Megjithë një paralajmërim të pjesshëm të Ministrisë së Jashtme gjermane për udhëtimet në Egjipt, sektori gjerman i turizmit nuk beson se bumit të turizmit në vendin e krizës i ka ardhur fundi. Përkundrazi! – shkruan Deutsche Welle.
Dëshira e gjermanëve për të udhëtuar nuk prishet aq lehtë – as nga kriza e euros dhe as nga trazirat politike e madje të dhunshme në disa destinacione turistike. Për kënaqësinë e operatorëve gjermanë të turizmit, të cilët presin të tejkalojnë rekordin e arritur vitin e kaluar. “Ne presim një rritje njëshifrore në përqindje tek klientët dhe xhiroja”, thotë Torsten Schäfer nga Shoqata Gjermane e Turizmit.
Egjipti përfiton madje mbi mesataren nga dëshira e gjermanëve për të udhëtuar, megjithë protestat e vazhdueshme dhe dhunën vdekjeprurëse në rrugët e Kairos. “Dimrin e kaluar ne kishim një rritje dyshifrore në përqindje në rezervimet me destinacion Egjiptin dhe edhe këtë verë kemi sërish një rritje dyshifrore në përqindje në rezervime”, thotë Christian Müller, zëdhënës i FTI, operatorit të katërt më të madh turistik gjerman.
Kjo është arsye e mjaftueshme për sipërmarrjen për të zgjeruar më tej angazhimin në vendin afrikanoverior, megjithë situatën e vazhdueshme të pasigurt politike. Edhe për këtë verë FTI ka zgjeruar ofertën e tij për udhëtimet në Egjipt. Në sezonin e ardhshëm të dimrit, mundësia e zgjedhjes për udhëtime dhe akomodim do të jetë edhe më e madhe. Një tendencë që vihet re edhe tek operatorë të tjerë turistikë gjermanë, thotë zëdhënësi i shoqatës Schäfer. “Egjipti bën pjesë në destinacionet më të preferuara turistike për gjermanët. Për këtë arsye operatorët turistikë gjermanë vitet e kaluara i kanë zgjeruar ofertat e tyre për udhëtime në Egjipt dhe vazhdojnë të investojnë në struktura të reja hotelerie apo në zgjerimin e ofertës.”
Për të ardhmen e afërt operatorët presin rritje të fortë të numrit të pushuesve kryesisht në destinacionet turistike egjiptiane në Detin e Kuq. Edhe pse Ministria e Jashtme gjermane pas puçit ushtarak “këshillon me urgjencë shmangien” e udhëtimeve në Egjipt dhe për disa pjesë të vendit ka nxjerrë një paralajmërim për udhëtim, operatorët turistikë gjermanë mbeten optimistë. Ata presin edhe më tej që parashikimet për sezonin aktual të përmbushen dhe parashikojnë shifra të ngjashme si në vitin rekord 2010. Atëherë Egjipti regjistroi 1,4 milionë turistë gjermanë. Sipas Shoqatës Gjermane të Turizmit, aktualisht në Egjipt ndodhen jo më shumë se 35.000 pushues gjermanë. Gjatë muajve të dimrit ky numër është tri herë më i madh.
http://www.dw.de/pushime-n%C3%AB-bregdet-n%C3%AB-vendin-n%C3%AB-kriz%C3%AB/a-16949277

Atu ku bejne pushime gjermanet jane 600 km larg kajros dhe aty nuk ka shtepia me banore por vetem personel nga kajro e tjere qe ffejne ne vende te vecanta te hoteleve,une e kam shijuar 2 here detin fantastik te sharm-el sheikh dhe super te pastert qe shiheshim peshqit 30 metra thellesi,vend fantastik ,100 here me mire se ne detin e qelbur dhe te ngrohte te mesdheut si ne side,alania,belek etj