Donald Trump është ende i gatshëm të takohet me liderin koreano verior Kim Jong-un, muajin e ardhshëm, pavarësisht një deklarate nga Peniani se ai nuk ishte i interesuar të diskutonte kërkesa të njëanshme për heqjen dorë nga armët e tij bërthamore.
I pyetur nëse takimi i planifikuar për më 12 qershor në Singapor, është ende në fuqi, Trump tha “do të shohim çfarë do të ndodhë, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim se koreano veriorët e kanë anuluar atë”.
Presidenti tha se ai do të insistonte në denuklearizimin në takimin me Kim. Sidoqoftë, fjala është e vakët, Koreja e Veriut e përdor denuklearizimin për të përshkruar një proces afatgjatë në të cilin të gjitha fuqitë bërthamore do të çarmatosen ndërsa zyrtarë të administratës Trump e kanë interpretuar si çmontim dhe shkatërrim të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe programeve të raketave me rreze të gjatë veprimi.
Kjo paqartësi, që lejon ecjen përpara me planet për takimin e parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri koreano-verior duket se është thelluar gjatë fundjavës kur John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare i Trump dhe Mike Pompeo, sekretar shteti, u shfaqën në programe informative për të dhënë versionet e tyre thuajse të ndryshme mbi pozicionin negociues të SHBA.
Bolton dhe Pompeo folën për një presion maksimal të Trump që e kishte detyruar Kim të ulej në tryezën e negociatave.
Por Bolton sidoqoftë, shkoi më larg se Pompeo në përcaktimin e denuklearizimit. Ai tha se denuklearizim do të thotë heqje qafe e të gjitha armëve bërthamore, çmontim dhe dërgimi i tyre në Oakridge në Tennessee. Që do të thotë heqjen dorë nga aftësitë e pasurimit të uraniumit dhe riprocesimit të plutoniumit.
Më herët ai kish thënë se në çarmatimin e Koresë së Veriut duhej përdorur modeli libian, duke iu referuar heqjes dorë nga programi embrionik i armëve bërthamore të tij në 2003. Zyrtarët koreano-veriorë më shumë se këtë kanë pasur parasysh vdekjen e Gadafit, çka ka sjellë edhe tensione.
o.j/dita
