Punësimi i denjë dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës do jenë në fokusin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2016.
Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe takimi i mbajtur sot në Tiranë, me temë “Nxitja e mundësive të përshtatshme për punësim dhe mbrojtjes së punëtorëve migrantë në Shqipëri”, kjo mbi kuadrin rregullues të Agjencive Private të Punësimit në Shqipëri kundrejt standardeve ndërkombëtare të miratuara për rekrutimin e punëtorëve migrantë.
Të pranishëm në këtë takim ishin: ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, z. Brian Williams, kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë, z. Nikolin Jaka, Presidenti i Shoqatës së Agjencive Private të Punësimit dhe Formimit Profesional, z. Ermal Jahuri.
Në fjalën e tij, ministri Klosi theksoi rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe agjencive private të punësimit, jo vetëm për të krijuar mundësi punësimi, por edhe për të garantuar kushte dhe siguri për të punësuarit. “Mbase duke humbur edhe nga autoriteti i organit shtetëror në këtë proces, pra ofrimin e punës te qytetarët nuk mund ta bëjmë vetëm. Pavarësisht se ministria mund të ketë një rol lider, neve na duhet bashkëpunimi me agjencitë private të punësimit dhe biznesit, në mënyrë që punës t’i gjejmë njeriun. Natyrisht duke respektuar rigorozisht të gjitha kërkesat dhe standardet ndërkombëtare për rekrutim e punësim dhe dokumentet që Shqipëria i ka ratifikuar tashmë, siç është Konventa e ILO-s për Agjencitë Private të Punësimit”, tha ministri.
Më tej ai është fokusuar pikërisht te handikapi që ekziston sot në vendin tonë, ku pavarësisht kërkesës së madhe për punë, ekziston dhe një realitet tjetër, ku bizneset kanë kërkesa të mëdha për punonjës. “Është e nevojshme të kemi një bisedë më të hapur dhe një debat më të madh publik, të cilin ne politikanët e kemi pasur vështirë ta bënim, sepse kudo ndihet ajo kërkesa për punësim. Por në të njëjtën kohë e kemi pasur të vështirë të themi që në Shqipëri ka punë. Ndaj mendoj se ka ardhur koha ta themi hapur që në Shqipëri ka nevojë për punë, por në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka nevojë për profesionistë; në Shqipëri ka nevojë për njerëz që duan të punojnë dhe që dinë të punojnë”, theksoi ministri Klosi.
Për këtë qëllim, është shprehur Klosi, përveç përpjekjeve të filluara tashmë brenda sistemit të institucioneve shtetërore, Ministria ka ndërmarrë një qasje të re ndaj të gjithë aktorëve, të cilët veprojnë në tregun e punës për lehtësimin e kërkesës me ofertën, siç janë agjencitë private të punësimit, për të bërë një ndërmjetësim të shpejtë e të saktë në tregun e punës gjë që nxit dhe një mirëfunksionim të tij, por edhe duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe formimit profesional të shqiptarëve. “Dhe qytetarët shqiptarë kanë një problem shumë të madh në këtë drejtim, pasi në radhë të parë e presin punën në shtëpi, në radhë të dytë e kanë të vështirë të orientohen në tregun e punës dhe në radhë të tretë, e kanë pasur të vështirë të besonin te sistemi i arsimit profesional”, – shtoi Klosi.
Sa i përket punës që po zhvillohet në drejtim të krijimit të kushteve për formim profesional të krahut të punës, ministri deklaroi se synohet që këtë vit të dyfishohet numri i atyre që marrin një certifikatë nga qendrat apo shkollat e arsimit profesional. “Do të ndërmarrim këtë vit një aksion të madh, ku kërkojmë që të gjithë të jemi aleatë e të kemi një dyfishim të shqiptarëve që marrin një certifikatë të arsimit dhe formimit profesional. Duket si një nismë e vështirë, por në bazë të një hapësire më të madhe që ne do u japim shkollave tona profesionale dhe duke nxitur investimet, në çdo qark të vendit do të kemi qendra të ofrimit profesional”, – tha Klosi.
Lidhur me rolin që mund të luajnë agjencitë private të punësimi, ministri theksoi se kanë lindur dhe premisat për institucionalizimin e një bashkëpunimi dhe duke vlerësuar mundësitë e shkëmbimit të informacionit për vendet e lira të punës, duke synuar kështu një ndërveprim të sistemeve tona elektronike të bazës së të dhënave. Pra, të një lidhjeje të sistemit të bazës së të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit me portalet e këtyre agjencive.
“Do duam shumë që të kemi një database apo një bazë të dhënash, e cila shkëmbehet nëpërmjet agjencive shtetërore dhe atyre private. Kjo pasi duam që vendet e punës që kemi të ofruara nga biznesi, të jenë pjesë e njoftimeve të agjencive private”, – tha Klosi. Ai gjithashtu bëri të ditur edhe faktin se duke filluar nga muaji mars, do të nisë ngritja e zyrave të punësimit të përkohshëm. Në fund ai ka vlerësuar rolin dhe kontributin që IOM ka dhënë në hartimin e masave të Strategjisë për Punësim dhe Aftësi.
Ndërkohë që Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, z. Brian Williams në fjalën e tij vlerësoi se është jetike për të ardhmen e Shqipërisë që sistemi i punësimit të punonjësve jashtë vendit të jetë efektiv, ashtu si edhe i sigurt.
“Sa më shpejt që Shqipëria të ketë një sistem efektiv për të promovuar emigrimin e sigurt dhe punësimin produktiv, aq më shpejt do të jetë në pozicionin për të përfituar avantazhe të plota në lidhje me integrimin europian.
Me aplikimin e një programi të fortë në vend, Shqipëria do të jetë në një pozicion më të mirë për të shënuar arritje të qëndrueshme zhvillimi për sa i përket rritjes ekonomike, punësimit e shumë çështjeve të tjetra”, Williams.
