Janë sulme më tepër simbolike dhe pa dëme, për të dëshmuar prezencën e tyre, përforcuar kjo nga deklaratat dhe njoftimet me email. UÇK-ja e re në Maqedoni ka dalë në dritë në fund të vitit 2014, dhe inicialet e saj zbërthehen si Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Kjo organizatë hije që rezulton e treta me të njëjtat akronime (pas asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së vitit 2001), mori përsipër disa incidente në fillim të nëntorit 2014, dhe nuk ngurroi të demonstrohet përmes shfaqjes së personave në uniformë në rajonin e Tetovës dhe Shkupit, si pjesëtarë të “Gardës së Iliridës”. Një muaj më pas, grupi mori përgjegjësinë e sulmit që ndodhi në orët e mbrëmjes së 9 dhjetorit ndaj stacioneve policore në Bit Pazar të Shkupit, Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë. Deklarata e firmosur nga “komandant Kushtrimi”, dëshmonte atmosferën e mosbesimit dhe zhgënjimit të shqiptarëve të Maqedonisë jo vetëm nga tallja e cinizmi i autoriteteve sllavo- maqedonase, por edhe nga përfaqësuesit e tyre politikë. “Gjithandej trojeve shqiptare nën Maqedoni jemi dëshmitarë të një trysnie policore. Një gjendje e jashtëzakonshme por e pashpallur. Gjithë veprimet e aparatçikëve të pushtetit përcillen nën forca të mëdha policore. Veç dhunë e terror njohin trojet tona e populli ynë. Dhe për të shkuar mjerimi deri në fund, shqiptarët tanë në Qeverisje e politikëbërje rrinë, si për t’i dhënë bekimin e kësaj shtypjeje. Një gjendje e tillë kaq e pashpresë duhet t’i qasen të gjithë me ngut”, thuhej në komunikatë, duke shtuar se “thërrasim faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë para se Maqedonia të rrëshqasë në një luftë të re. Faktori politik shqiptar e veçanërisht ata në Qeverisje të shohin me realizëm gjendjen e mjerë të popullit shqiptar në Maqedoni”.
Reagimet
Ç’ishte ky formacion, që në deklaratën e tij, në fakt shpaloste njëfarë opinioni të gjithëpranuar nga shqiptarët e vendit fqinj? Dokumenti firmosej nga Komandant “Kushtrimi”. Një emër i tillë lufte, më herët i referohej Harun Aliut, veprimtarit që u vra nga forcat maqedonase të sigurisë më 12 maj 2010 bashkë me tre shokë të tij. Dhe ndërsa politika maqedonase po merrej me përgjimet bombë që po denonconte opozita e Zaevit, në shkurt 2015 UÇK-ja e re njofton për aksione të tjera. Ideja është për sulme pa dëme në njerëz, thjesht paralajmërues: Disa shpërthime pranë stacioneve policore, dhe një granatë në lulishten pranë selisë së qeverisë në Shkup në fillim të marsit që kaloi. Dhe këto, me njoftimin shoqërues të Komandant Kushtrimit, se sulmin e kreu “njësiti elitar Hasan Prishtina”, dhe qëllimi i UÇK-së është të ruajë maksimalisht jetët njerëzore.
Puna është se kjo dalje e çuditshme, është pritur që në fillim më shumë skepticizëm. Edhe vetë
ish luftëtarët e 2001-it janë të mendimit se në këtë pikë, me të gjitha ankesat e drejta të shqiptarëve të Maqedonisë ndaj qeverisjes aktuale, zgjidhja vjen përmes mekanizmave demokratike. “Qoftë dhe me një strukturë e re politike që do të ketë platformë të mirëfilltë për çështjen shqiptare në Maqedoni”, deklaroi për gazetën “Lajm” ish deputeti i PDSH-së dhe ish pjesëtari i UÇK-së, Ruzhdi Matoshi. Madje sipas tij, komunikatat e kësaj “UÇK”-je mund të kenë prejardhje nga strukturat qeverisëse, të cilat për ta ruajtur status quo-në, frikësojnë popullatën dhe mbulojnë mosplotësimin e kërkesave thelbësore të qytetarëve. Një mendim të ngjashëm ka dhënë edhe Hysni Shaqiri, gjithashtu ish pjesëtar i UÇK-së dhe ish deputet. Kërkesa për një formacion të ri politik shënjestron mungesën e shpresës jo vetëm ndaj Menduh Thaçit por edhe ndaj Ali Ahmetit, ish komandanti dhe drejtuesi i luftës së 2001-it që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, aktualisht në bashkëqeverisje me Gruevskin.
Nuk kanë munguar edhe talljet ndaj kësaj organizate hije, njerëzit prapa së cilës disa ish komandantë të UÇK-së i kanë quajtur “hajgarexhinj” dhe “UÇK të internetit”. Gabimet qesharake gramatikore edhe në dy rreshta njoftim, kanë shtuar dyshimet se është fjala për një grupim aspak serioz, në mos këto akte janë prapaskena të politikës aktuale.