Trumbeta e Zotit…

redaktor

O mendime që më vini,
turbull porsi valët,
dhe me aromë pelini,
m’i vishni gjithë fjalët.

Që ju linda-që ju rrita,
porsi kanakarë,
në udhëkryqe dhe në prita,
pse më hiqni zvarrë?!

Më lëviz damari i ballit,
si një eksplozion,
porsi Shtëpia e Djallit,
koka më gjëmon.

Ç’më sjellin këto mendime,
gjithë këto meraqe,
moj e shkreta jeta ime,
që nuk gjete paqe!

Moj e shkreta jeta ime,
me ato vullkane,
me të thinjurat mendime,
në borë e tufane…

O mendime-o mendime,
që më hapët punë,
u thinjët si mjekra ime,
u thinjët si unë…

O mendime që në zemër,
më digjni si eshka,
ju kini turrin e dritës,
unë eci si breshka…

Se shkrihet poet i shkretë,
në ballin e shqotës,
dhe shkurton të tijën jetë,
që të zgjasë të Botës…

Ndez e ndez ky i bekuar,
një dritëz mes territ,
veç Ai i ka jetuar,
mundimet e Ferrit.

Asnjëherë në krahë të tija,
nuk shënoi balanca,
tretet si vesa-si hija,
kur flet injoranca…

Mund të mposhtë gjarprin me zile,
të mundë një kuçedër,
po pushtet i injorancës,
është më i egër.

Veç në qiell-pranë fronit,
do t’ish i pushtetshëm,
poeti dhe injoranca,
armiq të përjetshëm.

Pak janë flladet dhe aromat,
që e përkëdhelin,
gjëmbat rriten me shumicë,
lulet mezi çelin.

O mendim që vret Arbenin,
me gjyle të rënda,
unë i fal jetës melhemin,
ajo më fal gjëmba!

Po nuk trëmbem-po nuk tulem,
jo nga kjo përpjekje,
dhe në tufë-jo-nuk futem,
të më gjesh-moj vdekje!

Se unë jam Trumbetë e Artë,
në buzët e Zotit,
që i ndez vullkan të zjarrtë,
kohës së Robotit!

Dhe nuk pres nga njerëzia,
të më bëjnë gjyqin,
se përmbi supet e mia,
vetë e hodha kryqin.

Me injorantët s’luftoj,
kurrë në një pjacë,
se vërtet’ këtu jetoj,
po jam tjetër rracë!

Share This Article
9 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *