“U hodha nga kati i katërt për të vdekur. Më mirë e vdekur se gjallë me burrin që kam”. Kështu shprehet Hikmete Ukaj, gruaja 25-vjeçare që dy ditë më parë tentoi të vetëvritej. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, gruaja thotë se “jeta ishte bërë e padurueshme, aq sa zgjidhja e vetme i kishte ngelur vdekja”. Hikmetja ndodhet aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku është nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të shumta që ka marrë pas hedhjes nga kati i katërt i pallatit ku banonte në Durrës.
25-vjeçarja rrëfen jetën e vështirë me të shoqin, një person problematik me precedentë penalë.
Të martën në orën një isha në shtëpi me babain tim dhe erdhi burri, Ylberi, i cili si zakonisht filloi të bërtiste dhe nisi me muhabetet e veta. Ai në sy të babait më vuri pistoletën në kokë dhe më kërkoi lekë, sepse sa herë që kishte probleme, këtë gjë më bënte”, tregon ajo për ditën kur ndodhi ngjarja.
“Unë u hodha për të vdekur, jo për të shpëtuar. E mendova gjatë edhe vajzën, por jeta përkrah burrit tim nuk durohet. Sa herë që ai kishte probleme, më kërcënonte me armë, më kërkonte lekë. Madje, ai më akuzonte se unë e tradhtoja, vajzën nuk më linte ta shikoja sa herë që unë doja të largohesha prej tij dhe nuk e shtyja dot më. Burri im është lënë i lirë nga policia dhe më tha në telefon: ‘E shikon, dola i pafajshëm’. Por më e keqja është se ai ka kthyer edhe vajzën kundër meje dhe i ka thënë që mami donte të më vriste mua, prandaj është në spital. Sapo më tha vajza në telefon: “Mami, pse doje ta vrisje babin?”. Ajo është e vogël dhe nuk i kupton gjërat”, thotë Hikmetja.