Boksieri tregon ngjarjen e dikurshme me aktorin, i cili u tmerrua kur e pa në derë
A mund ta imagjinoni sikur dikush t’ju zërë në shtrat me gruan e tij dhe ky dikushi të jetë vetë përlindëshi Mike Tyson? Një situatë të tillë të sikletshme e të frikshme njëkohësisht e ka provuar Brad Pitt, aktori i famshëm hollivudian dhe i adhuruar nga shumë femra, beqare ose jo. Mike Tyson ka zbuluar gjatë një interviste të ditëve të fundit në Yahoo! Sports se dikur ka kapur në shtrat gruan e tij, Robin Givens, me Brad Pitt. Intervista e Tyson është publikuar në YouTube dhe ka pasur mjaft vizita që nga dalja e lajmit. Ish-boksieri i madh ka sqaruar se në kohën kur ka ndodhur kjo gjë, në fundin e viteve ’80, ai ishte në procedurë divorci me gruan, edhe ajo aktore e njohur.
Tyson rrëfeu se në atë kohë, ndonëse e kishte akuzuar të shoqen si “dosë hajdute”, herë pas here shkonte në shtëpinë e saj me shpresën për të bërë seks me të. “Por, atë ditë, dikush ishte treguar më i shpejtë se unë”, thotë Tyson. Ish-kampioni i botës pohon se “u tërbova fare kur i pashë”, ndërsa Brad u tremb shumë. “Duhet ta kishit parë fytyrën e tij kur më pa në derë”, ishin fjalët e Tyson, i cili ngulmon se nuk ushqen asnjë ndjenjë armiqësore ndaj aktorit. “Në atë kohë ai nuk ishte Brad Pitt, ishte thjesht një djalosh i vogël simpatik. Ndoshta e shiste trupin për pará, nuk e di. Ishte vërtet bukurosh”, thotë Tyson, që pas pak momentesh e mblodhi veten dhe u largua pa bërë sherr.
Boksieri dhe Robin Givens qëndruan të martuar për rreth një vit nga 1988 deri më 1989 dhe aktorja bëri kërkesë për divorc vetëm tre muaj pas martesës, me pretendimin se Tyson abuzonte fizikisht me të. Shumë raporte mediash thonë se ajo mori 10 milionë dollarë pas divorcit.
Tyson ka zbuluar disa të fshehta edhe të kohëve të fundit. Gjatë intervistës, ai tregoi se gjatë xhirimeve të filmit “The Hangover”, më 2009, ishte i dhënë krejtësisht pas kokainës dhe jeta e tij ishte një rrëmujë e vërtetë. Nëse nuk do të ishte ndihmuar nga yjet e filmit, ai nuk do t’ia kishte dalë t’u shkonte deri në fund xhirimeve. Tani ditët e këqija kanë mbetur pas dhe shfaqja e tij, “Mike Tyson: E vërteta e padiskutueshme”, po ecën mirë. I ka shpëtuar falimentimit dhe njëkohësisht ka një martesë të lumtur me Lakiha Spencer, gruaja e tij e tretë.