Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka gjobitur dy klube për trukim ndeshjesh. Bylis dhe Kastrioti janë gjobitur me nga 1 500 000 lekë për atë që në akuzë është përcaktuar si “komplotim dhe influencim”, terma që kanë zëvendësuar “trukimin”, apo “paracaktimin” e rezultatit të dy ndeshjeve. Komisioni i Etikës e bazon vendimin në atë që thotë edhe baza ligjore, më saktësisht “Neni 68, Trukimi i ndeshjeve”. Vihet re, gjithashtu, se është dhënë dënimi maksimal në gjobë, sa u përket dy rasteve, me argumentimin se nuk përmbushet ndoshta pika e këtij neni, ku thuhet se “me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, shkelësit do të dënohen me përjashtim përjetë nga veprimtaritë futbollistike”.