Gazetarja Thijs Kettins e gazetës Trow hollandeze ka zhvilluar një reportazh datën e 30 qershorit në Shqipëri. Duke shfaqur situatën politike në vend, në artikull theksohet se dhuna u shmang, me mundësi të lartë prej paralajmërimeve të ndërkombëtarëve. Kryesisht në Kavajë, gazetarja ka folur edhe me një numër qytetarësh, nëpërmjet të cilëve shpreh mendimet e atyre që votuan dhe atyre që nuk votuan si dhe arsyet pas këtyre vendimeve.
Në artikull theksohet edhe fakti se partitë e mëdha në Shqipëri nuk kanë programe të mirëfillta dhe se pushteti përdoret për përfitim.
Jashtë qendrës së votimit me numër 2180, një kalë është e vetmja shenjë jete në orët e fundit të mëngjesit të së dielës. Është qetësi në godinën që zakonisht shërben si qendër mjekësore në qytetin e Kavajës. Anëtarët e qendrës së votimit, katër burra dhe një grua, rrinë të rreshtuar pas tavolinës. Ata e theksojnë: nuk është një stuhi. “Nga 748 persona me të drejtë vote, 16 kanë votuar deri më tani,” thotë E. N. Ai tregon një kuti të madhe transparente me disa letra të verdha në të. “Kushedi, njerëzit mund të jenë duke bërë gjëra të tjera, ndoshta janë në plazh, ndoshta vijnë më vonë”.
Por ai e sheh këtë si mundësi të vogël. Partia Demokratike e Shqipërisë po bojkoton zgjedhjet lokale. Dhe Kavaja, një qytet rreth një orë larg Tiranës, konsiderohet një bastion i kësaj partie opozitare.
Partia Demokratike
Nga Kavaja nisën protestat kundër diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990. Ato çuan në përfundim në rënien e regjimit dhe krijimin e Partisë Demokratike. Kjo e fundit e akuzon konkurrenten e saj, Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, për mashtrime masive, korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve të mëparshme.
Partia ka organizuar protesta në Tiranë prej muajsh. Ajo është tërhequr nga parlamenti. Herë pas here ka pasur dhunë dhe janë shkatërruar disa qendra votimi. Presidenti Ilir Meta i anuloi zgjedhjet, por kryeministri Edi Rama insistoi. Gjykatësit nuk mund të jepnin një përgjigje përfundimtare, për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon sepse gjykatësit janë në proces rivlerësimi. Kështu që zgjedhjet u zhvilluan të dielën, me kandidatët e vetëm nga Partia Socialiste dhe parti të vogla të opozitës.
Korrupsioni është kudo
Por ka më shumë lëvizje në një treg vetëm një bllok larg qendrës së votimit. 50-vjeçari N. H. ka nxjerrë për shitje në rrugë bishtaja, sallatë, domate dhe speca. “Jo, nuk do të votoj,” thotë ai i vendosur. Ai përshëndet më pas një burrë që po shtyn në piskun e vapës një karrocë plot me banane. “Këto zgjedhje duken të lira, por ka vetëm një parti. Ekzakt si në komunizëm”.
- V., që shet shalqinj dhe patate, mendon krejt ndryshe. “Ata mund të mos jenë dakord me qeverinë, por nuk duhet të na privojnë nga e drejta për të votuar”, thotë ai, teksa vendos një shalqi të madh në peshore. “5.8 kg,” thotë ai në momentin që peshorja bie në balancë. “Do votoj për Edi Ramën. Ai nuk është në listën e votimit, por për kandidatin e tij. Rama është më i miri mes të këqinjve. Për fat të keq, korrupsioni është kudo këtu”.
Përfitimi i madh
Këtë e dëgjon shpesh në Shqipëri. Dy partitë kryesore nuk kanë programe të qarta, por duan vetëm pushtetin. Në momentin që e marrin, nis përfitimi i madh. Skandalet për shpërdorimin e pushtetit, vetë-pasurimin dhe favorizimin dalin në dritë.
“Kjo është arsyeja pse nuk do të votoj. Dua parti dhe udhëheqës të rinj politikë,” thotë një 26-vjeçar që punon në mini-marketin e prindërve të tij, por bën edhe një punë të mirëpaguar si specialist IT në Tiranë. Ai shpjegon se përse nuk do emrin e tij në gazetë. “Politika përcakton gjithçka këtu. Kush do të bëhet mësues apo polic, atij i duhet një lidhje e mirë për këtë. Por ata bëjnë edhe marrëveshje të rëndësishme në biznes. Nëse kritikoj hapur, kjo mund të përdoret kundër meje në çdo kohë. Atëherë ta harroj unë. Është tamam si Koreja e Veriut këtu”.
Nga dyqani i tij, shitësi i hedh sytë drejt një shkolle, ku është vendosur stacioni kryesor i votimit në Kavajë. Javën e shkuar, protestuesit shkatërruan gardhin rrethues dhe kërcënuan se do dëmtonin shkollën. Ka pasur në vende të tjera edhe incidente, përfshi bomba me molotov. Frika e gjerë për dhunë nuk u materializua në ditën e votimit- ndoshta pasi disa ambasada thanë se Partia Demokratike do jetë përgjegjëse për çdo problem. Pati disa demonstrata në qendrat e votimit në Tiranë. Në një fshat pranë qytetit-port të Durrësit, një burrë u arrestua pasi kërcënoi anëtarët e një qendre votimi me kallashnikov dhe grisi fletët e votimit.

Bini nga prapa, bini.