Shqipëria është bërë shumë herë pjesë e promocioneve të destinacioneve turistike nga media prestigjoze ndërkombëtare, së fundmi edhe nga amerikania “The New York Times”. Kjo duhet vlerësuar shprehen ekspertët e turizmit, por duhet të përmirësojmë produktin të cilin do t’u ofrojmë turistëve të huaj. Sipas tyre ky promocion është gjithmonë i lidhur ose me turizmin e aventurës, ose me pjesën kulturoro-historike të vendit dhe jo me standardet që ofrojmë. Mungesa e një legjislacioni të konsoliduar për këtë sektor dhe mos funksionimi sidomos i kategorizimit të hoteleve në bazë të yjeve, ka ulur ndjeshëm dhe nivelin e shërbimit. Promovimi i pasurive turistike shqiptare, shumë i rëndësishëm për të njohur turistët nëpër botë me vlerat e rralla të vendit tonë, ndër të paktat ende të paeksploruara në Europë, është shndërruar në një objektiv të rëndësishëm edhe të autoriteteve shqiptare. Prej vitesh vendi ynë është bërë pjesë edhe e panaireve europiane të turizmit, ku reklamohen resurset turistike të vendit.
