Turizmi kulturor, Durrësi dukshëm prapa Butrintit

anazapta

Faqja e internetit “open.data.al” ka bërë publike të statistikat zyrtare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të ardhurat nga turizmi kulturor 2012.

Nga tabela del se vitin e kaluar në muzetë, parqet arkeologjike kanë ardhur gjithsej 1 403 863 vizitorë, nga të cilët vetëm 102 384 turistë të huaj (ose 7 për qind).

Ndërkaq, “Dyrrah”-u, duke iu referuar po kësaj tabele, ka zbuluar se në objektet muzeore dhe arkeologjike të Durrësit kanë ardhur gjithsej… 7 255 vizitorë, nga të cilët 3 527 të huaj.

Por krahasuar me parkun e Butrintit, ku kanë shkuar 80 532 vizitorë gjithsej, nga të cilët 38 730 të huaj, vërehet shpërpjesëtimi paradoksal: në Durrës kanë ardhur 11,1 herë më pak vizitorë, kurse turistë të huaj po aq më pak (rreth 11 herë)!

Jo vetëm kaq, monumentet e kulturës së Durrësit i kanë vizituar më pak se në Tiranë, Shkodër, Bylis, Vlorë, Krujë, Apoloni, Berat, Korçë.

Nga shkallë vendi nga këto vizita janë siguruar 47,669,440 lekët të ardhura, ku nga Durrësi ka “prodhuar” 1,092,900 lekë “turistikë”, kundrejt Butrintit me 30,140,650 lekë ose 27.6 herë më pak.

Ndonjë zyrtar mundohet të përligjë faktin se një nga arsyet e kësaj panorame aspak të pranueshme është se muzeu arkeologjik është në rikonstruksion.

Gjithsesi, Durrësi ka Amfiteatrin romak nga më të mëdhenjtë e botës antike; bazilikën e Arapajt; kështjellën antike-mesjetare; muzeun etnografik e të Aleksandër Moisiut; banjat romake; forumin bizantin; kështjellën e Skënderbeut dhe kishën e Shën Ndoit në Kepin e Rodonit (Kisha e dytë e Shën Ndoit, pasi e para ndodhet në Laç) etj.

Në Durrës vërehet mediokritet si në institucionet publike (bashki, prefekturë, drejtori rajonale të monumenteve të kulturës, Institutin e Arkeologjië së Akademisë së Shkencave) ashtu dhe në operatorët privatë, që nuk hartojnë paketa turistike me përparësi monumentet e kulturës dhe natyrës që në Durrës janë më shumë se në të gjithë vendin.

 

 

Tabelat

 

Numri i vizitorëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2012 sipas Parkut, Muzeut apo DRKK përkatëse

Park/Muze/DRKK Vendas Të huaj Gjithsej
Amantia – Orikum 1,896 363 2,259
Antigone 5,722 584 6,306
Apolonia 16,306 6,353 22,659
Butrinti 41,802 38,730 80,532
Bylis 12,868 310 13,178
Shkodër 11,429 4,465 15,894
DRKK Berat 10,009 12,250 22,259
M.Historik Komb. 1,037,589 9,668 1,047,257
Muz Etno/SK Krujë 73,855 3,345 77,200
DRKK Durrës 3,728 3,527 7,255
M.K. Pav. Vlorë 42,062 903 42,965
Kal. Gjirokastër 2,963 8,184 11,147
MKArt Ms Korçë 3,041 1,611 4,652
Muz. Onufri Berat 1,995 3,958 5,953
Muz. Etno Berat 1,916 1,523 3,439
DRKK Sarandë 0 0 0
DRKK Korçë 23,735 2,345 26,080
DRKK.Vlorë/port/pale 6,161 3,048 9,209
Park.Ark.Lezhë 4,402 1,217 5,619
Totali 1,301,479 102,384 1,403,863

 

 

Të ardhurat nga turizmi në Shqipëri për vitin 2012 sipas Parkut, Muzeut apo DRKK përkatëse

 

Park/Muze/DRKK Të ardhura (Lekë)
Butrinti 30,140,650
Apolonia 2,933,600
M.Historik Komb. 2,778,480
Shkodër 2,092,400
DRKK Berat 1,976,010
Kal. Gjirokastër 1,845,860
Muz.Etno/SK Krujë 1,390,000
DRKK Durrës 1,092,900
Muz Onufri Berat 930,000
DRKK Vlorë/port/pale 775,200
Muz.Etno Berat 348,040
MKArt Ms Korçë 339,000
Antigone 272,000
M.K. Pav. Vlorë 236,200
Park ark.Lezhë 210,000
Bylis 170,700
Amantia – Orikum 119,800
DRKK Korçë 18,600
DRKK Sarandë 0
Totali 47,669,440

 

 

 

Europa Nostra: Amfiteatri i Durrësit, në rrezik

Ndërkohë, vetëm një muaj më parë, “Europa Nostra”, e konsideruar si zëri i trashëgimisë kulturore në Evropë, në një artikull të saj u kushtoi vëmendje 14 objekteve kulturore dhe historike në rrezik zhdukjeje në Europë. Fatkeqësisht, kjo listë fillon me Amfiteatrin e Durrësit. “Zbulimi i këtij amfiteatri të mrekullueshëm të shekullit të dytë, i cili u zbulua vetëm në vitet ’60, e vë qytetin e lashtë të Durrësit në hartën e siteve historike në Evropë”, thuhet në analizën e kryer. E megjithatë, ky amfiteatër me vlera të rralla arkeologjike dhe kulturore rrezikohet seriozisht nga ndërtimet urbane në Durrës, që kanë prekur një pjesë të tij, si dhe nga mungesa e vëmendjes.

Më 16 qershor në kongresin që do të zhvillohet në Athinë, 7 nga 14 objektet më të rrezikuara në Evropë do të përzgjidhen për t’u bërë pjesë e një plani shpëtimi që do t’i paraqitet Organizmit të Ruajtjes së Trashëgimisë Evropiane gjatë konferencës që do mbahet në muajin dhjetor në Bruksel.

Amfiteatri i Durrësit, i zbuluar në vitin 1966 është më i madhi dhe më i rëndësishmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ai është ndërtuar në fillim të shekullit të parë të erës sonë, gjatë sundimit të perandorit romak, Trajan.

Amfiteatri ka formë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi 20 metra. Ka qenë qendër e rëndësishme e organizimit të lojërave olimpike romake dhe kapaciteti i tij përllogaritej diku nga 15 deri në 20 mijë shikues.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *