Dy nga elementët më të bukur të festave të fundvitit janë pema dhe tavolina. Ndërsa pemën e kemi zbukuruar që në ditët e para të dhjetorit, shumë amvisa vrapojnë të bëjnë përgatitjet e fundit për tavolinën e darkës së fundvitit. Ne ju sjellim disa këshilla se si të shtroni bukur një tryezë festash, pa u shtuar shpenzime ekstra atyre të ushqimit. Krahas tryezës së bukur, edhe atmosfera në dhomën tuaj të ndenjes duhet të jetë e tillë.
Vini në punë imagjinatën
Të shtrosh një tavolinë që do t’i lërë me gojë hapur miqtë tuaj është e mundur edhe pa shpenzuar shumë. Mbani parasysh magjinë e festave dhe kërkoni frymëzimin pikërisht aty. Tryeza juaj nuk ka pse të jetë e mbushur me servise të reja pjatash dhe nuk keni nevojë të blini një mbulesë që kushton shumë. Mund të përdorni fare mirë mbulesën e vitit të kaluar, duke i shtuar disa elemente surprizë, të cilët mund të jenë pecetat apo qirinjtë e zgjedhur në ngjyra që bien në sy më shumë.
Të gjithë bashkë, më shumë dashuri në tryezë
Të shtrosh tavolinën e mbrëmjes së vitit të ri është po aq kënaqësi sa të zbukurosh pemën. Para se ta bëni, mendoni se kë mund të përfshini në këtë proces. Ata mund të jenë fëmijët, të afërmit apo miqtë që do të festojnë me ju. Nëse keni fëmijë, kërkojuni atyre të shkruajnë emrat e atyre që do të ulen rreth tavolinës. Me një stilolaps ose bojë me xixa do të ishte shumë bukur. Madje mund t’u sugjeroni të shkruajnë edhe ndonjë mesazh për secilin prej të ftuarve, për ta vendosur poshtë pjatës. Kush më bukur se një fëmijë me shkrimin, gabimet dhe pafajësinë e tij mund të urojë për festat e fundvitit. Dora e një të rrituri mund t’ju vijë në ndihmë për rregullin e tavolinës, duke luajtur edhe me formën e pecetave. Ne ju sugjerojmë t’i bëni në formë mjellme.
Bëjini të gjithë të qeshin
Një darkë e bukur feste nuk ka kuptim pa të qeshurat me zë të lartë të pjesëmarrësve. Asnjëri nuk rri pa u përfshirë dhe batutat nuk kanë fund. Pikërisht ky është shpirti i darkës së fundvitit. Për të arritur këtë duhet të krijoni një atmosferë relaksuese për të ftuarit, ku ta ndiejnë veten mirë si gjyshet, ashtu edhe fëmijët 3-vjeçarë. Përpiquni të krijoni situata lojërash dhe shakash ende pa u ulur në tavolinë. Atmosfera do të mbetet e tillë gjatë gjithë darkës.