Turizmi nautik dhe një port jahtesh në Kavajë

anazapta

Në vitin 2005, një sheik në Dubai u zgjua me një ëndërr të re, ta kthejë shkretëtirën në një oaz të mrekullueshëm pushimi për miliarderët dhe 1.5 milionë njerëz të tjerë që besojnë tek ëndrrat. Projekti multimilion dollarësh përfshinte shtimin në mënyrë artificiale të 70 kilometrave vijë bregdetare dhe zaptimin e 1.4 milionë fut katrorë det (460 mijë metra katrorë). Këto do të përfshinin hapësira publike, qendra tregtare gjigante, resorte, pallate luksoze banimi, transport ujor, hekurudhor dhe ajror, planimetri moderne arkitekturore dhe shumë e shumë risi të tjera. Palma e mrekullueshme e Dubait, një kryevepër njerëzore, është vetëm një nga 10 pikat e planifikuara me shumë kujdes, por pa kursim, që arriti të realizohej. Kriza globale ekonomike e vitit 2009, e la të papërfunduar ëndrrën e miliarderit arab.

Projekti që u ndërpre quhej Waterfront of Dubai dhe do të ishte më i madhi i llojit të tij në botë. Waterfront i referohet tokës që laget nga uji i deteve, lumenjve apo liqeneve dhe për nga ndërtimi i ngjan një superskele detare, e cila është e një madhësie të mjaftueshme që të mbajë brenda struktura të shumëllojshme, që nga hotelet, fushat e golfit, pistat e garave të makinave, qendrat tregtare, selitë qendrore të firmave më në zë, liqenet dhe kodrat artificiale deri te transportet e ndryshme. Ndërtimi i të ashtuquajturave Waterfront-e sjell dy fusha kryesore, ekonominë dhe jetën shoqërore të një vendi.

 

Revolucioni i tretë industrial

Pas dy revolucioneve të suksesshme industriale të ndodhura shekuj më parë, erdhi koha e një revolucioni të ri, të cilin Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, e ka cilësuar si përparësinë numër një të kombit të tij, që do ta zhvendosë prodhimin e mallrave nga shtetet lindore si India dhe Kina drejt Perëndimit.

Revolucioni i tretë industrial (TIR) lidhet me prodhimin dixhital të materialeve nga inxhinierët e specializuar në fushën 3D. Artizanati do të jetë një profesion i së shkuarës së largët, kur shumë shpejt njerëzit do të kenë mundësinë të printojnë gjithçka që u nevojitet. Miliona forcave punëtore do t’u duhet të ndërrojnë zanat kur prodhimi artizanal të zëvendësohet me prodhimin dixhital. Ashtu si interneti ka zëvendësuar këto dhjetë vitet e fundit një gamë të gjerë shërbimesh që nga posta deri te blerjet, edhe dinamika e prodhimit dixhital do të revolucionarizojë ekonominë botërore. Shembulli 200-vjeçar i lokomotivës së ekonomisë gjermane, që i kishte bazat në formimin e nxënësve në shkolla profesionale, duket një perspektivë jo aktuale. World Travel & Tourism Concil/Oxford Economics (ËTTC/OE) është një institucion i pavarur ndërkombëtar, i specializuar në fushën e turizmit. Të dhënat e 176 vendeve të botës përpunohen me qëllim studimi për të përcaktuar dhe trendet botërore të fushës. Përfundimet e nxjerra nga ËTTC/OE përdoren nga shumë administrata publike dhe private që operojnë në sektorin e turizmit dhe planifikimit të territoreve të vendeve të ndryshme të botës. Sipas ËTTC/OE në vitin 2017, rritja mesatare vjetore e industrisë së turizmit për Europën do të jetë 3.3 për qind, ndërsa GDP nga turizmi do të arrijë shifrën 3240 miliardë euro.

 

Waterfront-i si zgjidhje e krizës ekonomike

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler (Tony Blair), një figurë e rëndësishme politike ndërkombëtare, ka theksuar se udhëtimet turistike do të krijojnë rreth 70 milionë vende të reja pune nëpër botë. Privilegji do t’u takojë shteteve që zhvillojnë politikat e përshtatshme të turizmit.

Turizmi detar ose nautik është ideal për vendet e pazhvilluara, sepse jep mundësinë e shfrytëzimit të forcës punëtore. Kohëzgjatja e aktivitetit të punës së turizmit nautik është nga 180 deri në 210 ditë operative, me kohështrirjen më të madhe se lloji tradicional i turizmit.

Nga ana tjetër, kapitali i investuar në turizmin detar ka një afat vetëshlyerjeje më të shpejtë sesa investimet në hotelerinë bregdetare. Portet nautike ndikojnë ndjeshëm në planifikimin e zhvillimit urban rajonal, sidomos në vendet e pazhvilluara. Planet rajonale zhvillimore koordinojnë ngushtë zhvillimin e bregdetit dhe të porteve, duke i kthyer këto të fundit në zanafillën e rritjes ekonomike. Një tregues domethënës është fakti se në SHBA, 1 dollarë i investuar në turizëm ka një rentabilitet prej 4.2 dollarësh, në Kroaci ky tregues është 3.2 dollarë. Në kushtet e Italisë së sotme, nën praninë e një krize të thellë ekonomike, një nga rrugët e përmirësimit të ekonomisë është porti turistik i zonave bregdetare. Ish-ministri i infrastrukturës së Italisë, Mattoili, shprehet se një vend ankorimi krijon katër vende të reja pune. Në Shqipëri, ku kosto e krahut të punës është 1/10 e asaj italiane, numri i vendeve të punës do të ishte disa herë më shumë. Situata ndërkombëtare e vendeve të ankorimit të barkave është premtuese. Në Itali ekzistojnë 150 mijë vende barkash ose 1 vend për çdo 75 banorë, ndërsa në Francë raporti është një për çdo 50 banorë. Në kushtet shqiptare, ku vendet e mirëfillta të ankorimit të barkave nuk ekzistojnë, kemi një kapacitet prej 20 mijë barkash, që mund të zgjidhi problemin e papunësisë për afërisht 200 mijë njerëz.

Turizmi nautik rrit edhe vlerën e valutës vendase duke përmirësuar bilancin e një vendi. Kjo ndodh për dy arsye: së pari, turisti nautik është kryesisht i huaj dhe mund të përballojë më shumë shpenzime dhe së dyti ai ka mirëqenie financiare të konsiderueshme, që e bën në gjendje të shpenzojë dyfishin e një turisti të huaj të zakonshëm. Për më tepër turizmi nautik për nga natyra kërkon më pak kapitale në krahasim me turizmin e hotelerive.

 

Përse i duhet Shqipërisë një projekt si i Dubait?

Pozita gjeografike e Shqipërisë, e lagur nga dy dete, është shumë e favorshme për realizimin e një projekti të tillë. Për më tepër forca punëtore e vendit tonë është e shfrytëzuar në një shkallë të ulët. E si për ta përkeqësuar më tepër gjendjen ekonomike, borxhi publik i Shqipërisë është rreth 6 miliardë euro, pra e ka kaluar 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Revolucioni i tretë industrial kërkon një formatim total të sistemit prodhues, që do të thotë investime të reja me koncept të përditësuar. Bankat kredituese, në kushtet reale ku borxhi publik i vendeve të zhvilluara është gati 25-50 herë më i madh se ai shqiptar, janë të “detyruara” të fillojnë të konsiderojnë si fitimprurëse mbështetjen e fushave që do të mundësojnë revolucionin e tretë industrial. Përkrahja sa më parë e formës së re të prodhimit nga vendi ynë, do të bëjë që investimet të jenë më të mëdha sesa në vendet ku borxhi publik është i lartë. Italia ka një borxh 3000 miliardë euro për një popullsi 60 milionë banorë, ndërsa Shqipëria ka një borxh prej 6 miliardë eurosh për popullsinë 3 milionë banorë. Kjo shifër 25 herë më e ulët e debisë së Shqipërisë, e bën atë një vend më të mundshëm për investime të huaja.

Në vendet e Mesdheut, nga viti 1970 deri në vitin 2011, ka ndodhur një rritje prej 386 për qind dhe të ardhurat nga turizmi kanë arritur nga 5.6 në 224 miliardë dollarë.

Për ngjashmëri të pozicionit gjeografik dhe klimës, mund të përmendet Kroacia dhe Mali i Zi. Treguesit ekonomikë provojnë se Kroacia po bën hapa gjigantë në fushën e turizmit, sidomos të atij detar. Investimi i Kroacisë në turizëm kap shifrën 7 miliardë euro, ku pjesa më e madhe i takon turizmit nautik. Portet detare kroate janë prej vitesh në listën e vlerësimeve ndërkombëtare për cilësinë e lartë të shërbimeve. Të ardhurat nga turizmi përbëjnë 23.7 për qind të GDP-së së Kroacisë. Nga ana tjetër, as Mali i Zi nuk mbetet më pas. Ky shtet ka vënë në funksion vitet e fundit një nga portet më të mëdha turistike me kapacitet 3000 vende ankorimi të barkave, në Kotorr i quajtur Porto Montenegro. Kjo strukturë moderne e ka ngjitur Malin e Zi në majat e turizmit botëror.

 

Sipas WTTC dhe Oxford Economics, Mali i Zi do të jetë në dhjetë vitet e ardhshme për zhvillimin e turizmit nautik, vendi me rritjen më të madhe në të gjithë Mesdheun dhe një nga vendet me zhvillimin turistik më të lartë në të gjithë botën.

Cili është projekti?

Genusus Port of Tirana është projekti që do ta lidhte Tiranën me detin dhe do të krijonte rreth 100 mijë vende të reja pune. Nga studimi i Bankës Botërore rezulton se 2/3 e popullsisë së Shqipërisë do të përqendrohen në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Kavajë. Kjo e fundit, ashtu sikurse edhe fshatrat turistike në Jug të Italisë, ka të njëjtat probleme me mungesën e zhvillimit. Kavaja, ndonëse një vend bregdetar, nuk ka përfituar aspak prej zhvillimit të turizmit në zonën e saj. Shkëputja e turizmit nga territori ku ndodhet, është një pengesë madhore për urbanizimin e vendeve të pasura për nga natyra dhe të varfra ekonomikisht. Turizmi shqiptar ka nevojë të integrohet me zonën përreth, në mënyrë që të sjellë zhvillim të qëndrueshëm të vendeve turistike. Zhvillimi i qëndrueshëm do të mundësojë, jo vetëm vende të reja pune, por do të respektojë edhe qëllimin fillestar të trajtimit të zonës turistike si pasuri e komunitetit dhe jo e grupeve të interesit.

Projekti i Waterfront-it në Kavajë do të kishte 12 pika kryesore mbështetëse. Së pari do të përmbante një port ku do të mund të ankoroheshin jahtet dhe anijet e bizneseve dhe turistëve. Së dyti, do të ndërtohej një kanal lundrues që mund të bënte të mundur lidhjen me rrugën Kavajë-Tiranë. Pika e tretë do të ishte një pistë e specializuar Grand Prix D’Albania, një garë e ngjashme me Formula 1. Liqeni ekzistues do të ruhej dhe do të përdorej si pikë tërheqëse për njerëzit që kërkojnë çlodhje. Së pesti, është planifikuar një fushë golfi prej 50 hektarësh, e cila do të sillte risinë e këtij sporti elitar në vendin tonë, duke qenë se i përshtatet edhe shtresës së lartë që do të vizitonte Ëaterfront-in. Një tjetër pikë e planit që do ta bënte Kavajën një qendër kryesore të Shqipërisë, do të ishte edhe ndërtimi i kodrave artificiale që do t’i siguronin projektit normën e gjelbërimit. Parku industrial nautik do të zinte plot 50 hektarë dhe do t’i shërbente industrisë nautike dhe energjisë së rinovueshme. Ngritja e një infrastrukture në shërbim të nautikës në Genusus do të krijonte mundësinë që në Shqipëri të kishte dhe asistencë në sektorin nautik. Kjo do t’i hapte rrugën zhvillimit të mëtejshëm të porteve të tjera në vend. Kampusi universitar nautik, do të ishte sfida tjetër e këtij projekti që do të mund të ndërtohej vetëm 27 kilometra larg Tiranës. Ëaterfront-i do të kishte në dispozicion 180 hektarë që mund të shfrytëzoheshin për qendra tregtare, restorante, rezidenca, vepra arkitekturore, parqe çlodhëse dhe gjelbërim. Rruga Kavajë-Tiranë 27 kilometra do ta lehtësonte shumë transportin e turistëve nga kryeqyteti në skelën detare. Turistët që do të mbërrinin nëpërmjet aeroportit do ta kishin vetëm 20-30 minuta larg projektin e mrekullueshëm të zhvillimit turistik në detin Adriatik. Përroi i Leshniqes dhe Darcit do të përdoreshin po ashtu në projektin që ka në bazë administrimin e ujit në dobi të shoqërisë dhe ekonomisë. Autostrada Durrës-Rrogozhinë do t’i shërbente gjithashtu anës infrastrukturore të Genusus Port of Tirana.

Share This Article
2 Comments
  • KUR FLUTURON ME PRESHIN PRAPA…

    Nuk kam lexuar ndonjehere, as edhe ne librat e Vidalit nje fantazi te tille. Vetem ne filmat Holliwood-ane fantazite e pa arriteshme shndrohen ne realitet viziv.
    Shpresoj qe autori te mos jete nje nga “keshilltaret” e ediramisteve, sepse ka kaluar edhe limitet e serive televizive amerikane “american idiots”.
    E para ish ministri italian quhet Matteoli dhe ne se do benim nje shumezim te thjeshte te shifrave qe ky “kavajas” mendje arte perdor ne kete shkrim-psikopatik del se italianet jane gjithsejt: 75 x 150.000 =11milion e 250 mije banore !!
    Se dyti a ka ndonje person qe di te me spjegoje kuptimin e kesaj fraze: ” Ndërtimi i të ashtuquajturave Waterfront-e sjell dy fusha kryesore, ekonominë dhe jetën shoqërore të një vendi.”
    Se treti “Revolucioni i trete industrial” per te cilin me sa duket ka degjuar ne ndonje transmetim nga radio e makines se tij, jo vetem nuk do krijoje vende pune por do çoje ne reduktimin maksimal te tyre. Edhe pse tani po perhapet me ritme shume te shpejta, fusha ne te cilen aplikohet eshte vetem ajo e “prototipeve” me baze plastike te aparaturave apo makinerive industriale shume te thjeshta, sepse gjithnje per prodhimin e tyre sherbejne impiantet industriale qe ne nje te ardhme mendoj shume te larget do te zevendesohen nderhyrjet njerezore me robote.

    Se katerti Kavaja ka qene e do mbetet ashtu si Elbasani vend i dylbereve te tipit “endrifugiste” te freshit te Soros..

    Se pesti Kroacia dhe Mali i Zi kane mbi pese o gjashte dekada qe zhvillojne turizmin nderkombetar, nga i cili kane perfituar shifra te rendesishme me te cilat kane ristrukturuar qytetet, rruget fshatrat, hekurudhat, portet. Turizmi ne keto dy shtete mbrohet me ligj, turistet ndihen te sigurte, sherbimet ndaj tyre jane tejet familjare e miqesore.

    Dhe se fundi, kur te te vijne ne mendje ide te tilla ne te ardhmen, hap rubinetin me uje te ftohte dhe fut koken brenda qe te te sqarohen idete tuaja te semura psikopatike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *