

Më mirë pranoi të shiste mall të zakonshëm, ndoshta edhe nga produktet e nëmura serbe, se sa shpirtin e tij të lirë.

 

Share This Article
2 Comments
  • Z.Bedri, dikur ballkanit(pjeserisht) dhe Dheut te Arberit me shkaterrimin e Perandorise Romake,ju takoi fati i keq me qene pjese e Bizantit Lindor.E keni degjuar me siguri fjalen bizantinizem qe dmth pabesi,cmire,tradhti,hipokrizi,servilizem etj.
    Keto vese kane lulezuar ne bizantin lindor deri sa turqit otomane e shpartalluan kete ngrehine te kalbur ( 1453). Pikerisht keto “vese te mendjeve te semura” sifilitike dhe epileptike kane lulezuar edhe ne hapsirat arberore.Ja nje shembull:ne vitet 30 nje gazetar (nuk po ta them emrin ) mburr dhe i thur ditirambe mbretit Zog ku e quan edhe shpetimtar i kombit.Po ky person pas pak vitesh kur ishte larguar Mbreti Zog ne gazeten “Fashizmi” e cileson satrap dhe tradhtar.A ka turp me te madh ? Cfare perfaqesonte ky faqezi ? A kishte ndonje ideal ? Vetem interesa monetare, nje i shitur tek pruresi me i pare ! Ja pra bizantinizmi yne si mbeturine mesjetare dhe qe vertitet si fantazem e erresires bizantine dhe feudale edhe sot e kesaj dite !
    respekte
    Veli Stafa

  • z. Bedri. Per hir te karakerit tuaj, nuk ju nderon qe te quani mik Enver Memishaj ose Hoxhaj, qe ka qejf te perdor llagapin Lepenica. Ky eshte nje nga njerzit qe ka leshuar vrer e shpifur ne menyren me te padenje ndaj njerzve te cilet dolen ne balle te rezesitences antifashiste vlonjate.Se dyti. Ky nuk eshte nipi i Hysni Lepenices, i cili per hir te se vertetes, pavaresisht se deri ne fund te vitit 1942 ishte nenprefek i qeverise kuislinge, nuk mund te etiketohet bashkepunetor i fashizmit. Ai ishte nje intelektual i kohes me te kaluar patriotike, antizogist, biles edhe anetar i Grupit Komunist, ZJARRI, por qe zgjodhi alternativen e gabuar duke aderuar ne Ballin Kombetar. Pavaresisht nga kjo, ai humbi jeten nga plumbat e e ushtrise se kapitulluar italiane. Z. Bedri, do ishte mire qe ne Vlore te beje mik nje te djathte te fisem dhe te ekulibruar, qe per hir te se vertetes nuk mungojne, ashtu sic eshte edhe z. Bujar Leskaj dhe jo nje kone te Sali Berishes dhe Bashkim Gazidedes qw mban mbiemrin Lepenica, kur ne fakt e ka Hoxhaj dhe paradoksalisht emrin Enver. Ballistet e sotem, duan te reabilitojne Ballin Kombetar, por gungen e gungacit vetem varri e sheshon. Pra Balli Kombetar ka vdekur qysh me 29 nentor 1944 dhe nuk ngjallet me dot. Koha e demokracise qe jetojme e ka faktuar kete gje. Tellalli Enver Memisha-Hoxha le te leh e pergjerohet sa te doje, por Balli Kombetar nuk ngrihet dot nga gropa e ujerave te zeza te Historise ku e krodhen Mitat Frasheri, Ali bej Kelcyra, Ever Risilia, Hasan Dosti e te tjere kerma te kesaj organizate kolaboracioniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *