Tumoret e gjakut, ulet mosha e të prekurve

anazapta

Sëmundjet kanceroze të gjakut po gjejnë gjithnjë e më shumë terren përhapjeje në zonat urbane. Shifrat e raportuara nga autoritetet shëndetësore të vendit tonë vënë në dukje se gjatë dekadës së fundit është dyfishuar numri i pacientëve që rezultojnë të prekur nga sëmundjet kanceroze të gjakut.

Shtimi i rasteve të reja fatkeqësisht po shoqërohet edhe me ulje të moshës së pacientëve që janë mbartës të këtyre sëmundjeve. Një ndër komplikacionet më të shpeshta është ajo e leucemisë, e cila më parë prekte moshat  e mëdha 60 vjeç. Por sot në listën e të prekurve nga kjo sëmundje gjenden edhe të rinjtë, teksa nuk mungojnë as moshat pediatrike.

Kundrejt rasteve të shfaqura në spitale, mjeku hematolog Arben Ivanaj  tregon se faktorët që po ndikojnë në shtimin e këtyre sëmundjeve nuk janë ende shkencërisht të njohura, ndërkohë që po studiohen ndikimet e faktorëve ambientalë e veçanërisht ndotja e mjedisit, si dhe radioaktiviteti të cilat shihen si faktorë risku që po ndikojnë në zgjerimin e hartës së përhapjes së tumoreve malinje të gjakut.

“Ka patologji të cilat kanë qenë karakteristike për moshën mbi 60 vjeç. Në dekadën e fundit gjejmë një tendencë të pazakontë, edhe te moshat e reja. Faktorët e ambientit kanë ndikim. Ndotjet radioaktive njihen tani si shkaktarë të sëmundjeve malinje. Produktet kimike përfshi këtu edhe pesticidet, mund të jenë shkaktarë të sëmundjeve malinje”, bën të ditur mjeku specialist i sëmundjeve të gjakut, Arben Ivanaj.

Në nivele shqetësuese mbetet edhe trajtimi i këtyre rasteve. Kjo pasi shërbimet shëndetësore që ofrohen ndaj kësaj kategorie lënë shumë për të dëshiruar. Në pjesën dërrmuese të rasteve ndihet mungesa e theksuar e barnave, të cilat familjarët nuk mund t’i sigurojnë në rrugë private pasi kostoja e tyre është shumë e lartë dhe e papërballueshme për xhepat e tyre.

Duke parë stadet e shfaqjes së sëmundjeve të rënda të gjakut Ivanaj shton se nevojitet futja e medikamenteve të reja, përdorimi i të cilave mund ta shndërrojë këto patologji nga sëmundje me jetëgjatësi të shkurtër në kronike duke e shtuar jetëgjatësinë e pacientit. “Konkretisht “leuçemia myeloid kronike”, kurohet me një medikament që kushton 1500 euro në muaj për një pacient. Dikur ky pacient 6-9 muaj qëndronte në spital, nuk jetonte më shumë se 3 vjet. Aktualisht këta pacientë janë që të gjithë në jetë, janë të gjithë duke punuar dhe si puna e këtyre medikamenteve ka shumë të tilla që e shndërrojnë nga një sëmundje vdekjeprurëse, në një sëmundje kronike”, shprehet Ivanaj.

Sipas tij, leuçemia është një nga llojet më të shpeshta të kancerit të gjakut, e cila shpeshherë zbulohet me vështirësi për shkak të faktit se simptomat dalluese të saj mungojnë. Në mungesë të simptomave të dukshme pacientët e zbulojnë sëmundjen në stade shumë të rënduara, kohë në të cilën trajtimet mund të mos japin efektet e duhura.

Lodhja e zgjatur dhe pa arsye, humbja e pazakontë në peshë, vështirësia në frymëmarrje, ethet dhe djersitja gjatë gjumit janë ndër simptomat karakteristike shfaqja e të cilave duhet t’ju drejtojë drejt mjekut specialist. Mjafton kryerja e një analize të thjeshtë gjaku për të kapur në kohë këto sëmundje që mbartin pasoja fatale për jetën.

Kryerja e aktiviteteve të shpeshta fizike, kujdesi në dietën ushqimore, shmangia e ekspozimeve në rrezatimet e dëmshme, si dhe pakësimi i konsumit të duhanit e alkoolit janë ndër këshillat më të vlerësuara që ndihmojnë në kontrollimin e këtyre sëmundjeve.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *