O mendime që më vini,
turbull porsi valët,
dhe me aromë pelini,
m’i vishni gjithë fjalët.
Që ju linda-që ju rrita,
porsi kanakarë,
në udhëkryqe dhe në prita,
pse më hiqni zvarrë?
Më lëviz damari i ballit,
si nje eksplozion,
porsi Shtëpia e Djallit,
koka më gjëmon.
Ç’më sjellin këto mendime,
gjithë këto meraqe,
moj e shkreta jeta ime,
që nuk gjete paqe!
Moj e shkreta jeta ime,
me ato vullkane,
me të thinjurat mendime,
në borë e tufane…
O mendime-o mendime,
që më hapët punë,
u thinjët si mjekra ime,
u thinjët si unë.
O mendime që në zemër,
më digjni si eshka,
ju kini turrin e dritës,
unë eci si breshka.
Se shkrihet poet’ i shkretë,
në ballin e shqotës,
dhe shkurton të tijën jetë,
që të zgjasë të Botës.
Ndez e ndez ky i bekuar,
një dritëz mes territ,
veç Ai i ka jetuar,
mundimet e Ferrit.
Asnjëherë në krahë të tija,
nuk shënoi balanca,
tretet si vesa-si hija,
kur flet injoranca.
Mund të mposhtë gjarprin me zile,
të mundë një kuçedër,
po pushteti injorancës,
është më i egër.
Veç në Qiell-pranë Fronit,
do ish i pushtetshëm,
poeti dhe injoranca,
armiq të përjetshëm.
Pak janë flladet dhe aromat,
që e përkëdhelin,
gjëmbat rriten me shumicë,
lulet mezi çelin.
O mendim që vret Arbenin,
me gjyle të rënda,
unë i jap jetës melhemin,
ajo më jep gjëmba.
Po nuk trembem-po nuk tutem,
jo nga kjo përpjekje,
dhe në tufë kurrë s’futem,
të më gjesh-moj vdekje!.
Se unë jam Trompetë e Artë,
në buzën e Zotit,
që i ndez vullkan të zjarrtë,
kohës së Robotit.
Dhe nuk pres nga njerëzia,
të më bëjnë gjyqin,
se përmbi supet e mia,
vetë e hodha kryqin..
Jezu Krishti-Zot i Botës,
nuk jam padyshim,
porse Krishti-vetëm Krishti,
është heroi im! Tiranë,
2007-2017
A.Duka

Bravo Poet!
Hyjnorja muze eshte bekimi me i afert me Zotin……
sikur te kishte refleksione ne realitetet e ashpra te dheut tone zhvillimi i maredhenjeve ne teresine e tyre,
do te inspironin vrullin poetik ne nje aurole krejt tjeter,sigirisht me pak te tronditese,por eshte sensibiliteti jetik qe poetet degjojne me brendine e tyre speciale, dritherimat e shpirtit njerezor…
Urime dhe respekte.
Sona.