Turizmi shqiptar prezantohet në Kinë

redaktor

Agjencia Kombëtare e Turizmit përfaqësoi Shqipërinë në Panairin e Tregtisë dhe Mallrave të Konsumit në Ningbo të Kinës, në datat 08-11 Qershor 2014. Të pranishme ishin mjaft biznese shqiptare të mallrave të konsumit, por me sugjerim të Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit e mirëpriti ftesën për të marrë pjesë në një veprimtari të tillë, duke ngarkuar AKT-në që të paraqesë mundësitë dhe larmitë që ofron turizmi shqiptar, në një treg me perspektivë të madhe sikurse është ai kinez. Përvoja rezultoi e suksesshme, pasi interesimi për stendat e turizmit në pavionin shqiptar në këtë Panair qe i madh dhe jo vetëm nga ana e kinezëve vendas, por edhe nga mjaft pjesëmarrës të tjerë nga shtete të ndryshme.

AKT-ja u nderua gjatë Panairit edhe nga prania e Ministrit të Ekonomisë Z. Arben Ahmetaj si dhe e Ambasadorit të Shqipërisë në Pekin, Z. Kujtim Xhani.

Qe mjaft interesant këmbimi i kujtimeve që disa shtetas kinezë kishin për marrëdhëniet e së shkuarës që kanë ekzistuar mes dy vendeve. Ata kujtonin me nostalgji se kanë ndjekur me mjaft interes kinematografinë, si dhe artin shqiptar, fragmente nga të cilat nuk ngurronin t’i përmendnin me mjaft saktësi edhe gjatë ditëve të sotme.

Televizionet dhe radiot vendase shfaqën gjithashtu një interesim të madh, duke raportuar me hapësira të zgjeruara pjesëmarrjen e turizmit shqiptar në këtë Panair, si dhe mundësitë që mund të ofrojë për kinezët.

Një vizitë mjaft e veçantë në stendat e turizmit qe ajo e konsullit polak në Kinë, i cili konfirmoi se do të vizitonte Shqipërinë për pushime këtë verë dhe u pajis me informacione të detajuara nga AKT-ka për këtë qëllim.

Nga bisedimet me Ambasadorin Xhani dhe presidentin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Kineze, Z. Idriz Celmeta, u diskutuan mjaft ide të cilat mund të jenë dobibrurëse për të lehtësuar ardhjen e turistëve kinezë në vendin tonë, të cilat do t’i shtrohen për t’u marrë në shqyrtim institucioneve përkatëse.

Një interesim i veçantë, sikurse përmendëm edhe më lart, u shfaq nga polakët. Një trupë gazetarësh të rëndësishëm të këtij vendi shprehën dëshirën për të zhvilluar një tour njohës në Shqipëri, me qëllim për t’i bërë jehonë turizmit të vendit tonë në Poloni.

Qytetarët kinezë, por jo vetëm, shfaqën shumë kuriozitet për qeleshet shqiptare, të marra me vete nga AKT-ja në Kinë. Tek shihnin stafin e AKT-së t’i mbante me krenari në kokë qeleshet, ky element tradicional i vendit tonë tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve, të cilët ndaleshin dhe pyesnin me kuriozitet për domethënien e tyre dhe pasi iu dhuroheshin, nuk ngurronin të bënin foto me to dhe të largoheshin me disa informacione më shumë mbi Shqipërinë. Qeleshet qenë një element mjaft atraktiv, kurioziteti për të cilat i shtynte më pas vizitorët që të interesoheshin edhe më shumë për turizmin shqiptar, si dhe të merrnin informacionet e nevojshme, të cilat sikurse ata konfirmuan janë një shtysë e madhe për t’u njohur edhe më mirë me vendin tonë, duke e vizituar.

Me këtë rast, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Ningbosë kishte vendosur në dispozicion të secilës stendë të pranishme në panair, nga një student vullnetar, që mund të shërbente si asistent në punët e ndryshme si dhe si interpretues e ndërmjetës me kinezët të cilët e kishin të pamundur të komunikonin në anglisht.

Materialet e shumta promovuese që AKT kishte marrë me vete, si broshura informuese dhe ilustruese, harta, qeleshe etj, u shteruan plotësisht si pasojë e interesimit të madh vendas. Stenda e arreduar nga AKT me pamjet më të bukura nga Shqipëria, si dhe pozicioni strategjik në pikën e parë hyrëse në Panair, bënë që kinezët që vinin në Panair, ta kishin thuajse të pamundur të mos e bënin një ndalesë tek Agjencia Kombëtare e Turizmit, për të parë se cfarë ajo kishte sjellë për ta. Duke qenë se bëhej fjalë për një Panair mallrash konsumi, të cilat edhe tregtoheshin po aty, vizitorët mbeteshin mjaft të befasuar kur merrnin në dhuratë nga AKT çantat me setet e ndryshme promocionale të turizmit.

AKT i përdori materialet e saj promocionale, si postera, banera dhe harta, për të mundësuar gjithashtu që disa nga bizneset shqiptare të pranishme, të bënin të mundur një prezantim sa më cilësor me stenden e tyre në Panair për sa i takon anës së imazhit, gjë e cila u arrit më së miri.

Organizimi nga pala kineze ishte tejet i përpiktë për sa i takon logjistikës mbështetëse dhe trasportit. Panairi celej cdo ditë në orën 10:00 dhe mbyllej në orën 17:30.

Një episod i këndshëm solidariteti ballkans u shënua, kur drejtuesi i autobusit ku ndodheshin shqiptarë, rumunë, serbë, kroatë, etj gërvishti pa dashje mjetin e transportit që drejtonte me një automjet tjetër. I pikëlluar për shumën që do t’i duhej të paguante për dëmin, shoferi u ngazëllye dhe u befasua pa masë kur një nismë e një rumuni bëri që të gjithë të pranishmit në autobus të kontribuonin me nga një shumë modeste, për të t’ia lehtësuar sadopak shpenzimit drejtuesit të mjetit që na kishte shoqëruar gjatë ditëve të Panairit.

Në përfundim të Panairit, mund të thuhet me plot gojën se ai qe i sukseshëm për nga interesimi dhe kurioziteti që ngjalli dhe se do të ishte shumë e rëndësishme për turizmin shqiptar që veprimtari të tilla të përsëriten, po të kihet parasysh se tregu kinez është një treg emergjent me potenciale të mëdha edhe në fushën e turizmit.

Share This Article
1 Comment
  • po ca jane keto lajme: pse nuk jepni listen e kompanive pjesemarrese atje? si nuk mesuat te shkruani lajmin?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *