Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi dje se në zbatim të Urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masave gjatë sezonit turistik në fushën e tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor, ushtroi kontroll në subjektet private në zonen e plazhit Durrës, lidhur me rregjistrimin e këtyre subjekteve në organin tatimor, deklarimin e punonjësve, instalimin dhe përdorimin e paisjeve fiskale, dokumentimin e mallrave si dhe afishimin e çmimeve. Nga ky kontroll, vetëm në harkun kohor prej 7 ditësh, u arrit të konstatohen shkelje të rënda. Kështu u penalizuan 404 subjekte si dhe u arrit të licensohen 159 subjekte në QKR, çfarë do të thotë rritje e ndjeshme e numrit të punonjësve të perfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Veç kësaj, u konfiskuan 20.000 mijë shishe birrë pa faturat përkatëse, 3 600 shishe me pije të aksizës (ëhisky, verë) si dhe asete te luajtëshme, të cilat në tërësi kapin një vlerë rreth 10.500.000 lekë. Sipas tatimeve, këto operacione do vazhdojnë në të gjithë zonat turistike të vendit dhe “do konfiskojmë çdo paisje jofiskale, çdo mall pa faturë si dhe do penalizohet çdo subjekt që nuk lëshon kupon tatimore dhe ka të përfshirë në aktivitetin e tij, punonjës të pasiguruar”. Në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Turizmit, po punohet për çertifikimin e listës së çmimeve në të gjitha subjektet tregtare të hotelerisë dhe restoranteve, ku listat e çertifikuara do kenë logon e dy institucioneve.
