Kontrollet e kryera në tregun farmaceutik konstatojnë shkelje të shumta sa i takon importit, regjistrimit dhe shitjes së barnave për pacientët shqiptarë. Ky fakt u pohua edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, i cili në një takim me grosistët e barnave paralajmëroi ndëshkime të shumta. Duke vënë në dukje problemet e rënda me të cilat përballet tregu farmaceutik, ministri Kosova bëri të ditur se ka fakte për abuzime në importin e medikamenteve, për kohën e regjistrimit të ilaçeve, ku për subjekte të ndryshme ky afat ndryshon si rrjedhojë e pagesave nën dorë.
Në shumë raste konstatohet se ndryshohen edhe ambalazhimet e barnave në mënyrë abuzive, pasi ka medikamente që prodhohen në një vend dhe ambalazhohen në një vend tjetër. Subjektet të cilat do të rezultojnë me abuzime të tilla, do të ndëshkohen.
Më tej ministri konfirmoi se nuk mund të lejohen çmime më të larta se në rajon për medikamentet. “Ka firma që për dy javë mund ta marrin lejen e importit, ka firma që mund të ngelet leja e importit një vit e më shumë dhe nuk e marrin për hir se ndonjë dhe mund të paguajë diku që të ndalet konkurrenca. Mungesa e konkurrencës jo vetëm në sektorin shëndetësor, por kudo çon tek pacientët çmime të larta”, u shpreh ministri Kosova.
Vëzhgimet e kryera konstatojnë probleme të rënda edhe sa u takon kushteve në të cilat punojnë farmacitë, e veçanërisht në kriteret që respektohen për hapjen dhe licencimin e tyre duke mos respektuar përcaktimet ligjore.
“Ka një numër të jashtëzakonshëm farmacish. Më parë kishte një lloj rregulli. Këto që janë prezente a i kanë kushtet sipas ligjit të aprovuar për këtë qëllim?” u shpreh ministri Kosova.
Sa i takon abuzimeve të konstatuara me blerjen e barnave për shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kosova vuri në dukje se tenderi për medikamentet është drejt mbylljes, dhe se në asnjë rast nuk do të lejohet blerja e barnave kundrejt çmimeve të larta sikundër ndodhi disa javë më parë.
“Do t’ju tërhiqja vëmendjen që ta fiksoni mirë në mendje të gjithë ju. Firmave farmaceutike, për të fituar një tender, për të shpërndarë ilaçe apo për t’u hedhur në tregun shqiptar, nuk do t’i duhet asnjë lloj veprimi korruptiv apo nën dorë, qoftë për veten e tyre për krijuar lehtësira, qoftë edhe siç e kam informacionin, për të bllokuar shokun apo kolegun në dëm të çmimeve apo të furnizimit me ilaçe të popullatës”, paralajmëroi Kosova.
Nga ana tjetër, ministri premtoi edhe zgjidhje apo lehtësira për regjistrimin e barnave, importin e tyre si dhe vendosjen e pullës së dyfishtë të sigurisë. Aktualisht po zhvillohen një sërë kontrollesh në rrjetin farmaceutik pas sinjalizimeve të shumta për abuzime në shitjen e barnave që hyjnë në vendin tonë. Për këto probleme ministri ka shtuar se do të marrin zgjidhje që gjatë hyrjes në dogana.
Mbështetja me mikrokredi e të diplomuarve në shkollat profesionale
Mikrokredi për të ndihmuar punësimin e të rinjve që mbarojnë arsimin e mesëm profesional. Kjo është mbështetja që Ministria e Arsimit deklaron se do të ndërmarrë për integrimin në tregun e punës të gjithë të rinjve që mbarojnë studimet e shkollave të mesme profesionale. Kreu i dikasterit të arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë vizitës së zhvilluar në një nga shkollat e mesme profesionale në Kamëz ka konfirmuar se të rinjtë do të mbështeten me kredi apo dhe me grante për të hapur edhe bizneset e tyre. “Ne do të mbështesim me përparësi nxënësit që përfundojnë shkollat profesionale, jo vetëm për punësimin e tyre në biznese duke marrë përsipër të gjitha kostot që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, nëse të rinjtë punësohen në një biznes, në tre vitet e para kostot e sigurimeve shoqërore i paguan qeveria, por ne do t’u mbështesim pas përfundimit të shkollës së mesme profesionale edhe me kredi, dhe me grante që të krijoni bizneset tuaja, të vetëpunësoheni”, deklaroi ministri Tafaj.
