Turqia si m’u duk

Dita

Nga Urim Tusku

 Në Stamboll mbërritëm në orën 11.30, të datës 14 korrik 2017. Meskorriku i një viti më parë do të ngulitej fort në kujtesën e qytetarëve të Turqisë. Gjërat në këtë vend nuk duket të jenë më si më parë, ka një vit që ndryshimi është i dukshëm. Në aeroport ka një kontroll të imtësishëm. Kjo vlen për gjithkënd, si për ata që janë të linjës transit, ashtu edhe për ata që udhëtojnë brenda vendit. Vigjilenca duket maksimale, çdo punonjës përngjan sikur i heton me sy udhëtarët që kalojnë aty. Një atmosferë e tillë disiplinore mund të duket normale për aeroportet kudo, por pas ngjarjeve të një viti më parë në Turqi, duket sikur ka marrë përmasa edhe më të mëdha.

Në aeroport shohim njerëz nga të gjithë vendet e botës, kureshtarë të shumtë që duan të vizitojnë Turqinë, por edhe nga ata që e kanë si pikë transiti aeroportin. Në këto kushte, përgjegjësia e autoriteteve është edhe më e madhe, duke pasur parasysh, që vendi (disa herë) pak muaj më parë është përballur me sulme terroriste. Në Turqi ka shumë grupe që mëtojnë pushtetin. Ka nga ata që e shfaqin hapur mosdakordësinë me Presidentin e zgjedhur Rexhep Taip Erdogan, por këtë e demonstrojnë në mënyrë paqësore, kur janë para kutisë së votimit. Por ka edhe nga ata më të rebeluarit që dalin në rrugë për të kundërshtuar një sërë masash të ndërmarra, siç ndodhi edhe pak ditë më parë.

Jashtë aeroportit bie në sy dukshëm që festa ka filluar, vendi është i stolisur me flamuj të shtetit turk. Turqit shquhen për ndjenjat e tyre patriotike dhe në raste të tilla, spikaste kudo një krenari patriotike.  Siguria në vend duket se i është rikthyer normalitetit. Njerëzit i përdorin sërish mjetet e transportit publik, metro apo tramvaji. Stambolli është një qytet prej 18 milion banorësh, shtoji kësaj edhe vizitorët e shumtë që vijnë aty. Por ky qytet ka edhe një simbolikë, për ngjarjet që përkujtohen pas një viti. Aty nisi gjithçka, pikërisht në natën e 15 korrikut të një viti më parë. Komplotistët si fillim bllokuan urën e Bosforit, për të shtrirë më tej aktivitetin e tyre, me qëllim marrjen e pushtetit. Ky plan dështoi, sepse populli doli në rrugë për të mbrojtur demokracinë në vend.

Nuk rrimë shumë gjatë në Stamboll, vazhdojmë udhëtimin tonë për në Ankara, aty ku ishim nisur. Edhe pse është kryeqyteti i vendit, nuk e ka kurrë rëndësinë e Stambollit. Ankaraja është një qytet në zemër të Anadollit dhe kryeqytet u shpall në vitin 1923 nga Mustafa Qemal Ataturku, që njihet ndryshe edhe si themeluesi i Turqisë moderne. Kudo nëpër Ankara të bie në sy portreti i tij, i derdhur në bronz, apo banderolë që stolis ndërtesat e larta. Në dy dekadat e fundit, kryeqyteti është shndërruar, si në përmasat e tij të shtrirjes gjeografike, ashtu edhe në potencialin ekonomik. Kjo është arritur në sajë të rritjes së rolit të Turqisë në arenën ndërkombëtare. Popullsia në Turqi i kalon të 80 milionë banorët, gjë e cila ka bërë të mundur thithjen e investimeve të fuqishme në vend. Pozicioni gjeografik i saj është mjaft i favorshëm, ajo është një urë për të kaluar nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Ankaraja është  në festë këto ditë, kjo atmosferë ndihet gjithandej. Qeveria ka përgatitur një ceremoni zyrtare, ku do të përkujtohen të rënët në mbrojtje të demokracisë, por gjithashtu do jepen një sërë çmimesh për gazetarët që raportuan në ato orë të tmerrshme për popullin turk. I pranishëm është vetë kryeministri Binali Yëlldërëm, i cili në fjalën e tij do të theksonte rolin e madh të medies, veçanërisht atë ditë dhe ato orë kritike për shtetin turk.

Qytetarët turq janë atdhetarë, ata e manifestojnë hapur dashurinë për vendin e tyre. Kudo sheh flamuj të kuq me gjysmëhënën dhe yllin. Për të ndjekur nga afër këtë përvjetor të parë të grushtit të shtetit, kanë ardhur gazetarë nga të katër anët e botës. Këndvështrimi është i ndryshëm, por fakti për gjithsecilin është i njëjtë.

Rrugët e Ankarasë gumëzhijnë nga vitaliteti i kësaj popullsie. Qendrat tregtare janë shumë të frekuentuara, por çdokush që hyn aty i nënshtrohet një kontrolli, si shenjë e masave të sigurisë tejet të larta. Baret dhe kafenetë janë të stilit perëndimor, kudo sheh të rinj që i popullojnë këto kafene. Askund nuk të zë syri një konservatorizëm, siç përpiqen ta portretizojnë ata që nuk e njohin këtë vend. Këdo që takojmë, sapo na sheh që jemi të huaj na trajton me respekt, sidomos kur i themi që jemi shqiptar. Turqia njihet për praninë e madhe të komunitet shqiptar aty. Ata janë integruar shumë mirë në këtë vend, por përkatësinë e tyre etnike e tregojnë gjithmonë, sa herë t’ju jepet rasti. Infrastrukturës rrugore i është kushtuar vëmendje e madhe vitet e fundit, këtë e sheh në çdo skaj të Ankarasë. Synimi i qeverisë ka qenë të ndërtojë rrugë dhe vepra të mëdha publike, me qëllim përmirësimin e jetës së çdo qytetari. Rritja e madhe ekonomike është e dukshme jo vetëm në bilancin tregtar, që arrin të eksportojë shumë më shumë se më parë, por edhe tek një panoramë e ndryshuar në ndërtimet e shumta.

Dalëngadalë mbrëmja po bie mbi Ankara, është mbrëmja e 15 korrikut 2017, aktivitete të shumta janë parashikuar, por ai më kulminanti është në Asamblenë parlamentare, ku do të flasë vetë Presidenti. Njerëzit janë tubuar në rrugë, ata e mbështesin presidentin Erdogan dhe janë nisur për në vendin ku do të mbajë fjalimin presidenti. Media, kryesisht ajo turke, po i bën një mbulim të imtësishëm të gjithë zhvillimeve të ditëve të fundit. Edhe media ndërkombëtare nuk ngelet pas, ata janë kureshtarë, përpiqen të kapin çdo detaj, që për ta mund të thotë diçka. Kurse media vendase, përpos aktiviteteve, që i përcjell në kohë reale, risjell të ndërtuar çast pas çasti atë që ndodhi një vit më parë. Tabloja ndërtohet e plotë, pas një viti kanë dalë në pah edhe shumë detaje të tjera. Kryeqyteti turk Ankara, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Nisemi të shkojmë drejt Asamblesë Kombëtare, përgjatë rrugës shohim qytetarë të shumtë që janë drejtuar për në sheshin përpara Asamblesë Kombëtare. Të bën përshtypje përbërja e grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga fëmijë të mitur deri tek të moshuar, që edhe pse në orë të vona, qëndrojnë aty në pritje të Presidentit që pritet të vijë nga momenti në moment për të mbajtur fjalimin. Hyrja për në Asamble ishte me masa të rrepta sigurie. Pas një kontrolli të hollësishëm , hyjmë për në vendin ku ishte përcaktuar për gazetarët. Vigjilenca e rojeve të sigurisë ishte maksimale. Sheshi përpara Asamblesë ishte i tejmbushur dhe kuqëlonte nga flamujt turk. Një prezantues me zë të fortë prej baritoni, ishte caktuar për të lexuar më zë të lartë emrat e 249 të rënë një vit më parë, shoqëruar edhe me fotot e tyre. Në një atmosferë të tillë të ndezur me patriotizëm, ora po shkonte dy pas mesnate. Ardhja e presidentit Rexhep Taip Erdogan, e elektrizoi edhe më shumë sheshin përpara Asamblesë. Në fjalën e tij, presidenti i bëri thirrje popullit turk për bashkim, por njëkohësisht nuk la pa përmendur edhe organizatorët e grushtit të shtetit, që sipas tij, janë armiq të popullit dhe shtetit turk. Fjalimi i tij zgjati më shumë se 40 minuta dhe vëmendje ndaj çdo fjale të tij ishte në cakun më të epërm.

Koha kishte ecur si pa e kuptuar, po agonte, ora po shkonte 5 e mëngjesit të datës 16 korrik 2017.  Qytetarët fillojnë të lënë sheshin paqësisht dhe t’u drejtohen shtëpive të tyre. Kishte përfunduar një ditë, e ngarkuar me ngjarje përkujtimore, por edhe çeljen e një dritareje kuptimplotë. Gjërat nuk do të jenë më si më parë, si para 15 korrikut të një viti më parë,  gjithçka ka ndryshuar! Këndvështrimi i të huajve për Turqinë ka ndryshuar, pavarësisht se shpeshherë perceptimi vjen më shumë nga mosnjohja. Duhen rrëzuar shumë klishe, duhen mposhtur shumë stereotipa paragjykuese, kjo bëhet e mundur vetëm duke e njohur një vend. Realiteti është me të gjitha ngjyrat dhe  dimensionet e tij, duhet ta njohësh për të bërë interpretimin, në të kundërt rrezikon që t’i mbivendosësh opinion tënd një opinioni të mëparshëm që nuk të çon askund.

Share This Article
1 Comment
  • E paske bo ket shkrim ne ekzaltim e siper. Sic duket e paske pas te fresket ushqimin qe te paska derguar “sultani”. Gezuar, te befte mire. Po mos harro qe ky lloj barku i mbushur ne kte lloj forme te shkakton dhimbje me vone. S’ja ka pa kush hajrin ske per tja pa as ti….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *