Më në fund sërish bashkë, pas 70 viteve të jetuara larg njëra-tjetrës. Një përqafim i gjatë sa një jetë kur u takuan. Një nënë 92 vjeçe dhe e bija e saj 71 vjeçe, të ndara nga ngjarje dramatike me fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së nazizmit, janë takuar për herë të parë në Novellara, në provincën e Rexhio Emilias në Itali.
Nëna punonte në vitin 1944 si punëtore italiane në Gjermani dhe mbeti shtatzënë nga një i ri gjerman. Vajza iu mor menjëherë pas lindjes në vitin 1945 dhe u kthye në Itali pa mësuar asgjë mbi fatin e foshnjës.
Ato janë ritakuar pas 70 vjetësh falë “International Tracing Service”, qendra e dokumentimit dhe kërkimit mbi persekutimin nazist me seli në Bad Arolsen në Gjermani.
Takimi prekës mes dy grave u zhvillua në fund të javës së shkuar: nga njëra anë e bija, Margot Bachmann, me nënshtetësi gjermane, e cila banon në një vend pranë Frankfurtit dhe nga na tjetër nëna e moshuar nga Italia, e cila jeton në provincën e Rexhio Emilias dhe që ka parapëlqyer të qëndrojë anonime.
“Fillova kërkimin duke shpresuar se dija diçka më shumë, – ka treguar Margot, – por nuk e kisha imagjinuar asnjëherë se mund të shtrëngoja mes krahëve mamanë time. Jam shumë e lumtur se e gjeta gjallë dhe kaq në formë pavarësisht nga mosha. Edhe ajo ka jetuar gjatë gjithë jetës duke menduar se më kishte humbur. Im atë më kishte ndaluar ta takoja dhe fillova ta bëj një gjë të tillë vitin e shkuar pas vdekjes së tij dhe falë mbështetjes së vajzës sime”.
