Nga Moikom Zeqo
Në verën e vitit 1280 një ushtri e madhe anzhuinësh rrethoi qytetin kështjellor të Beratit. I udhëhiqte strategu Hugo De Sul. Anzhuinët kishin krijuar Regnum Albaniae, me kryeqytet Durrësin. Mbreti i anzhuinëve, Karli I-rë, ëndërronte një projekt të përbindshëm; të pushtonte Gadishullin Ilirik dhe tërë perandorinë bizantine.
Beteja në muret e Beratit qe për jetë a vdekje. Pikërisht në Berat, anzhuinët pësuan një disfatë të pallogaritshme. Kjo ngjarje më ka bërë përshtypje të madhe.
Sinopsi im për të lidhet me vitin 1992. Në zyrën time, në Muzeun Historik Kombëtar, erdhi një mëngjes, një njeri i shkurtër me lëvizje të papërmbajtura të duarve. Dukej i eksituar.
Më tha se ishte një koleksionist, se kishte zbuluar shumë relike, se kishte gjetur përkrenaren e mbretit ilir, Gentit, 15 ikona të panjohura të Onufrit, se diku në një fshat të Martaneshit i kishte rënë në dorë dhe një kodik me pergamenë, i shkruar në gjuhën shqipe tre shekuj më hershëm se libri i Gjon Buzukut etj, etj.
Si të gjithë koleksionistët, ai qe fantazmagorik, me një mirësjellje të shtirur deri në servilizëm të pakuptimtë.
Që në fillim, ky njeri i panjohur më krijoi një mosbesim të neveritshëm. E dëgjoja me mospërfillje, por me nerva të tendosura. E pyeta nëse kishte diçka me vete për të ma treguar.
-Sigurisht, – klithi ai.
Nxori nga xhepi i xhaketës një tub qelqi të mbyllur, brenda të cilit dukej një lloj flete papirusi e shkruar.
E pashë me vëmendje këtë tub qelqi, duke u tendosur, me një vëmendje befas të pakufijshme. Ç’të ishte vallë ky dorëshkrim i përbërë vetëm nga një fletë papirusi? E pyeta se ku e kishte gjetur.
Më tha se ishte nga Berati, kishte hyrë brenda një kishe të Shën Mëhillit, kishte gërmuar me kazëm murin gjysëm rrethor të apsidës, pas shembjes së tullave kishte zbuluar se ishte dhe një shpellë e cila kishte gjurmë afreskash. Aty e kishte gjetur tubin prej qelqi me fletën e papirusit.
Isha si në një gjendje shtrëngate mendore. Befasisht kuptova gjithçka. Bëra një lidhje me ato që kisha lexuar nga kronika e Gjergj Pahimerit.
Ky kronist bizantin kishte lindur në Nike, në vitin 1242. Në 1261 shkoi në Kostandinopojë, ku mori funksione të larta kishtare dhe shtetërore. Kronika e tij e përbërë nga 13 libra përfshin ngjarje të periudhës 1261-1308. Stili i tij është arkaik. Ka shprehje homerike dhe ton teologjik, përdor muajt sipas emërtimit antik.
Në kronikën e tij ai përmend edhe betejën epokale të Beratit. Pahimeri ka qenë vëzhgues i drejtëpërdrejtë. Pra, tërësisht intim. Kuptohet, i besueshëm.
Ai thotë se, kur Perandori mori vesh lëvizjen apokaliptike të azhuinëve nga Durrësi drejt Beratit, u shqetësua dhe e quajti një fakt fatal. I lindi befas ideja e vetëvrasjes, kuptoi qartësisht se në rast humbjeje, nuk do të ishte më Perandor. Për të, të mos qe Perandor, do të thotë të jesh i vdekur.
Perandori vendosi t’i bënte apel fuqive hyjnore. Qe më tepër i krishterë sesa ishte kryeshtetar. Iu lut, i rënë në gjunjë, 24 orë, Krishtit, në altarin e Shën Sofisë.
Në një audiencë me Patriarkun e madh, i tregoi se kishte parë një vegim. I qe shfaqur vetë Krishti dhe i kishte thënë se fuqia më e madhe e mbijetesës qe tek shkronjat ungjillore sesa tek shpatat.
E porositi Patriarkun që, për secilin ushtar të ushtrisë bizantine të përgatitej një tub qelqi brenda të cilit të futej një fletë papirusi, ku të shkruheshin pjesë nga Psalmet dhe shkrimet e shenjta.
Të bekoheshin me ceremoni të thekshme dhe madhështore këto objekte, që do i paraprinin fitores.
Perandori dërgoi dhëndrin e tij, Mihal Despotin dhe Domestikun e madh, Tarkanjotin, i quajtur dhe ky Mihal, dhe mandej Stratopedargun e madh, Johan Synadionin, eunukun Andronik, i cili qe edukator i oborrit dhe që quhej Jonopolitis, për t’i mbartur 30 mijë tubat prej qelqi mbi karroca me rrota bronxi, të tërhequra nga katër kuaj, për ti çuar tek luftëtarët që po përgatiteshin për mbrojtjen e Beratit.
Në 50 kishat e brendësisë së Kështjellës së Beratit u recituan hymne, secilit mbrojtës iu dha nga një tub qelqi me fletën e papirusit të shkruar.
Pahimeri e përshkruan mëngjesin e ditës kur mbrojtësit dolën nga muret kështjellorë, në një ditë prilli të vitit 1281. Hollësirat janë të pafundme, ndoshta të tepruara. Anzhuinët ishin në eufori, kalorësit e tyre mbanin të pikturuar në parzmore zambakët heraldikë francezë.
Spikati sidomos kalorësi bizantin, Ros Solymaj. Ai, si një Shën Gjergj i Ri, kalëronte mbi një pelë të fuqishme, me shpejtësi të pazakontë. Pikërisht Solymaj u ndesh në breg të lumti Osum me strategun anzhuin, Hugo De Sul.
Bizantini e vrau kalin e anzhuinit, Hugo De Sul-i u rrëzua në lumë, Solymaj e kapi të gjallë. Sapo anzhuinët e morën vesh këtë gjë, u zotëruan nga një panik i pabesueshëm. Gjithçka qe më pas një masakër dhe një katrahurë. Mbrojtësit e Beratit vërshonin duke mbajtur me dorën e majtë secili tubin prej qelqi dhe në dorën e djathtë shpatat. Pamja qe e frikshme dhe hyjnore.
Në muzg anzhuinët u shpartalluan, diçka e ngjashme me dekompozimin e një mali që shndërrohet në rërë. Fitorja qe e plotë, kuptohet, e egër.
Mëngjesin tjetër, bizantinët dhe banorët arbër të Beratit, e festuan fitoren. Secili prej të mbeturve gjallë dorëzoi në Katedralen e Madhe të Shën Marisë tubin prej qelqi, hajmalinë e tyre çudibërëse.
Por, heroi i ditës, i pafrikshmi Ros Solymaj, mes shkëlqimit të lavdeve, mbante në dorën e majtë tubin prej qelqi të thyer.
Ai nxori fletën prej papirusi dhe lexoi përpara të gjithëve çfarë qe shkruar në të. Çuditërisht citati nuk qe në greqishten bizantine por qe në latinisht, marrë nga një vepër e hershme e Tertulianit kartagjenas. Qenë këto fjalë: “Certum est, quia impossible” që do të thotë “Është gjë e sigurt sepse është e pamundur”.
Të gjithë u hutuan nga ky tekst i papritur. Nuk arrinin të kuptonin dot asgjë..Ç’donin të thonin këto fjalë Ç’kuptim kishin ato? Ç’qëllim kishte patur shkruesi, i cili kishte zgjedhur citatin shumëkuptimësh dhe ndoshta të paqartë? Megjithatë, të gjithë e brohoritën deklamimin krenar të fitimtarit.
Më vonë, një farë poeti, gjithashtu teolog, e shkroi një poemë për kuptimësinë e pafundme të citatit të Tertulianit.
Duke shfrytëzuar vesin e tij të alegorisë së pakufijshme, ai u mundua të shpjegonte se e pamundura është vërtetë në substancë e sigurt, se anzhuinët, gjithashtu të krishterë, operonin me të njëjtat ide të ungjijve, ose dhe të etërve të mëdhenj të kishës, prandaj ata ranë viktimë e moskuptimit dhe të sensit të këtij citati, jo rastësisht të shkruar në latinisht.
Ky keqkuptim lidhet me dykuptimsinë e famshme të orakujve delfikë, ose dhe të sibilave pagane që projektonin në thëniet e tyre poetike të ardhmen e krishtërimit të persekutuar. Nëse fitorja e bizantinëve qe e sigurt, pikërisht e pamundur qe ëndrra për fitore e anzhuinëve.
Brenda citatit qe projektuar që në hershmëri skema strategjike, të gjitha tekstet e tjera biblike mund të koncentroheshin fare lehtë tek ky citat i hatashëm.
Brenda trupit prej qelqi qe fshehur enigma e madhe. Pikërisht tubin me citatin e Tertulianit, pa asnjë short, pa asnjë parapëlqim, një forcë transcedentale ia dha pikërisht Ros Solymaj-t.
Ky qe projekti misterioz dhe absolutisht i qartë i vetë Zotit. Qe, ndërkohë, dhe një formë shkrimore e betejës së përgjakshme në natyrë.
Në citat qenë fiksuar gjeografia, lumi Osum, pozicioni lartësues i Kështjellës së Beratit, tërë lëvizja kapërthyese e luftëtarëve të kundërt me njëri tjetrin, gabimi dhe e vërteta, vdekja dhe jeta, disfata dhe fitorja.
Sinopsi i kësaj ngjarjeje, të cilën e shkrova menjëherë, më ka detyruar që në mënyrë të përkorë dhe të frymëzuar, të bëj edhe disa shtesa plotësuese.
Pahimeri tregon pa mëdyshje se, fitorja e furishme e bizantinëve u konsiderua më tepër një plotfuqishmëri e besimit, një triumf argumenti, për të vërtetuar parësinë e krishterë të bizantinëve në raport me anzhuinët, të lindjes mbi Perëndimin.
Për këtë arsye, Perandori urdhëroi që në pallatin e Vllahernës të përurohej një afresk i madh rrëfimtar për këtë kryengjarje.
Ky qe pallati perandorak, më i spikaturi nga të gjithë. Në këtë afresk paraqitet Hudo De Sul-i, i rrëzuar përtokë, kokën e tij e shkel me këmbët e zbathura vetë Jezu Krishti, ndërsa shumë figura ëngjëjsh me harqe në duar lëshojnë shigjeta mbi shpinën e të mundurit.
Më pas, në Berat u ndërtua kisha e Vllahernës, si një përkujtim religjioz. Ndoshta në të fillimisht ka qenë dhe afresku i Kostandinopojës.
Le të rikthehemi tek koleksionsti i fantaksur.
Iu luta që t’ia dhuronte muzeut tubin e tij prej qelqi. U zgërdhi dhe më tha se kërkonte 500 000 $.
-E pamundur, – i thashë.
-Si të duash, – ma ktheu.
-Po përse ky çmim kaq i lartë? Ti as kupton gjë nga ky objekt.
-Pashë sytë e tu që shkëlqyen ndërsa po e shikoje, – mu përgjigj.
-Unë mund të gaboj, por ti nuk gabon. Nëse nuk e blini ju, fare mirë mund ta shes në Greqi.
-Do të ishte një krim, – i bërtita.
-Krim? Ç’do të thotë krim? Unë e gjeta, por e gjeta vetëm për ta shitur. Nuk më intereson historia, as lavdia. Më intereson vetëm paraja. Kjo është gjëja më normale në këtë botë. Unë jap, ju më jepni. S’ka asgjë të tmerrshme në këtë mes.
Duke parë pavendosmërinë time të shqetësuar, ma rrëmbeu tubin prej qelqi me fletën prej papirusi të shkruar, më tha se do të vinte mbas një jave, ndoshta unë do të gjeja mundësinë për ta paguar etj, etj, por doli nga dera e zyrës time si për të hyrë në botën e hiçit dhe të harresës së përtejkohshme.
Ç’të qe shkruar vallë në atë fletë papirusi që u zhduk në terr?
Ç’citat? Ç’domethënie? Ç’profeci?
Këtë gjë nuk e mësova kurrë.
Rilexova shumë libra dhe kronika për betejat e famshme. Rrëmova në bibliotekë të dhënat për historinë e pakufijshme të Bizantit.
Mund të them, ndonëse jo i sigurt, se rasti i betejës së Beratit me pajisjen e mbrojtësve me tuba qelqi që mbanin brenda shkrime, qe një rast unikal dhe i papërsëritshëm në histori.
Kjo vërtetonte diçka zanafillore, të përjetshme, aspak absurde, se shkronja e drejton shpatën, se çdo lloj shpate nuk është gjë tjetër veçse një arketip shkronje, p.sh. shpata e drejtë me dorezë i ngjan gërmës “T”, të quajtur nga teologët “tau” që lidhet me emrin e Zotit Theos, se shpatat gjysëm të përkulura i shëmbëllejnë gërmës “C”, që i paraprin fjalës latine “celium”, d.m.th. “qiell”.
Këto janë dy arketipët kryesorë të shpatave, pra shpatat nuk janë gjë tjetër veçse dy gërma, dy simbole alfabetike, që gjithsesi lidhen me hyjnoren dhe Zotin.
Pra shkronjat e dorëshkrimeve farkëtohen në shpata, duke përcjellë në format e tyre të hekurta cilësinë e kuptimeve të mëdha dhe fatale.
Çdo betejë fizike është në substancë një betejë shpirtërore.
Alfabeti shkruhet me ngjyrën e bojës nga skribët.
Boja e lëngshme ngrin në dorëshkrim.
Shpatat përdorin të njëjtën mënyrë, ato shkruajnë arketipin e tyre mbi trupat e njerëzve, duke bërë që të rrjedhi gjaku, pastaj gjaku ngrin.
Nuk ka ndryshim të madh midis aktit të të shkruarit me penë dhe prerjes së trupave me shpatë.
Sinopsi mund të shtjellohet duke shfrytëzuar më tepër fantazinë sesa alegorinë.
Alegoria, duke qenë interpretim, është njëkohësisht edhe kufizim. sepse bën një klasifikim.
Fantazia nuk ka përmasa.
Ç’nuk do të jepja unë në këtë botë për të shtënë në dorë përsëri reliken që m’u ofrua rastësisht dhe u zhduk përjetsisht? Është njësoj skur të kesh në dorë një zog parajse, shkas për të rikonstruktuar parajsën që nuk e njohim.
Zogu ikën dhe nuk kemi asnjë mundësi paraprake, as të mëpasshme, për ta njohur këtë parajsë.
Thelbi i sinopsit megjithatë është citati i Tertulianit.
Ky citat përcakton dhe fatin e vetë sinopsit, vetëkuptohet “është e sigurt se është e pamundur”.
Deklamimi i këtij citati në një mjedis arbëreshësh dhe bizantinësh, në Kështjellën e Beratit, shtatë shekuj më parë, qe pikërisht enigma që më drejtoi para së gjithash mua.
Këtë e kam kuptuar më vonë.
Çdo gjë qe e paracaktuar për mua, për pamundësinë time, për mosrealizimin tim për këtë subjekt.
Askush nuk mund të thotë pse ndodhi kështu, askush nuk mund t’i kuptojë lëvizjet e një historie të fshehtë shumë më të madhe dhe më të plotëfuqishme sesa historia reale e kronikave.
As kronikani Pahimer, as Ati i Kishës, Tertuliani, nuk kanë ditur asgjë për mua, sepse unë, një njeri i zakonshëm, nuk e gëzoj atributin e të paralindurit.
Megjithatë, ka një ndërthurje të brishtë dhe të tejpashme në të gjitha detajet.
Ndoshta, duke e patur edhe unë në dorën time tubin prej qelqi që mbante të mbyllur në pafundësi fletën prej papirusi të shkruar, në një trup letrar, të rikthimit në kohë, mund të isha si një shpirt në trupin e kalorësit të çuditshëm, Ros Solymaj.
Në këtë pikë ëndërrimi mund të qe i dobishëm dhe konkret, do të përjetoja thyerjen e tubit prej qelqi dhe do të lexoja të shkruajturën e papirusit misterioz, ndoshta një tjetër citat, ose nga Psalmet, ose nga Libri i Jobit, ose nga Apokalipsi, për të kuptuar saktësisht shumëllojshmërinë e pandalshme të kuptimeve të amëshuara, ndoshta fatin tim kontradiktor, ndoshta grishjen e pamëshirshme të së Papriturës së Madhe, por me siguri përkohshmërinë time, pafuqinë e saktë, pozicionin tim kaq të përkohshëm në këtë botë midis realitetit dhe ëndrrës.
*****
Botuar në DITA, shkruar në 1995. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
Nga ky citati eshte njelloj sikur ti mos ta prisje kete koment, e megjithate une s’kam per te thene asgje.
Perveç qe ti gjithmone personazhit kryesor kerkon ti japesh karakteristika specifike te tua dhe kur nuk perkon ne kete rast je pjese e bisedes vete me ate trafikantin e ” ju me jepni une jua jap “, i bie qe e perjoton (/ke perjetuar) dyfish, nderkohe per mendimin tim edhe pse autori kerkon te jete personazhi kryesor apo eshte si ju ne kete rast) gjithmone duhet te ruaje nje distance, ku edhe perjetimi te jete nostalgjik me mesazhin e jo me emocionin, apo shkrimin e shendetin. Qe i bie te kesh gjetur letren por jo shkrimin e nje luftetari qe ne kete rast nuk i kishte rene shprehja e duhur, dhe ishte vendosur ne pozicionin jo te duhur ne momenti jo te duhur. Prandaj pavarsisht permiresimit qe ke pasur ti, ne disa aspekte, je munduar qe minimalisht te ruash tubin e qelqte te pathyer sesa beje shkrimin disa vite pas.
Shtet i dobet. Te gjitha keto vlera te shenjta jane te shtetit dhe duhen te kthejen ne shtet. Do te duhesh qe ju te lajmeronit policine. Varferia eshte krimi i pa dukshem qe shteti dhe shume vete nuk e kane kuptuar akoma. Nje shkrim dhe ndodhi qe te mbushe me trishtim dhe dhimje te tmershme. Sa keq.
Shteti duhet tia kishte sekustruar ketij trapit dhe te caktonte nje shume te arsyeshme per trapin natyrisht.
Vend leshi…
Po kush ishte shteti ne ate moment?! Perse nuk i thoni vet autorit qe duhet ta kishte bere kete se ai ishte perfaqesuses i shtetit atehere? Kush tjeter nga shtetaret e dinte kete qe te vepronte? Realisht, autori le te kuptoj pendesen e tij per kete,por une mendoj qe ai duhet ta trajtonte kete aspekt me seriozisht dhe te shprehte me dukshem pendimin e tij qe nuk reagoi atehere. Megjithate, une dua te them ne te njejten kohe se ky eshte nje shkrim brilant nga ana letrare ku ne te njejten kohe tregon nivel te larte kulture dhe filozofie te autorit. Kjo eshte mjaft inteligjente dhe e admirueshme.Mendoj se eshte nje nga shkrimet e tij me te mira. Nuk jam dakort me ndonjerin qe mendon se ai mundohet te prezantoj vehten e tij me shume se sa duhet ketu. Ai jep mendimet e tij dhe shpreh botkuptimin e tij, dhe kjo eshte shume e domosdoshme se shkrimi nuk eshte thjesht nje kronike ku vetem duhet te raportoje ngjarjen. Ne se ai s’do te shprehte idete i tija, atehere ky shkrim s’do te kishte asnje vlere. Ai nuk eshte gazetar kronikash, por eshte njeri i letrave dhe ai e prezanton vehten si te tille me kulture. Do te me pelqente shume te lexoja shkrime te tilla nga z. Zeqo ose nga njerez te tjere te ditur qe mund ti sillte ketu gazeta” Drita” dhe te injoronte disa pseudointelektuale dhe pseudoanaliste qe e perdorin gazeten per propogande si zoterinjte Murati and Bugajski. Une nuk kam te drejte te imponoj mendimin tim, por eshte shume fyese dhe revoltuese kur lexon artikuj propogande dhe fotografite e atyre qe i shkruajne ato duke i trajtuar keta palo intelektual si mite ose si udhheqes global. Respekt per autorin.
E more ne dore tubin dhe e leshove perseri ne doren kriminelit?!Te gjitha thesaret minerale apo kulturore(shpirti i nje kombi) te nentokes,jan prone shtetrore,kerkuesit privat denohen me ligj ne te gjith Boten.Ata qe gjejn diçka rastesisht,jan te detyruar ta dorezojn,ndryshe vepron forca e ligjit.Arkeologu sirian nuk u largua nga palmyra kur erdhi ISIS,pronoi te vdiste se sa ta braktiste.Mire qe nuk bere trimin,se ndoshta banditi ka qene i ri dhe i fuqishem;po policine,a e lajmerove qe t’mos i jepje koh te kalonte kufirin shtetrore?Jeten e kisha lene peng,tubin e qelqit kurre. Më bere me dhimbje koke.
e sakte , me e pakta qe duhet te kishte bere ta denonconte , ato pasuri i takojne te gjithe popullit , …
Tani shiko një hartë të shqipëtarëve më të lashtë se 1280 (para lufës Michael i Epirit me Michael VIII,se edhe në këtë kohë Epiri na çliroi), dhe që i përket 1050 nga St. Sever Beatus (Mappa mundial). Lexojw njëherë çfarë shkruan ajo për Albanian pavarsisht se është latinisht dhe do të gjesh thesarin e jo ca qelqurina me vlerë shumë më të madhe që duhen e çduhet në kohët e sotme.
Cfare garancie ke o Moikom qe ai koleksionisti nuk po tallte menderen me ty? Sa i sigurte je ti qe ai tub qelqi ishte origjinal, apo i bie qe duhet te jete i pamundur qe te jete i sigurte? Mjaft o Moikom me perralla pordh-historike, merru me noi gjo me te dobishme. Jo per gje, po shif si ngrefen patriotet komentues per ate qe duhet te koshte bere shteti, dmth shteti i dhjere, mekati me i madh i te cilit nuk eshte ky tub qelqi pirdhi ne te i perralles tende te rradhes.
Perralla?!
Perralla ne Shendre te zakonshme te pseudohistorianit Moikom Zeqo?!
Po denocimin a bete ju historian plehre ne institucionet e shteti shqiptar kush do qofte….
Shkrim brilant, nje nga perlat e Moikomit.Vertetesia e diskutueshme.
Nderkohe qe pendesa e tij esht e ndjeshme, nuk figuron e plote. Nuk ka mundur te dale nga suaza e shtetit te asaj kohe.