Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar në datën 01.11.2012 procedimin penal nr. 5216 për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.
Nga aktet e hetimit dhe kallezimi perkates ka rezultuar se shtetasi Kujtim Vata ka qenë i punësuar pranë “INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA” Sh.A. që nga viti 1998, me detyrën e punonjësit të sigurisë fizike. Në muajin shtator të vitit 2012 është bërë një ankesë prej klientes Ballkyz Buzhani. Sipas kësaj shtetase, në llogarinë e saj ishin bërë shtatë tërheqje, për të cilat nuk kishte dijeni. Lidhur me këtë pretendim ajo ka bërë edhe një kërkesë me shkrim.
Shfrytëzonte ditët e shtuna
Nga hetimi administrativ i kryer prej Departamentit të Kontrollit të Brendshëm të Bankës, është konstatuar se dy nga veprimet ishin kryer tek një arkëtare, punonjëse e përhershme e Degës së Bankës, kurse debitimet e tjera ishin bërë tek arkëtaret e tjera të bankës, që punonin me rotacion në të njëjtën degë, ditëve të shtuna.
Sipas thënieve të arkëtareve të kësaj dege, shtetasi Kujtim Vata kishte kërkuar të bënte tërheqje nga llogaria e një klienti me datë 22.09.2012, pa praninë e klientit, me debitin e plotësuar prej tij. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të Bankës ka ndërmarë një hetim më të plotë, duke: – kontrolluar transaksionet e kryera nga të gjitha arkëtaret që kishin punuar me rotacion në këtë degë, gjatë ditëve të shtuna të vitit 2012; – kontrolluar të gjitha transakionet e kryera në këtë degë nga klientët e demtuar përgjatë vitit nentor 2011 – shtator 2012; – kontrolluar përmbledhjen e veprimeve të ditës në këtë degë për periudhën gusht – shtator 2012; – parë regjistrimet video të vlefshme për periudhën 21 gusht – shtator 2012; – pyetur arkëtaret e përfshira në këto veprime.
69 tërheqje në 18 llogari
Sipas konkluzioneve të kontrollit, shtetasi Kujtim Vata kishte përvetësuar në menyrë të paligjshme, nga llogaritë e tetëmbëdhjetë klientëve të ndryshëm të bankës, me anë të shpërdorimit të besimit të arkëtareve (pasi kishte mundësi të vepronte dhe hynte lirisht në marrdhënie me arkëtaret për shkak të detyrës së tij – thotë vendimi i Gjykatës), përgjithësisht staf i ri që punonin me rradhë ditëve të shtuna, shumën ekuivalente prej 19,970 euro.
Ai, duke falsifikuar shkrimin dhe nënshkrimin e klientëve të bankës, kishte plotësuar gjashtedhjete e nëntë mandate tërheqje, gjatë periudhës nentor 2011 – shtator 2012. Këtë gjë shtetasi Kujtim Vata e ka pranuar pjesërisht me një deklaratë me shkrim që mban datën 22.02.2012, ku është shprehur se kishte tërhequr shumën e 900 eurove nga llogaria e shtetases Ballkyz Buzhani, pa praninë e saj, duke u angazhuar për t’ia kthyer. Kallezuesi Intesa San Paolo Bank keto gjashtedhjete e nëntë mandate te tërheqjes i ka depozituar fotokopje bashkëlidhur kallëzimit penal.