Kur këmbët e tua vlejnë miliona euro, sigurisht që ke disa kufizime. Por duket se Benzema është mësuar të jetë shpirt i lirë.
Sulmuesi francez është hedhur me parashutë gjatë kohës kur skuadra ndodhej në Dubai. Gjithçka është fotografuar edhe imazhet e akrobacive të tij ajrore kanë bërë xhiron e botës në internet.
Mediat spanjolle shkruajnë se Reali do ta gjobisë 27-vjeçarin.
Francezi është hedhur bashkë me një instruktor nga një lartësi prej 4 300 metrash, dhe natyrisht që diçka e tillë nuk mund t’i pranohet nga Reali që i ka ndaluar aktivitete të tilla në rregulloren e brendshme të klubit, pasi konsiderohen me rrezik të lartë për lojtarë që paguhen me miliona euro dhe tani Benzema rrezikon të marrë një gjobë të majme.
Qendërsulmuesi francez që paguhet nga Reali 7 milionë euro në sezon, nuk është hera e parë që bën gjëra të tilla. Në vitin 2009 ai u përfshi në dy aksidente brenda pak ditësh dhe në 2011 u bë protagonist i një gare me shpejtësi të lartë në Ibiza, ndërsa dy vite më parë i hoqën patentën dhe e gjobitën me 18 mijë euro pasi u kap nga policia duke i dhënë makinës me 216 km në orë.
