Një ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se homologu i tij amerikan, Donald Trump e ka ftuar shefin e Kremlinit në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë, dy vendet nuk kanë nisur ende përgatitjet për një vizitë të tillë.
Trump dhe Putin patën një bisedë telefonike më 20 mars, gjatë së cilës kreu i Shtëpisë së Bardhë përgëzoi Putinin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, që ishin mbajtur dy ditë më parë.
Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini thanë asokohe se dy presidentët kanë diskutuar mbi një takim kokë më kokë.
Ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov u tha agjencive ruse të lajmeve gjatë kësaj të hëne se, Trump e ftoi Putinin në veçanti për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë gjatë asaj bisede.
Ushakov shtoi më tej se qeveritë respektive nuk gjetën kohë për të nisur përgatitjet mbi këtë takim, përpara se Shtetet e Bashkuara t’i bashkoheshin Britanisë së Madhe dhe dhjetëra vendeve të tjera aleate në dëbimin e diplomatëve rusë, pas sulmit me agjentë nervorë ndaj një ish-spiuni rus në Angli.
a.s/dita
