Turqia ka sulmuar bazat e të ashtuquajturit Shteti Islamik në veri të Sirisë Artileria turke hapi zjarr ndaj Shtetit Islamik e gjithashtu milicisë kurde në qytetet e Jarablus dhe Manbij. Mendohet se 1500 rebelë sirianë të mbështetur nga Turqia, janë të vendosur në qytetin e Gaziantep duke pritur të sulmojnë.
Kjo ngjarje vjen pas shpërthimit me bombë në një dasmë në Gaziantep, ku humbën jetën më shumë se 50 persona, shumica e tyre fëmijë.
Edhe pse fillimisht u dyshua se kamikazi ishte një fëmijë jo më shumë se 14 vjeç, identiteti i tij ende nuk është konfirmuar.
Zyrtarë të sigurisë thanë për Reuters se po hetojnë mundësinë se militantët mund të kenë vendosur eksplozivë në trupin e fëmijës, pa dijeninë e tij, ose mund të kenë mashtruar një fëmijë me çrregullime mendore për t’u bërë kamikazi, një taktikë jo e panjohur për rajonin.
