Presidenti i SHBA Donald Trump duhet të dorëzojë formularët e taksave të tetë viteve të fundit. Ky është vendimi i dhënë nga një gjykatës federal, të hënën, bazuar në kërkesën e një prokurori, por vendimi u ndalua nga gjykata e një shkalle më të lartë për momentin.
Ndonëse vendimi është apeluar menjëherë dhe ndaluar nga gjykata e apelit për momentin, gjykatësi federal kritikoi qëndrimin e avokatit të presidentit Trump për këto çështje, sipas të cilit, presidenti gëzonte imunitet dhe nuk kishte pse dorëzonte formularët e taksave. Gjykatësi nënvizoi se ky argument mund të keqinterpretohej sikur “presidenti, familja dhe bizneset e lidhura me të, qëndrojnë mbi ligjin”.
Më parë, prokurori i Manhatanit, Cyrus Vance kishte kërkuar zyrtarisht taksat personale dhe të kompanive të Trump nga 2011 në 2018. Por avokatët e presidentit kishin argumentuar se presidenti gëzon imunitet dhe nuk mund të ishte subjekt i hetimit penal për sa kohë është në detyrë dhe se Kushtetuta sipas tyre kërkonte që prokurori të priste derisa zoti Trump të largohej nga posti.
Presidenti Trump është përpjekur të mos ofrojë të dhëna mbi shumë aspekte të financave të tij, pavarësisht se gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë kishte premtuar se do publikonte të dhënat mbi taksat.
e.ll./dita
