Galatasaray planifikon të huazojë për një sezon mesfushorin e Barcelonës, Arda Turan. Kjo lëvizje do të ishte një rikthim në shtëpi për 30-vjeçarin, sepse atje ai ka nisur karrierën.
Presidenti i klubit turk, Dursun Ozbek, i ka garantuar një pagë prej 4 milionë eurosh ish-yllit të Atletico Madrid-it për vitin e huazimit. Përveç kësaj, ai i ka ofruar edhe shiritin e kapitenit.
Sipas së përditshmes turke “Hurriyet”, Turan është në dilemë nëse duhet ta pranojë ofertën dhe të largohet përkohësisht nga Barcelona. Ai ka luajtur për pesë sezone në Stamboll (2006-2011), ku ka fituar një herë kampionatin dhe po kaq herë edhe Kupën dhe Superkupën e Turqisë. Kur u transferua në Madrid, mesfushori quhej “Beckham-i turk”, emër që më pas u kthye në “Leonidasi i Manzanaresit”.
Dy vite më parë, Barcelona e bleu për 30 milionë euro (“Marca”) Turanin, por ai kurrë nuk bindi në “Camp Nou”, duke mos iu përshtatur stilit katalanas të lojës.
