Trump: SHBA nuk do të jetë kamp emigrantësh

Dita

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka thënë të hënën se nuk do të lejonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shndërroheshin në një “kamp emigrantësh”.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë një kamp emigrantësh dhe nuk do të jetë një strukturë e mbajtjes së refugjatëve. Ju shikoni se çfarë po ndodh në Evropë, ju shikoni se çfarë po ndodh në vende të tjera. Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë në Shtetet e Bashkuara, jo në kohën time të paktën”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ky reagim i tij ka ardhur fill pasi administrata e tij u përball me një kritikë të ashpër për ndarjen e fëmijëve të emigrantëve në kufirin me Meksikën nga prindërit e tyre.

Ndarjet e familjes në SHBA vijnë si rezultat i politikës së “tolerancës zero” që ndjek Trump.

Kjo politikë konsiston në arrestimin e të gjithë të rriturve që janë kapur duke u përpjekur të hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, përfshirë ata që kërkojnë azil.

Fëmijët dërgohen në mjedise të veçanta të paraburgimit, ndërsa prindërit mbahen në burg.

Në vetëm dy muajt e fundit, demokratët dhe disa pjesëtarë të Partisë Republikane të Trump kanë paralajmëruar administratën për ndarjen e rreth 2.000 fëmijëve nga prindërit e tyre.

Kjo praktikë e ndjekur nga administrata Trump, sikurse shprehen profesionistët mjekësorë, mund të shkaktojë trauma të qëndrueshme tek fëmijët.

Qeveria amerikane shpërndau një video ku tregoheshin këto fëmijë emigrantësh që mbaheshin nëpër kafaze teli dhe të ulur në dysheme prej betoni.

Trump synon që të përdorë zemërimin e përhapur mbi ndarjet e familjeve për të nxitur përparësitë e tjera të imigracionit që kanë ngelur në Kongres, si dhe financimin për murin e gjatë të premtuar përgjatë kufirit meksikan.

Ai fajëson demokratët për bllokimin e dy pikave të renditura më sipër, ndërsa këto të fundit e kanë akuzuar Trumpin për përdorimin e fëmijëve si pengje në mosmarrëveshje.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *