Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të shpallë kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Më 18 qershor do të shpall kandidaturën time presidenciale, së bashku me zonjën e parë, Melanie, zëvendëspresidentin, Mike Pence dhe zonjën e dytë, Karen Pence”, tha Trump.
Shpallja do të bëhet në një miting në Orlando të Floridës.
Trump pritet të shpenzojë mbi 30 milionë dollarë për fushatën tij, më shumë se secili prej kandidatëve demokrat. Në fakt, në kampin demokrat, fondin më të madh për fushatë presidenciale e ka senatori Bernie Sanders me 18 milionë dollarë, që është edhe një prej katër favoritëve përballë Trumpit.
Megjithëse jo zyrtarisht si kandidat për president, Trump duket se tashmë e ka nisur fushatën e tij duke organizuar mitingje në shtetet e Pensilvanisë dhe Floridës.
Sipas një sondazhi shumë të diskutuar të organizuar nga Universiteti i Harvardit, presidenti amerikan Donald Trump ka arritur vlerësim më të lartë në dy vitet e fundit të presidencës së tij. Sipas sondazhit rreth 48% të amerikanëve e suportojnë atë, ndonëse nuk dihet ende se si do t’i ndikojë mendimet e amerikanëve për Trumpin raporti Mueller, përkeqësimi i marrëdhënieve tregtare me Kinën dhe lufta potenciale me Iranin, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
