Koço Broka*
Në pasqyrën e qeverisjes të datës 4 Gusht 2019 ERTV news do të njoftonte:
Bilanci i planit operacional antiiformalitet 1-31 korrik 2019
108 subjekte të parregjistruara të bllokuara
195 penalizime për mosleshim të kuponit tatimor
15 ambjente te bllokuara 30 ditë për mosleshim të kuponit tatimor për herë të dytë
92 subjekte të penalizuar per punonjesit të padeklaruar
42 subjekte probleme me kasen fiskale
26 subjekte me kase fiskale te paaktivizuar
82 subjekte te penalizuar per tregetim mallrash pa dokumentacion tatimor
30 raste te referuara ne prokurori.
Këto njoftime do shoqëroheshin dhe me lajmet për mbylljen e disa bizneseve të mëdha, ose me atakimin edhe të të paprekshmëve. Ndërsa dy javë më pas publiku do njoftohej se nga 2995 subjekte që janë inspektuar që nga data 4 Korrik 2019 në 1285 subjekte janë konstatuar shkelje, ose 42.9 për qind, çka flet se informaliteti dhe dukuritë e tij kanë përmasa vërtet të mëdha.
Në këto kushte kureshtja për publikimin e Treguesve fiskalë sipas Buxhetit të Konsoliduar ishte jo e zakonshme. Arsyet janë të shumta e të ndryshme, por unë po ndalem vetëm në disa prej tyre: Së pari. Kushdo që është njohur dhe ka përqafuar avantazhet e harmonizimit të menaxhimit sipas rezultateve me atë të menaxhimit operacional, nuk mund të kënaqet më lajmet e përditshme për operacionet kundër informalitetit. Kryesorja është se si dhe sa operacionet e mësipërme kundër informalitetit, janë materializuar në treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar të muajit Korrik se çfarë ndikimi patën ato, në ecurinë e treguesve fiskalë për gjithë periudhës Janar –Korrik 2019? A e “mbushën” ato buxhetin e shtetit?.
Së dyti. Edhe në vitin 2015 është zhvilluar një betejë e fortë me informalitetin, që për rezultatet në periudhë afatshkurtër nuk mungoi të etiketohej “Shumë aksione dhe pak rezultate.” Në se beteja aktuale ka disa tipare të tjera, dhe është drejtuar sidomos në karburantet, turizmin a ka patur qoftë edhe gjatë muajit të parë rezultatet e pritshme e ato të synuara?
Së treti. Ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore në muajin në Qershor ishte mjaft i ulët ose drejt stanjacionit vetëm në masën e 0.2%. A pësoi ndonjë ndryshim, shtytje ky ritëm rritjeje, si rezultat i operacionit antiinformalitet? Jo njëtrajtësia e ecurisë së të ardhurave buxhetore gjatë vitit të kaluar dhe fakti se ritmi i rritjes së tyre në gjashtëmujorin e dytë ka qenë mjaft më i lartë krahasuar me atë të gjashtëmujorit të parë mundësoi që ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore nga 2.2%, në gjashtëmujorin e parë të mbyllej me ritmin e rritjes prej 4.4 % në fund të vitit të kaluar. Në kushtet kur është e njohur efekti statistikor i bazës së rritjes, a do të shfaqej ky efekt gjatë muajit Korrik të këtij viti?
Së katërti. Mbështetur në të dhënat e gjashtëmujorit të parë ecuria e treguesve fiskalë gjatë kësaj periudhe ka patur disa tipare që janë ravijëzuar mjaft qartë:
-Ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore, paraqitet mjaft ë më i ulët se ai i shpenzimeve korrente. Ritmi i rritjes të këtyre të fundit karakterizohet nga një qëndrueshmëri relativisht e lartë për shkak se gjatë këtij viti janë ravijëzuar prirjet për, rritjen e shpenzimeve për sigurimet shoqërore me ritme më të larta se sa ato të rritjes të të ardhurave të tyre, (që thuajse nuk ka ndodhur në 3-4 vitet e fundit), për rritjen e shpenzimeve që pasqyrojnë efektin e PPP-ve paraardhëse si dhe ato për interesat e borxhit. Këto të fundit pas një prirje rënëse sidomos pas vitit 2013, kanë rifilluar përsëri të përpjetën dhe së bashku me shtimin e pagesave të principalit të borxhit të jashtëm dëshmojnë se është hyrë në periudhën e rritjes së vazhdueshme të shërbimit të borxhit. Interesat e bonove të thesarit të kësaj jave të Gushtit, flasin se kjo dukuri pritet të përforcohet muajt në vazhdim. Mjafton të mbahet parasysh se tre muaj më parë interesi mesatar i ponderuar i bonove të thesarit 12 mujore ishte 0.84 pikë përqindje më e ulet se niveli i tyre krahasuar me një vit më parë, ndërsa tani në Gusht ky interes ka arritur në një nivel të tillë që është 0.6 pikë përqindje më i lartë se sa niveli i tyre vitin e kaluar, duke u rritur gjatë tre muajve 0.85 pikë përqindje. Me një ecuri të tillë është e pritshme që, herët a vonë, kjo të ketë efekte në interesin e kreditit bankar.
Një situatë e tillë ka shpënë në thellimin e deficitit buxhetor, ndonëse në kushtet e stanjacionit të shpenzimeve kapitale, duke iu kundërvënë njëkohësisht angazhimeve për uljen e borxhit publik. A mos po i afrohemi një situate kur rishikimi ligjor i buxhetit do bëhet i pashmangshëm që në muajin Shtator?! Kjo e bën më të nevojshme të shihen të dhënat.
Për sa më sipër nuk është thjesht një kureshtje e ekonomistëve. Nga ato janë prekur direkt ose indirekt të gjithë. Ndërkohë jo më pak rol dhe rëndësi ka reagimi i aktorëve kryesorë Qeverisë, biznesit, punonjësve, konsumatorëve, medias, por edhe mendimit ekonomik dhe universiteteve ndaj kësaj situate.
Nga publikimi i të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në rubrikën Thesari, rezulton se të ardhurat buxhetore për muajin Korrik 2019, ishin 39,172 milion lekë, nga 40,980 milion të planifikuar dhe 38,838 të realizuar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pra vetëm me një shtesë prej 344 milion lekë më tepër ose me një rritëm rritje vetëm prej 0.9 përqind.
Duke pasur parasysh ritmin e rritjes ekonomike dhe të inflacionit, të ardhurat buxhetore reale rezultojnë me rënie. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se në Qershor- Korrik të këtij viti megjithëse ka vazhduar të forcohet leku; krahasuar me muajt paraardhës me ato të vitit të kaluar, ka ardhur duke u pakësuar më tej diferenca e tyre, pra raporti midis të ardhurave në lek për 1 Euro, krahasuar me muajt e vitit të kaluar. Kjo do të thotë se faktori kurs këmbimi, në periudhën Qershor-Korrik ndaj periudhës Janar-Prill ka qenë më i dobët. Edhe në këto kushte ritmi mesatar i rritjes të të ardhurave buxhetore gjatë 7 mujorit ra në 3.7% nga 3.8% që ishte gjatë gjashtëmujorit.
Pra duke brohoritur për atakim të informalitetit dhe të oligarkëve, në fakt të ardhurat e buxhetit kanë ardhur në rënie, dukuri për të cilën populli shprehet, u mbars mali dhe polli një mi. Dhe nuk mund të mos ndodhë ndryshe kur menaxhimi operacional i bën karshillëk menaxhmit sipas rezultateve.
Ritmi i rritjes dhe për pasojë dhe shtesa e të ardhurave buxhetore, në Korrikun e këtij vitit krahasuar me Korrikët paraardhës, është më e ulta, që nga viti 2013. Kjo në vetvete nuk është krejt e papritur papritur, po të mbahet parasysh efekti i kursit të këmbimit të lekut me euron gjatë këtij viti, për të cilin është ngritur fort shqetësimi nga biznesi eksportues. Në këtë ose atë shkallë tani ai po shfaqet qartë edhe në buxhetin e shtetit. Në kushte të barabarta të kursit të këmbimit, ose duke përjashtuar efektin e këtij faktori të ardhurat buxhetore do rezultonin më të larta, për gjithë periudhën Janar- Korrik.
Ndërkohë nuk mund të mos mbahet parasysh se mosrealizmi i të ardhurave buxhetore, është ndikuar në radhë të parë nga ecuria e të ardhurave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar i cili është më i ulët jo vetëm ndaj atyre të planifikuara por dhe më të ulëta se sa vitin e kaluar. Kjo bën imperative të hidhet dritë mbi nevojën e ndriçimit të faktorëve që kanë ndikuar në këtë ecuri. Cili është efekti i ecurisë të produktit të brendshëm bruto në këta tregues?! Cili është efekti i ecurisë së importit dhe sidomos të importit të taksueshëm? A ka efekt këtu rënia e nivelit të zhdoganimit të karburanteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që ka qenë e pranishme të paktën gjatë gjashtëmujorit? Cili është efekti konkret i dy investimeve të mëdha të drejtpërdrejta ai i TAP, dhe Hidrocentralit të Devollit, realizmit dhe rimbursimit të TVSH-së për to!? Cili është efekti por njëkohësisht qëndrimi që po mbahet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndaj rimbursimit të detyrimeve të prapambetura?! A do bëhet transparencë për to, tej informacionit që jepet në pasqyrën ECURIA E TVSH NË TERMA BRUTO DHE NETO –të Treguesve analitik fiskalë? Cili është efekti administrimit në tatime dhe dogana, kur nga vetë Kryeministri z Edi Rama pohohet për inspektorët abuzues, që bëjnë raporte fiktive nga kafenetë, për rryshfet? A janë të mjaftueshme shkarkimet dhe ndryshimet e deritanishme në drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kur janë të besueshme shqetësimet e ngritura nga kontabilistë dhe ekspertë të fushës se mjaft prej tyre hartojnë bilancet?! A u realizua deklarimi se në fund të Qershorit do të shlyheshin detyrimet e prapambetura për TVSH e tregues të tjerë?
Kjo transparencë dhe shpjegimet përkatëse janë të nevojshme e të domosdoshme, edhe për faktin se ka një ndryshim jo të vogël në treguesin Mbështetje buxhetore, me burim të dhënat nga rubrika Thesari të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ku ky tregues për gjashtëmujorin e parë prezantohet 1400 milion lek, me atë nga TREGUESIT FISKAL SIPAS BUXHETIT TË KONSOLIDUAR JANAR – QERSHOR 2019, të po kësaj Ministrie ku ky tregues paraqitet 10,048 milion lekë?!
Përgjigja e plotë objektive dhe e saktë e pyetjeve të mësipërme që nuk mund të jetë e plotë nga ekonomistët, media e vëzhguesit e jashtëm tej institucioneve shtetërore, që deri dje kishin në dispozicion vetëm të dhënat e rubrikës së Thesarit. Por ato kanë nevojë për shpjegimin nga organe përkatëse shtetërore, sidomos për transparencën shkallën e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit . Duke iu referuar pasqyrës ECURIA E TVSH NË TERMA BRUTO DHE NETO, për muajin Korrik dhe 7 mujorin rezulton, se TVSH si bruto dhe neto paraqitet nën nivelin e realizmit në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe se rritja e nivelit të rimbursimit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura mbetet ende modeste.
Çështja është se ecuria e të ardhurave buxhetore si në terma absolutë por dhe relativë, është shumë larg, atyre të rritjes të shpenzimeve korente dhe gjithsej, si gjatë muajit Korrik ashtu edhe gjatë periudhës 7 –mujore. Në se ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore ka qenë 3.7 %, ai i shpenzimeve korente ka qënë 8.9% shpenzimeve gjithsej 7.4% dhe shpenzimeve kapitale-investimeve -2.4 % Pamja bëhet më e qartë në terma absolutë kur mbahet parasysh se shtesa e të ardhurave buxhetore gjatë 7 mujorit ka qënë 9,415 milion lekë, ajo e shpenzimeve korente ka qënë 19,482 milion lekë , ndërsa e shpenzimeve gjithsej 18,692 milion lek
Në këto rrethana deficiti buxhetor si 7 mujor rezultoi –6,177 milion lekë, nga një sufiçit i planifikuar prej 349 milion lekë dhe 3,101 milion lek në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në kushtet e rritjes të ripagesave të principalit të borxhit të jashtëm kjo do të thotë se është rritur jo pak presioni për rritjen e borxhit publik. Pra është e qartë se operacionet antiinformalitet, me metodat aktuale për muajin Korrik nuk prodhoi defakto efektivit dhe aq më tepër të fillojnë të ndryshojnë rrjedhën e përkeqësimit të treguesve fiskalë. .A mos po përsëritet rezultati afatshkurtër i operacioneve antiinformalitet i vitit 2015? Ndonëse një muaj nuk është i mjaftueshëm, të dhënat tregojnë se po përsëriten rezultatet afatshkurta të vitit 2015. Në këto kushte nuk ka vend për qëndrime vetëngushëllues, rezultatet dhe efekti do të fillojë të duken me të dhënat e muajit gusht, por është e nevojshme që menaxhimi operacional ti nënshtrohet menaxhimit rezultativ.
Harmonizimi i operacioneve antiinformalitet me proçesin e fiskalizimit dhe konsultimi i ditëve të fundit që po kryen Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me draft-ligjin përkatës është i mirëpritur, por gjithsesi ai nuk mund të japë efektet e veta jashtë dhe pavarësisht menaxhimit rezultativ.
Gjatë muajit Korrik-Gusht janë parë rëndom drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejorisë së Tatimeve dhe Doganave të shkojnë në pika të ndryshme karburanti, magazina, hotele por deri tani nuk është parë ndonjë konkluzion bindës që ka rrjedhur nga analiza serioze e organeve shtetërorë mbi rezultatet e koncesioneve për shenjëstrimin e karburantit apo skanimit të deklaratave doganore. Ndërkohë që sipas të dhënave të gjashtëmujorit të parë, janë zhdoganuar 13802 ton më pak se sa e njëjta periudhë e vit të kaluar kur njoftohen rezultatet e operacionit informalitet flitet në litra, se në një magazine doganor janë zbuluar mangësi prej 233 mijë litra benzinë. Duke e shprehur në litra dhe jo në ton natyrshëm media pyet ose pohon se këtu kemi të bëjmë me tepër me një show se sa një angazhim konkret. Në se nuk do ishte show, të paktën do ishte deklaruar se pas gjashtë muaj do të ishte gjetur adresa e fituesit të tenderit të unazës dhe qëndrimin e mbajtur ndaj tij.
Sipas një artikulli të një Prof.As. Dr. botuar në revistën SCAN, duke u ndalur në ekonominë informale, tërheq vëmendjen se ekonomi informale apo evazioni fiskal, do të thotë: “Tërësia e veprimtarive prodhuese apo e shërbimeve në një vend, që nuk i nënshtrohet lejes dhe pagesës së detyrimeve fiskale.” Dhe më tej se” Në një studim të kohëve të fundit të Organizatës Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, (OECD), rreth reduktimit të ekonomisë informale në vendin tonë, evidentohet se në sektorin privat aktiviteti informal është 1.4 herë më i lartë se ai formal, ose 40-45 për qind më shumë” Në se kjo deklarohet nga institucionet huaja ndërkombëtare cili është qëndrimi i organeve shtetërore shqiptare lidhur me këto përmasa të shkallës së informalitetit. Njihesh me këto përmasa dhe natyrshëm lind pyetja: A mund të shpjegohet konkretisht nga autori e organet shtetërore se në cilët sektorë dhe fusha ekziston kjo ekonomi informale në vendin tonë? Sa është mundësia potenciale reale, që pavarësisht nga mazhoranca në pushtet, qoftë një pjesë relativisht e vogël në përqindje e kësaj ekonomie informale të transformohet në të ardhura në buxhet apo në një ekonomi formale, kur kjo e fundit vitin e kaluar ka arkëtuar rreth 420 miliard lekë? Është e njohur se në bujqësi nga 460 mijë fermerë të deklaruar vetëm 60 mijë paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, pra 400 mijë janë në informalitet. Dhe kjo në kushtet kur paguhen me pak se gjysma e kontributeve që paguajnë vetëpunësuarit në qytet . Objektivi për barazimin e nivelit të kontributeve të sigurimeve shoqërore të fshatit me ato të qytetit që ishte parashikuar të arrihej në vitin 2018, nuk u arit. Ka ardhur koha që shoqëria jonë shqiptare dhe segmentet përkatëse të saj të pozicionohen qartë e drejtpërdrejt për reduktimin e ekonomisë informale sidomos në bujqësi dhe transformim qoftë të një pjese të saj në ekonomi informale. Jo çdo formalizim në sektorë të caktuar si në bujqësi apo booking-un familjar është identik me shtimin e detyrimeve fiskale e për rrjedhojë të të ardhurave buxhetore. Ka ardhur koha që gjithë fermat të jenë të regjistruara e jo që numri i tyre të mbetet në 40 mijë, duke i lënë të tjerat hergjele. Kjo e fundit pavarësisht nga frika për detyrime fiskale nuk është në vetë interesin e tyre Regjistrimi i tyre nuk presupozon automatikisht shtimin e ngarkesës fiskale për detyrime fiskale. Por mazhoranca dhe opozita duhet të shprehen qartë për këtë. Nga ana tjetër Fiskalizmi është një hap i mirëpritur, por si çdo aspekt teknik nuk është gjithçka.
*Ekonomist
