Tufa, Çaushi dhe Kulla kërkojnë ulje dënimi

redaktor

Tre të burgosur VIP në burgjet shqiptare, të dënuar për krime të rënda si vrasje dhe drejtim organizatash kriminale të armatosura, nuk dorëzohen dhe i drejtohen Gjykatës së Tiranës për ulje dënimi, lirim apo amnisti. Bëhet fjalë për Lavdërim Tufën, Zani Çaushin dhe Nehat Kullën. Tufa, i dënuar me 20 vite burg për vrasjen e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) do lirimin me kusht dhe shërbim prove pasi i kanë mbetur pak më shumë se 4 vite burgim për të vuajtur. Çaushi kërkon bashkimin e dënimeve, pasi vendimi i fundit i Gjykatës së Tuiranës në 2009 që e dënoi me 18 vite të tjera burgim, nuk i lejon atij që në të ardhmen të përfitojë ulje të dënimit të përjetshëm të dhënë në 2008. Kurse “gjenerali” Kulla, i dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e shoferit të ish-ministrit Halit Shamata, kërkon amnistinë për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

 

lavderim tufaLavdërim Tufa

Nuk është dorëzuar kurrë në betejën me drejtësinë dhe asnjëherë nuk e pranoi krimin e vrasjes së bujshme të Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) te akuadromi në Lundër më 29 mars 2003, ku mbetën edhe 2 persona të tjerë të vrarë, kamerieri Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, edhe pse sipas prokurorisë nuk kishte prova bindëse, por dyshohej se Tufa kishte ndihmuar autorët të largoheshin. Ka vuajtur 10 vite burgim, të tjerat i ka përfituar me ulje dhe paraburgim, duke e çuar shlyerjen në 15 vite. Vjet përfitoi edhe 1 vit tjetër ulje dënimi nga gjykata, pas 4 kërkesave radhazi brenda 2013-ës. Por duket se edhe këtë vit, Lavdërim Tufa nuk është dorëzuar. Kur i kanë mbetur pak më shumë se 4 vite izolim, më 29 gusht të këtij viti, ai ka depozituar një kërkesë për “liri me kusht” në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Sokol Tona. Çështja mban numrin 1269 dhe kërkesa është mbështetur në Nenin 477 të Kodit Penal. Në uljen e dënimit vitin e kaluar gjykata argumentoi se asnjëherë nuk u provua plotësisht përfshirja e Tufës në krim. Mësohet se në kërkesën e këtij viti, Tufa shpjegon se ai është gati të vihet në shërbimin e provës dhe jo të lirohet plotësisht.

 

nehat kullaNehat Kulla

Nehat Kulla, i vetëquajtur “gjenerali”, është një tjetër i burgosur i njohur i botës së krimit që kërkon ulje dënimi. Mes shumë përballjesh me gjykatat, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, po tenton të përfitojë nga ligji dhe hapësirat e tij, për t’iu afruar sa më pranë lirimit nga burgu. Ai është transferuar tashmë në Burgun 325 në “Ali Demi” në Tiranë dhe prej andej ka bërë kërkesën për përfitim nga ligji për amnistinë. Kërkesa është depozituar më 12 maj të këtij viti në Gjykatën e Tiranës, me gjyqtar Arben Mickon dhe mbështetur në Nenin 71 të Kodit Penal. Kulla ka kërkuar amnistinë e veprës penale “armëmbajtje pa leje” pas kalimit në Kuvend të Amnistisë. Kulla është dënuar me vendimin nr.109, datë 14 tetor 2008, të Gjykatës së Kavajës, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës më datë 17 mars 2009, me 20 vjet burgim. Nehat Kulla u cilësua fajtor për vrasjen e Halim Gjuzit, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata. Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 korrik të vitit 1998, në Golem të Kavajës. Kulla u arrestua në vitin 2005 për herë të fundit.

 

Zani Çaushi

zani caushiNdryshe nga dy të parët, i forti i “Çoles” në Vlorë gjatë vitit 1997 kërkon bashkimin e dënimeve. Ai ka qenë më parë i dënuar me burgim përjetë për vrasje të trefishtë në betejat mes bandave rivale. Por në vitin 2009 është dënuar përsëri me 18 vite burgim për drejtim të organizatave kriminale të armatosura. Në të njëjtin proces në Gjykatën e Tiranës u dënuan edhe 3 shokët e tij. Nëse nuk bëhet bashkimi i dënimeve, Çaushi humbet të drejtën për të përfituar në të ardhmen ulje të dënimit të përjetshëm, pasi dënimi më i fundit ia rëndon pozitën juridike dhe penale. Kërkesa për bashkim dënimesh është depozituar më 20 qershor të këtij viti dhe gjyqtar është po Arben Micko. Herën e fundit u dënuan Dorian Salihu me 22 vite burg dhe Skerdian Bajrami, me 5 vjet burg dhe i pafajshëm u shpall Renato Çerçizi.

Share This Article
4 Comments
  • Se kuptoj ca do me thene se kuptoj pse duhet edhe tja pranojne si kerkesa se kuptoj pse qenkan te denuar vip pas hekurave jane te gjithe njesoj dhe se kuptoj pse nuk i vuajne denimet neper burgje sa me larg shtepive keta qe kane mare jete njerezish se kuptoj as pse i lejojne te kene avokate.

  • Qellimi i denimit me burg eshte qe njerzit ta kuptojne se cdo te thoote heqje lirie …dhe nepermjet vuajtjes se denimit te reflektojne dhe te kthehen ne qytetare te devotshem ….Vetem ne Shqiperi eshte koncepti qe kush burgoset mos te ddal me ……….Ne per bote te denuarit punojne …dhe u ulet edhe denimi …….edhe keta kan te drejte te kerkojne ulje …..ishalla drejtesia gjykon drejt ……

  • @vlora Pasi tja ulin denimin shpresoj qe njeri nga keta te qelloje dhe te vrase nje njeri qe ke per zemer pastaj ta shohim a do flasesh me se cfare ndodh neper bote apo jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *