Arrestohet drejtori i burgut, ministrja: Ka llogaritur gabim Cakën

Elena Tase

Arrestohet drejtori i burgut të Lushnjës Judmir Shurdhi dhe Llazar Mino me detyrë kartelist pasi akuzohen se liruan nga burgu 4 muaj e 22 ditë para kohe shtetasin Lulzim Caka.

Dy punonjës të tjerë janë shkarkuar nga detyra.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj doli si përherë vetë në deklaratë për media, ku njoftoi se pas lirimit nga burgu të Cakës “nisi menjëherë hetimi i brendshëm” dhe në fund rezultoi se ky i dënuar është liruar para kohe.

Gjithsesi ministrja tha se kjo ka ndodhur për “shkak të një gabimi”.

Ata akuzohen për “Shpërdorimin Detyre” dhe“Falsifikim të dokumenteve”.

Ndërkohë që Lulzim Caka është shpallur në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhërit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Qeveria dhe personalisht si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim. Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditur” – tha Gjonaj.

Judmir Shurdhi, drejtor i burgut të Lushnjes, që u arrestua

Lulzim Caka njihet si vrasësi gjakftohtë ku për hakmarrje pas vrasjen së nënës së tij në vitin 1999 ai ekzekutoi Valter Begën dhe Mariglen Camin.

Caka këtë krim e kreu duke u arratisur nga qelia e burgut ku qëndronte për të tjera vepra penale.

Pas këtij krimi ai do të qëndronte në arrati dhe emri i tij do të rikthej në skenë teksa tentoi të vras zyrtarët e policisë Gani Malushin drejtorin e Beratit dhe Ilir Ngresin shefin e postës Kuçovë.

Karriera kriminale e Cakës daton para vitit 1997 aty ku ai u përfshi në grupet kriminale të Kutallisë në Berat.

Lul Caka i njohur edhe si i afërt i Bujar Sulit, njohur si Loshi i Karbunarës një prej drejtuesve të bandave të Karbunarës dhe zonës Lushnjes Berat krijuan një grup kriminal, i cili operonte në aksin Berat – Fier dhe Berat – Lushnje në grabitjen e udhëtarëve dhe pasagjerëve që përdornin këtë aks përgjatë vitit të mbrapsht 1997.

Ky grup u përfshi në përplasje me familje të fshatit Samiticë e Kutalli nga ku u shënuan viktimat e para mes tyre.

Në formë hakmarrje në 1999 u ekzekutua nëna e Cakës, për të cilën ai më pas kreu dy vrasje. Në vitin 2003 Caka do të sillej në Shqipëri pas ekstradimit nga Italia, por nga ai moment ai nisi përpjekjet ligjore për ti shpëtuar burgimit të dhënë me 75 vite.

Pas ekstradimit ai kërkoi rivendosje në afat dhe rishikim të dënimit, ku gjykata e lartë e më pas ajo kushtetuese i dhanë të drejtë duke rihapur procesin.

Përfundimisht me një tjetër trupë gjykuese ai u dënua nga apeli i Vlorës me 25 vite burg dhe duke përllogaritur paraburgimin 1 vit në 1.5 vite burg ai arriti të fitoj lirinë më 29 korrik 2019 në moshën 57 vjeçare, por tani duhet të rikthehet për të vuajtur pjesën e mbetur.

e.t./dita

Share This Article
4 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *