Presidenti Donald Trump ka folur në takimet që pati në Ajova dhe Illinoi, për strategjinë e tij të tregjeve të lira.
Ai u përpoq të bindte fermerët pjesëmarrës në takimin e Ajovës, të cilët janë prekur së tepërmi nga tarifat e reja të Kinës ndaj sojës dhe produkteve të tjera.
“Ne e hapëm tregun europian dhe kjo ka për të qenë diçka shumë e mirë për ta e për të gjithë ne, për fermerët tanë, sepse ka vetëm një treg të madh për të gjithë,” ka thënë Trump.
Ai vijoi të thoshte se Europa ka rënë dakord të blejë sasi të mëdha të sojës, ngaqë Kina u përpoq ta dëmtonte fermerin amerikan.
Presidenti nuk dha hollësi për atë që ai tha se ishte një letër me një objektiv të caktuar e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ndërkohë që, Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin e cilësoi paktin “marrëveshje në parim”.
Takimi me rusët, avokati: Trump ishte në dijeni
Një ditë para takimit të Presidentit Trump dhe zotit Juncker, Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se kishte caktuar një fond prej 12 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë fermerëve amerikanë të prekur nga tarifat.
“Është pikëpamja e administratës, që bujqësia ka qenë objekt hakmarrjeje, si rezultat i veprimeve tona me synimin për të zbutur pabarazitë në tregti. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe Sekretari i Bujqësisë e krijuan këtë program”, tha një zyrtar i tregtisë.
Megjithatë, disa fermerë thonë se ndihmat financiare nuk do të mund të lehtësojnë ndikimin afatgjatë që do të kenë tarifat e reja ndaj të ardhurave të tyre.
s.a/dita
