Florije Peçi njëra prej vajzave të plagosura rëndë në aksidentin e Himarës në muajin Maj, dyshohet se mund të jetë abuzuar seksualisht në një qendër rehabilitimi në Austri gjatë periudhës kur po trajtohej. Ajo u konstatua shtatzanë në Tiranë në janar të këtij viti.
Vëllai i një prej vajzave të plagosura rëndë në aksidentin e Himarës më 21 Maj, i ka shkruar prokurorit të Përgjithshëm një kallëzim penal ku pretendon se gjatë kurimit në Austri, e motra e tij është përdhunuar. Bëhet fjalë për shtetasen Florije Peçi nga Librazhdi e cila pas aksidentit u transportua për kurim emergjent në Austri në gjendje kome. Gazeta “DITA” kontaktoi dje me zyrtarë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët thanë se letra denoncuese e Gazment Peçit nuk kishte mbërritur të paktën deri pasditen e djeshme në këtë institucion, ndonëse letra është e nënshkruar që më datën 6 Shkurt. Një shqetësim të ngjashëm prokurorisë i ka ngritur dhe deputeti Taulant Balla, por organi i akuzës konfirmoi se nuk ka ndonjë letër të tillë të ardhur dhe me të mbërritur letra do të trajtohet me prioritet maksimal.
Letra
Vëllai i Florije Peçit në letër tregon se në muajin Janar Florije Peçi është konstatuar shtatzanë në Tiranë ndërsa mjekët pas ekzaminimit kanë konkluduar se faza e konceptimit të fëmijës, pra periudha kur ka nisur shtatzania është ndërmjet intyervalit kohor 20-25 Shtator 2012. Florije Peçi ka mbërritur në Shqipëri nga Austria më datën 11 Tetor 2012. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se Florije Peçi është dërguar në Austri më datën 25 Maj 2012 në gjendje kome në klinikën “Neurologisches Therapiezentrum Gmundnerberg”. Më datën 3 Korrik 2012 mësohet se Florije Peçi ka dalë nga gjendja e komës. Ndërsa në letrën e të vëllait thuhet se Peçi ka dalë nga trajtimi intensiv, pra reanimacioni më datën 30 Gusht 2012. Pas kësaj date Florije Peçi ka qëndruar në të njëjtën qendër për të nisur fazën e dytë të kurimit, atë të rehabilitimit të plotë. Nga data 30 Gusht deri më datën 20-25 Shtator kur është konceptuar shtatzania janë gati tre javë. Pra gati 2.5 muaj pasi pacientja ka dalë nga koma dhe gati tre javë pasi pacientja ka dalë nga reanimacioni. Kjo distancë kohore duket se përjashton mundësinë e përdhunimit të saj në kushtet e gjendjes së koma-s apo të mungesës së vetëdijes, pasi pacientja në periudhën 20-25 Shtator rezulton të ketë dalë nga koma më datën 3 korrik dhe nga reanimacioni më datën 30 Gusht.
BOX
Letra e plotë që vëllai i Florije Peçit i ka dërguar prokurorisë:
Kallëzim
Kallëzim: Gazment Peci , datëlindja 14.03. 1983, lindur e banues në fshatin Katjel, komuna Rrajcë, Librazhd.
Objekti: Kallëzim për përdhunimin si e pazonja për tu mbrojtur të motrës time Florije Peçi e datëlindjes 15.01.1991 lindur e banues në fshatin katjel , komuna Rrajcë, Librazhd.
Baza Ligjore: Kodi i Procedurës Penale, neni 283
Drejtuar:
Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë: Z. Adriatik Llalla, Tiranë
Zoti Prokuror!
Unë që po ju drejtohem me këtë kallëzim jam Gazment Peçi, vëllai i Florije Peçit. Unë dhe familjarët e mi jemi shumë të tronditur nga një ngjarje shumë e rëndë që na ka ndodhur. Motra ime Florije Peçi, në aksidentin automobilistik të datës 21.05.2012, ndodhur në rrugën automobilistike Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, pësoi dëmtime të rënda shëndetësore.
Po atë ditë ajo u transportua me helikopter në gjendje shumë të rëndë në Qendrën Spitalore Ushtarake Tiranë.
Brenda disa ditësh me interesim të organeve më të larta të shtetit, u dërgua në gjendje kome për një mjekim më të specializuar në Austri.
Florija u shtrua në klinikën “Neurologisches Therapiezentrum Gmundnerberg”, në Almunster të Austrisë.
Për më shumë se 55 ditë ajo qëndroi në koma dhe në një terapi intensive mjekimi. Në kushte reanimacioni në këtë klinikë, ajo u mjekua deri më datën 30 Gusht 2012. Nga data 30 Gusht 2012 deri më datën 11 Tetor 2012 pas daljes nga gjendja e rëndë vazhdoi periudha rehabilituese me fizio-terapi dhe mjekime të tjera.
Më datën 11 Tetor 2012 Florija u kthye në Shqipëri dhe qëndron në familjen tonë në Katjel, Rrajcë Librazhd. Akoma është në gjendje të vështirë shëndetësore.
Në fund të muajit janar 2013, Florija kishte disa shqetësime shëndetësore dhe për këtë shkak e sollëm për vizitë dhe kontroll mjekësor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.
Aty u konstatua se ajo ishte shtatzanë dhe më datën 25 janar 2013 ajo u shtrua për trajtim mjekësor. Specialistët kanë konkluduar se konceptimi i shtatzanisë është në periudhën mes 20 dhe 25 Shtatorit të vitit 2012. Në këtë periudhë Florija ka qenë e shtruar në klinikën “Neurologisches Therapiezentrum Gmundnerberg”, në Almunster të Austrisë, në fazën e rehabilitimit shëndetësor.
Aktualisht Florija është e shtruar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.
Zoti Prokuror!
Motra ime Florije Peçi është përdhunuar në kushtet e spitalit ku ka qenë e shtruar për kurim. Me motrën time janë kryer marrëdhënie seksuale në kohën kur ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kishte mundësi të mbrohej. Veç kësaj nga aksidenti automobilistik i datës 21 Maj 2012, Florija pësoi dëmtime të rënda në kokë. Pasojat e dëmtimeve në kokë janë ende të dukshme edhe sot.
Ndaj motrës time është kryer një vepër e rëndë penale e cila rrezikon jetën dhe shëndetin e saj. Veç hallit që na ka zënë si familje, për shëndetin e Florijes, na ka rënë një njollë e rëndë turpi. Ne jemi një familje e varfër, që me këto që na ndodhën, kemi shkuar në kufijtë ekstremë të varfërisë, po detyrohemi të vuajmë këtë njollë e turp të madh.
Kërkojmë nga prokuroria të nisë procedimin penal për të gjetur autorët e vërtetë të këtij krimi makabër që ka goditur familjen tonë. Duam të dalë e vërteta dhe shkaktarët të ndëshkohen sipas ligjit.
Kallëzues: Gazment Peçi. Tiranë më datë 06 Shkurt 2013.