Kandidati republikan për President Donald Trump është shprehur pro daljes nga Bashkimi Europian të Mbretërisë së Bashkuar. Duke specifikuar se nuk po jep rekomandime, por thjesht po shpreh një mendim të tij personal, Trump tha se për britanikët dalja do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi i gjithë faji i krizës së klandestinëve është i Unionit.
Britania e Madhe do të jetë më mirë nëse vendos të dalë nga Bashkimi Europian. Kështu ka deklaruar kandidati republikan për president Donald Trump, duke u shprehur për mediat amerikane se kriza e emigrantëve ka qënë diçka e tmerrshme për Europën , dhe përgjegjësinë më të madhe për këtë e mban pikërisht unioni, që nuk është treguar i aftë ta menaxhojë sic duhet.
Trump deklaroi se nuk kërkon të japë rekomandime, por sipas tij qytetarët britanikë për të mirën e tyre duhet të votojnë pro daljes nga BE në referendumin e 23 qershorit.
“E njoh shumë mirë Britaninë e Madhe, shumë investime të miat i kam në Mbretërinë e Bashkuar. Vendimi sigurisht i përket qytetarëve, por unë mendoj se për të mirën e tyre ata duhet të dalin nga Bashkimi Europian, mos më keqkuptoni nuk është rekomandim, thjesht për mua personalisht do të ishte zgjidhja më e mirë për ta.
Në muajin dhjetor kur deklarata e Donald Trump për të ndaluar hyrjen e muslimanëve në SHBA shkaktoi polemika të shumta, në Britaninë e Madhe u ndez një debat i ashpër nëse duhej apo jo lejuar që Trump të shkelte në tokën e tyre.
Në atë kohë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron u shpreh se deklarata e Trump ishte e gabuar dhe idiote. Të enjten ai theksoi se nuk ka ndryshuar mendim, por gjithsesi shtoi se çdo person që merr votë-besimin e popullit të tij duhet respektuar.
