Ndiz televizorin sot në cilëndo pjesë të Ballkanit dhe do të jesh mirë i akorduar në një seri turke. Të popullarizuara në gjithë rajonin, sipas agjencive që bëjnë hulumtim të mediave, dhjetëra importe të tilla po shfaqen çdo ditë në televizione nga Shqipëria deri në Detin e Zi.
Sociologët e shpjegojnë këtë fenomen, pjesërisht, si reagim sentimental nga ana e shikuesve në Ballkan ndaj një modeli të vjetër të familjes patriarkale që pothuajse është zhdukur në rajon, por që ende është prezent në Turqi – të paktën në programet televizive.
Shikuesit me të cilët ka folur BIRN-i thonë se i duan këto programe për karakteret e tyre reale, linjat intriguese të ngatërresave që përfshijnë familje të tëra, si dhe mungesën e dhunës e sharjeve.
Darko Brocic, drejtor i AGB Nielsen, i cili kryen kërkime të mediave në gjithë rajonin, thotë se popullariteti i serive turke është bërë i dukshëm në vitet e fundit dhe nuk ka shenja se do të zbehet.
“Seritë turke kanë zëvendësuar ato latino-amerikane, të cilat bënë ‘bum’ 15 vjet më parë dhe kanë marrë pjesë nga audienca e këtyre të fundit”, thotë ai. “Nuk janë gjithmonë programet më të shikuara në televizion, por janë në Top 15”.
Kthehen osmanët
Të dhënat tregojnë që në rajon seritë turke janë më të shikuara në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni, pasuar nga Kosova e Serbia, ku fenomeni është ende në zhvillim. Hulumtimi i Mareco Index Bosnia tregon që në çerekun e parë të vitit 2013, nëntë stacione televizive të Bosnjës transmetonin 13 seri turke.
Seria më e shikuar në Bosnjë e Hercegovinë ishte “Shekulli Madhështor” (në shqip Sulejmani i Madhërishëm), e cila është e vendosur në kohën e artë të Perandorisë Osmane në oborrin e Sulejmanit të Madhërishëm.
Në Maqedoni, nga nëntë seri turke që ishin duke u shfaqur, pesë ishin renditur në Top 15 nga aspekti i shikueshmërisë, bazuar në hulumtimin e kryer në Janar të 2013-s nga AGB Nielsen. “Derisa koha kalon” dhe “Asi” ishin e para dhe e dyta në aspekt të shikueshmërisë. “Zavet” (“Premtimi”), “Nëna” dhe “Kujtimet ende lëndojnë” ishin gjithashtu të renditura në Top 15. Ky trend vazhdoi në shkurt me disa ndryshime të vogla në majë të listës. Tri seri turke janë duke u shfaqur aktualisht në Kosovë.
Më të famshmet në dhjetor 2012-s ishin “Cili është faji i Fatmagylit”, i cili u rendit në majë të të gjitha programeve dhe “Dashuri dhe ndëshkim”, i cili u rendit i treti bazuar në të dhënat e “Index Kosovës”.
Në Serbi, katër seri turke janë aktualisht duke u shfaqur në tri stacione televizive, edhe pse asnjëra nuk ia doli të ishte në Top 15 të përpiluar nga AGB Nielsen. Sipas matjeve të kësaj agjencie, seria më e popullarizuar ishte “Kur gjethet bien”, e cila u rendit e 17-ta në programin e televizioneve në shkurt 2012. Hulumtimi i këtij viti tregon që në janar 2013, dy seritë turke më të popullarizuara ishin “Shekulli Madhështor”, e cila ishte e katërta, dhe “Derisa koha kalon”, e shtata.
Ngacmimi i nostalgjisë
Sociologu serb Ratko Bozoviç thotë që njerëzit identifikohen me vlerat patriarkale të serive turke dhe u pëlqen të diktojnë shumë ngjashmëri kulturore dhe gjuhësore gjatë shikimit të serive. “Mentaliteti i përshkruar në këto seri ka të bëjë me kuptimin tradicional të moralit të cilin e kujtojnë njerëzit në Serbi”, thotë ai. Bozoviç thotë që të gjitha vendet e Ballkanit kanë qenë dëshmitarë të ndryshimeve dramatike në aspektin e jetës në familje dhe seritë turke u ndihmojnë atyre të kujtojnë sistemin e vlerave që duket se ka humbur. “Modeli tradicional i familjes është zhdukur në Ballkan, ndërsa modeli i ri ende nuk po funksionon”, shpjegon Bozoviç.
Artan Muhaxhiri, sociolog nga Kosova, ia atribuon suksesin e këtyre serive faktit që ato nuk kërkojnë angazhim intelektual. Skenarët janë të ndërtuar në atë mënyrë që dialogu dhe ngjarjet janë të thjeshta, në kufi të banalitetit, vazhdon ai.
“Rrëfimet janë melodramatike, të stërzgjatura dhe të ngarkuara emocionalisht, gjë që nxit krijimin e relacioneve të ngjeshura të shikuesve me personazhet”, thotë ai. Muhaxhiri beson që seritë turke kanë një përparësi për të depërtuar në tregun medial shqiptar, “sepse referencat kulturore janë shumë të ngjashme me ato të shikuesve tanë”.
“Normat dhe vlerat shoqërore, mentaliteti i përgjithshëm, marrëdhëniet familjare, stili i jetesës, veshja, ushqimi, orenditë, emrat e personazheve – me të gjitha këto elemente kulturore në seritë turke, shikuesi shqiptar mund të identifikohet lehtësisht”, shton ai.
Për dashurinë
Darko Brocic, drejtor i AGB Nielsen, thotë që përderisa seritë turke janë gjerësisht më të shikuarat në rajon, popullariteti i tyre varet nga seria. “Në përgjithësi, tregimet e dashurisë kanë më shumë efekt në audiencë sepse këto seri janë më të shikuara nga gratë”, thotë ai. “Madje edhe temat historike imagjinohen më shumë si tregime nga jeta e përditshme, kështu që komponenta historike nuk është më e rëndësishmja”, shton Brocic.
Producentët turq nuk kanë investuar shumë në këtë fushë, dhe theksi, madje edhe në “Shekullin madhështor”, është më shumë në ngatërresat që ndodhin në oborr sesa në ngjarjet historike, vazhdon ai.
Duke komentuar seritë e dubluara turke të cilat shënuan rritje në Maqedoni para disa viteve, ai thotë se këto seri u popullarizuan më shumë pikërisht për shkak se janë të dubluara, pasi kjo u ndihmon shikuesve të cilët kanë problem me leximin e titrave.
“Në Serbi nuk është zakon dublimi i programeve, përveç atyre për fëmijë, por maqedonasit e kanë bërë mirë këtë gjë duke gjetur aktorë të mirë, zëri i të cilëve u bë i njohur për shikuesit”, përmend ai.
Në anën tjetër, Bozoviç thotë që njerëzit janë gjithashtu të tërhequr nga gjuha origjinale turke, ku hasin në fjalë të cilat gjuha e tyre i ka huazuar nga turqishtja dhe anasjelltas.
“Adios” spanjishtes
Shumica e njerëzve që shohin seri turke në Bosnje, Maqedoni, Kosovë e Serbi thonë që i adhurojnë marrëdhëniet familjare që përshkruhen në to, gjithashtu ngjashmëritë kulturore. Nefisa Bubiq, pensioniste nga Sarajeva, thotë që tregimet i kujtojnë asaj përralla në të cilat e mira dhe e keqja kundërshtohen fuqishëm.
“Më pëlqen mënyra se si i paraqesin marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve dhe prindërve në seritë si ‘Kur Gjethet Bien’, e cila është e mbushur me respekt që ka ekzistuar edhe këtu”, thotë ajo, duke shtuar se e shijon vënien në dukje të ngjashmërive në mes të gjuhëve turke e boshnjake.
Irnesa Senderovic, gjithashtu nga Sarajeva, thotë që këto seri e kanë mësuar për atë se si mund të jenë njerëzit, çka janë të gatshëm të bëjnë dhe çka të pritet nga e ardhmja. “U ngopa nga seritë spanjolle sepse ato nuk e ndjekin të njëjtën strukturë dhe përfshijnë ngatërresa që nuk u ndodhin njerëzve të zakonshëm në jetën e përditshme”, thotë ajo. Ajo thotë që i pëlqen gjuha turke dhe kultura e tyre, gjithashtu edhe mënyra e gjallë e aktrimit.
Elvira Maliçit, tregtare nga Sarajeva, i duken qetësuese seritë turke. Karakteret janë më reale sesa në seritë spanjolle e latino-amerikane; edhe karakteret më negative kanë ngapak cilësi njerëzore.
“Më pëlqen elementi i ekzotikes në orientalen që vërehet në kostumet e aktorëve si në ‘Shekulli Madhështor'”, thotë ajo. “Kultura e tyre është gjithashtu e afërt për mua, pasi që ka shumë gjëra që kanë mbetur nga osmanët këtu. Ne e quajmë kafen ‘turke’, për shembull, edhe pse e përgatisim ndryshe. Më interesojnë këto gjëra.”
Aco Ristovskit, nga Shkupi, i pëlqen fakti që aktorët nuk janë superheronjë; s’ka dhunë, vetëm tregime të zakonshme. “Janë si një roman i lehtë. Janë më interesante se seritë amerikane me gjithë ata avokatë dhe biznesmenë të cilët nuk kanë zakone të njëjta me tonat”, thotë ai. “Seritë turke janë më të afërta me ne”. “Shumë njerëz bëjnë shaka me ata që shohin seritë turke”, shton ai. “Unë u them që kam nevojë për relaksim, dhe televizionet maqedone nuk ofrojnë mundësi tjetër.”
Shkoi deri në Stamboll
Snjezhana Radenkoviq, nga Serbia, thotë që ishte emocionuar me disa seri që kishte shikuar dhe kishte shkuar deri në Stamboll për të parë më shumë. “E pashë qytetin e vjetër dhe Pallatin Topkapi, që përfshin haremin, dhe shtëpitë e vjetra të cilat dukeshin si në seritë që i shikoj”, thotë ajo me entuziazëm. Ajo thotë që edhe shoqet e saj i shohin këto seri, dhe këto janë temë e shpeshtë në bisedat e tyre.
“Kur u nisa për Stamboll, lash një mesazh në profilin tim në Facebook që do të shkoja të gjeja Savashin (karakter nga Dashuri dhe Ndëshkim e luajtur nga Murat Yıldırım), dhe shumë njerëz ma pëlqyen statusin dhe komentuan, kështu kuptova që të gjithë po shikonin të njëjtën seri”, thotë ajo.
Ajo ndjen se shumë njerëz nuk duan të pranojnë që shikojnë këto seri sepse u vjen turp.
“Nuk është ‘in’, edhe pse është shumë në rregull të shihen prodhime të Hollyëood-it”, vazhdon ajo. “Por mua nuk më vije turp aspak. Përkundrazi jam e kënaqur”.
Amela Bicic, studente e gazetarisë nga Beogradi, thotë që gati e gjithë familja e saj në Beograd, gjithashtu edhe ata të shpërndarë nëpër botë, SHBA dhe Kanada, shikojnë seritë turke me ëndje.
Dy gjyshet e saj blejnë revista ku i përcjellin thashethemet e fundit rreth aktorëve të preferuar të tyre.
Edhe pse ajo vetë nuk shikon shumë televizor, ajo nganjëherë ulet bashkë me ta për të kaluar kohë së bashku – dhe thotë që seritë turke duken më të mira se ato spanjolle dhe indiane.
“Seritë indiane janë të tmerrshme. Aktrimi është i tmerrshëm. Seritë turke mund t’i shikosh dhe të qash gjatë gjithë kohës. Janë më të mira se të tjerat”, thotë ajo.
Syzana Gashi, një fanse nga Peja, në Kosovë, ka mjaft kohë për të parë seritë e saj të parapëlqyera. “Kam mjaft kohë gjatë ditës, prej kur lash punën, për atë shikoj seri turke”, thotë ajo.
Në anën tjetër, Lirim Bekteshi nga Gjilani i krahason seritë me “leximin e një romani. Të japin tregimin e njëjtë, vetëm të vizualizuar”, shpjegon ai.
Hajrie Reka, nga Prishtina, thotë që shikimi i serive është bërë tashmë si mënyrë e jetesës. Ajo i ka parë shumë prej tyre, që nga ato latino-amerikane, deri te ato turke.
“Më pëlqejnë; më heqin stresin e ditës”, përfundon Reka. “Është shprehi që të bën të varur”.
(Marrë nga “Jeta në Kosovë)
