Nxënësit që diplomohen në degët që kanë si profil turizmin apo shërbimet, nuk do të kenë vështirësi në gjetjen një vendi pune. Ky është rezultati i nxjerrë nga studimi më i fundit që Ministria e Arsimit ka kryer për tendencat e tregut të punës në vendin tonë. Studimi vë në dukje se të gjithë nxënësit apo studentët që diplomohen në degë që kanë të bëjnë me inxhinieritë: mekanik, elektricist apo agjent turistikë do ta kenë shumë më të lehtë të sigurojnë një vend pune për shtatë vitet e ardhshme.
“Është parë që përsëri mbeten sektorët e shërbimit si sektorë kryesorë, po më kryesori është turizmi, i cili ka pjesën më të madhe të të punësuarve, si dhe sektori i ndërtimit, i bujqësisë pa diskutim mbetet sektor kryesor me numrin e të punësuarve. Kështu që dhe oferta e arsimit dhe formimit profesional do të mbështetet për të gjithë ata që do të kualifikohen në këto sektorë të rëndësishëm”, deklaron drejtoresha e arsimit profesional në Ministrinë e Arsimit, Dorina Rapti.
Duke u ndalur tek gjetjet e studimit ajo shton më tej se për vitet 2013-2020, sa i takon zhvillimit të arsimit profesional do të aplikohen kritere më të rrepta në rekrutimin e mësuesve të rinj, ku një nga filtrat kryesor do të jetë provimi i shtetit.
Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 70 shkolla të arsimit tekniko-profesional dhe socialo-kulturor, të ndara në disa fusha kryesore: elektro-mekanike, ekonomike, ndërtim, bujqësi, pyje dhe veterinari, gjuhë të huaja, art, sport dhe pedagogji. Një tjetër fakt i konstatuar nga studimi është edhe rënia e ndjeshme e interesit për të ushtruar profesionin si mësues i arsimit profesional, çka e dëshmon fakti se arsimtarët që janë aktualisht në këtë cikël arsimimi i përkasin një moshe mesatare si dhe janë në prag të daljes në pension.
“Kërkojmë inxhinierë të rinj, informaticienë të rinj, agronomë të rinj. Pra, janë profesione të cilat akoma nuk kemi pasur mësues të rinj të sapo-mbaruar që kërkojnë të punësohen në këta sektorë të rëndësishëm” , shton më tej Rapti.
Redaksia Online