Policia e Tiranës, Krujës dhe Kukësit, zbuluan dje një arsenal armatimi dhe eksplozivësh në tre aksione të ditës së djeshme, me 3 të arrestuar.
Mbrëmjen e djeshme, në Kashar, brenda një banese u gjetën 4 kallëpe tritoli. Informacionet e mbledhura në rrugë operative çuan agjentët në këtë zonë duke ushtruar kontrolle të befasishme. Në pranga ra pronari i banesës ku u gjet eksplozivi, Ismail Shehu, ndërsa po hetohet nga është blerë tritoli dhe përse do përdorej. Në Krujë u arrestua Bajram Biçaku, banues në lagjen “Isakaj”, të cilit iu sekuestruan rreth 800 fishekë automatiku, 20 fishekë pistolete, një pushkë automatike dhe 6 granata ofensive. Pak orë më pas u arrestua edhe Shaqir Keqi, 48 vjeç, të cilit iu kapën 800 fishekë, një pushkë automatike, 2 metra fitil zjarrpërcjellës dhe 23 kapsolla detonatore. Policia tha se po heton rastet e përfshira nga të dyshuarit në krimin e shpërthimeve me eksploziv.
Po dje, një 62-vjeçar është vënë në pranga nga policia e qytetit të Kukësit për posedim droge dhe eksplozivi. Policia bën me dije se ka arrestuar shtetasin Xhaferr Oka. Pas kontrollit në banesën e këtij të fundit, u gjetën 1 kg eksploziv dhe 375gramë kanabis. Policia bën me dije se gjatë kontrollit u gjet edhe një armë zjarri. Informacionet e mbledhura në rrugë operative nga agjentët çuan efektivët në shtëpinë e të moshuarit. Dyshohet se eksplozivi përdorej për akte kriminale dhe po hetohet për lidhjet e të arrestuarit me elementë kriminalë në Kukës apo qytete të tjera.
