Trupi i një femre shqiptare të vrarë në Amsterdam në vitin 1997, i përket Zyrah Hidës, me banim në lagjen “11 nëntori” në Elbasan. Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme.
Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeçe me Petrit Baushin, me banim në fshatin Muriqan të Cërrikut.
Por gjërat nuk kanë shkuar mirë. Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci.
Më pas janë ribashkuar sërish dhe kanë qëndruar te shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit.
Këtu e ndjera është përballur me një realitet akoma më të hidhur.
Është rrahur, është keqtrajtuar, është përbuzur nga bashkëshorti dhe njerëzit e tjerë të tij.
Ka bashkëjetuar njëkohësisht me gruan e dytë të bashkëshortit.
Ka ndarë një krevat më të.
Është rikthyer sërish në familje.
Por aty nuk e kanë pranuar.
Është detyruar të kthehet sërish tek bashkëshorti dhe aty kanë nisur negociatat për ta shitur si prostitutë në Itali.
Është shitur për 100 mijë lekë, shkruan gazeta Shekulli.
Në nëntor të vitit 1996 ka hyrë në kontakt me Xhuljetën, ku e ka njoftuar se ndodhej në Romë nën kujdesin e një personi me emrin Titi.
Për vit të ri ka sjellë edhe 60 mijë lekë, me premtimin se do të sillte sërish të tjera.
Kontakti i fundit me motrën ka qenë në mars të vitit 1997.
Më pas nuk kanë pasur asnjë njoftim.
Xhuljeta Hida shprehet se në atë kohë ka kryer kallëzim penal për zhdukjen e së motrës.
Por nuk morën vesh për fatin e saj.
Kanë pasur frikë të denonconin pasi kanë menduar se trafikantët mund të hakmerreshin ndaj familjes dhe fëmijëve të saj.
Xhuljeta Hida fajëson nënën dhe një nga vëllezërit e saj në këtë histori.
Ajo pohon se nuk do t’i falë kurrë gjatë gjithë jetës, pasi mendon se ata kanë qenë shkaktarët që Zyraja është larguar.
Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan.
Për të tjerat shprehet se janë punë të policisë dhe drejtësisë.
