Udhë të këputura

DITA Online

 Ese nga Mihal Gjergji

Më janë mërzitur parathëniet e librave. E përse duhet t’i bashkangjitet emërit tim, ai i një tjetër autori. A nuk ngjason si një kostum i përdorur! E mendoj një traditë të tejkaluar. Ai që mbështetet te patericat s’mund të shkojë larg. Unë kam rrugë të gjatë për të bërë…

Pastaj, poeti s’shkruan vetëm për të kënaqur të tjerët. Lexuesi e ka të vështirë të kuptojë  marrëdhënien e krijuesit me frymëzimin, aktin hyjnor. Proza mendohet, poezia-jo! Askush s’i pengon të tjerët të shkruajnë mendimet e tyre mbas leximit të një libri. Edhe kritikët gjithashtu. Këta të fundit, le të jenë edhe skeptikë. Le t’u referohen edhe filozofëve, rivalëve të natyrshëm të poetëve.

Të parët, të lodhur nga egocentrizmi i pashmangshëm, që shoqëron qëniet njerëzore, kërkojnë ta futin jetën dhe mendimin brënda kornizave të paramenduara prej tyre, të dytët-jo. Koha bart me vete zhvillimin, e ky zhvillim, ky univers marrëdhëniesh komplekse, ngjarjet që i tejkalojnë njerëzit dhe parashikimet e tyre, dalin jashtë çdo kufizimi. Prandaj poetët luftojnë për lirinë njerëzore, atë të mendimit dhe shpirtit.

Kanë dalë shumë të vetëquajtur vjershëtorë, bejtexhinj e vargbërës. I kemi nëpër këmbë, por ata vetëpengohen, s’munden të pengojnë askënd. Edhe fare të padobishëm nuk janë, sepse ushqejnë tokën. Keni dëgjuar për plehun? I ndihmon lulet të rriten, lulet që ne i duam aq shumë.

Dikur më pyetën: -Vërtet duhet edhe i ligu? -Sigurisht, u përgjigja. Ai s’i lehtëson dhimbjet tona, sepse lotin tënd e fshin vetëm dora jote, por ai duhet. Pa ligesi, s’do kishte drama, as tragjedi. Botës do t’i mungonte lartësia e artit skenik, pra, një pjesë e bukurise së saj.

Nderi i çdo njeriu është Atdheu. Ne i japim atij çfare kemi; rininë, zemrën, mendjen. E Atdheu mban brenda gjirit te tij edhe ata që jane misherim i ligësisë dhe e vrasin atë çdo ditë e çdo orë…Ja pra, e paskemi idhullin (Atdheun) të cilit duhet t’i ngjajmë. 

Unë s’çuditem, që ata marrin edhe çmime, nga ai apo ky komision, dalin edhe në televizione, mbushin edhe faqet e gazetave në krizë. Pastaj guxojnë të bëjnë analiza, nëse Kadare e meriton apo jo çmimin “Nobel”. Dhe s’kuptojnë mjeranët, që Kadare e ka marrë prej kohësh çmimin “Nobel”, sepse është përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, lexohet nga popujt që i flasin këto gjuhë dhe ka merituar vlerësimet maksimale nga elitat intelektuale të këtyre vëndeve.

 Atëherë, çfarë vlere ka vendimi i një grupi pleqsh, të lodhur nga stërkëmbshat e interesave apo plotikave globale, përpara gjykimit të miliona lexuesve të planetit?

E keni lexuar “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”? Agolli e botoi në vitin 1972 në  Tiranë, në 21 mijë kopje. Pas disa muajsh u ribotua. Zylot e djeshëm (dhe më shumë të sotshëm), të shumuar si krisja, shëmbëlltyra të Don Kishotëve, stigmatizohen pa mëshirë. Kryeministri Mehmet Shehu e thirri shkrimtarin në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. E qortoi për guximin e treguar, sepse, sipas tij, kishte goditur fuqishëm administratën shtetërore.

Albanologu Kristian Gyt, Drejtor i Arkivave dhe “Kalorës Nderi” i Francës, e përktheu dhe botoi në shtëpinë botuese Gallimard. Pastaj, libri u përkthye dhe botua në Bullgari (nga Marina Marinova në vitin 1978 – ku aludohej nga shtypi bullgar si goditje ndaj Todor Zhivkov, si vepër e ndonjë autori vendas të kamufluar me emërin e Dritëroit), Itali, Greqi, Gjermani, Rusi, Maqedoni, Kinë etj.

Kjo vepër dhe autori i saj, e kanë merituar prej kohësh “Nobel-in”, pavarësisht se s’është futuar në axhendat e Zylove që merren me këtë procedurë burokratike. Mos duhet të gjykohet Dritëroi nga bejtexhinjtë? Ai është një poet i fuqishëm. Dhe shumë njerëzor.

Ne kemi shkrimtarë dhe poetë të mrekullueshëm, para Naim Frashërit e deri në ditët tona. Kemi gjuhëtarë, historianë e studiues që vlerësohen nga katedrat shkencore të Evropës. Lexoni Eqerem Çabej, Spiro Konda, Aristidh Kolën dhe Irakli Koçollarin, të kuptoni deri ku kanë mbritur tentakulat helmuese të shovinizmit helen mbi teritoret tona. Çfarë dëmesh të pallogatshme na kanë shkaktuar. Çfarë tragjedish janë luajtur mbi trupin dhe me gjakun e shqiptarëve. T’i lexosh ata me vëmëndje, të qëmtosh shqiptarizmin dhe idetë që përcjellin, s’është humbje kohe.

Studioni Rexhep Qosen, princin e qartësisë intelektuale, qëndrestarin e pashëmbullt në përballjen e madhe kulturore shqiptaro-serbe. Atëherë do kuptoni barbaritë sllave mbi trojet tona, mbi njerëzit tanë, baladat, mitet dhe kulturën, mbi kujtesën historike kombëtare.

Ka një rendje gati histerike pas romaneve të seksit, dramave të dashurisë, poemave të mbushura me psherëtima ndarjesh, të damave që mbrijnë nga çdo cep i globit, romane policorë me banda e banditë, vrasje, terrorizëm, prostitucion e rrëmbim fëmijësh. Modelet më të këqia kanë ardhur tek ne. Janë bërë ushqimi i rinisë shqiptare…

Të shkruash dy vargje të bukura, duhet shumë kohë, ndërsa të shkruash një poezi të bukur, duhet një jetë. Ky ishte mendimi i Lasgush Poradecit, dhe kishte të drejtë. Si mund të vetëshpallesh kont, lord apo baron? Si mund ta meritosh një skeptër të tillë, skeptrin e poetit. Këtë titull e ëndërrojnë edhe mbretërit, ta kenë si aureolë të bardhë lavdie. Mirëpo me Zotin s’mund të përballesh. Ata që përpiqen ta shndërrojnë artin në filozofi, d.m.th, në mendim, sikurse shkruan Hegeli, s’kuptojnë që përgatisin aktin mortor të krijimtarisë, pikërisht vdekjen. Madje guxojnë që edhe poezinë ta “mbysin” brenda mendimit të poezisë. Ç’marrëzi!

E në këto kushte, mendova që lexuesi të bashkëbisedojë vetëm me mua, për pak çaste. Për të njohur poetin, duhet të njihni edhe vendlindjen e tij, sepse ajo e ka “gjyrosur” brenda shpirtit, atje është ngjizur fëmijëria e tij, të cilën e bart me vete gjithë jetën.

Familja është edukatorja e parë morale e çdo individi. Shkolla edukon lirinë intelektuale. Nga prindërit e mi mësova t’i dua njerëzit. Edhe jetën. Sepse është shumë e shkurtër dhe vjen vetëm një herë.

E kisha brenda familjes modelin e qëndresës, të ecjes plot dinjitet dhe të vdekjes në këmbë. Në shkollë, asnjëherë s’i kam kënaqur pritshmëritë. Disa prej mësuesve, i shndërronin klasat në monarki absolute. Ata s’mundnin të edukonin njerëz të lirë dhe të aftë. Më shumë sesa edukatorë, ishin shërbestarë të bindur të ideologjisë që sundonte. Pastaj, shoqëria !… Ajo duhet të edukojë bashkëjetesën, e përmes saj, edhe qytetarinë, si shkalla më e lartë e moralit…

Vendlindja ime ka një harmoni interesante besimesh fetare. Paganizmi  indiferent e moskokçarës ka pranuar në heshtje Kishtin e më vonë Muhamedin. E kjo, si për t’u thënë: Unë jam Zot në vendin tim, ju keni për të mbetur mysafirë.

Gjurmët  e besimeve janë memorizuar në emërtimin e institucionet të kultit, ndërtuar në periudha të ndryshme kohore. Megjithatë, është vështirë të dallosh besimin e vërtetë shpirtëror të banorëve, të cilët, thuajse janë të shkrirë me njëri-tjetrin. Emëri i babait, gjyshit dhe stërgjyshit ishin të besimit islam, ndërsa mua, çuditërisht më dhanë emërin e njërit prej kryeëngjëjve, Mikailit, sikur të prisnin përmbushjen e  misionit të tij.

U rrita mes një natyre frymëzuese, e cila ngjason me një pikturë, ku vjeshta i dorëzohet dimërit. Në sfond qendrojnë kreshtat e larta, ndërsa mes tyre, fshatrat e kapura pas reve. Arat e kursyera zgjaten poshtë shtëpive si vetulla të ngrysuara. Malet qëndrojnë të veshur me fustanellat e Bilbilenjve. Mbi krye kanë vendosur qeleshet e bardha të trimave vrarë në betejat e përgjakshme me pushtuesit. Në largësi, drurët shtatlartë të pyjeve dërgonin zogjtë me këngët e tyre. Donin të mësonin nëse ishim gjallë apo jo. Futeshin edhe në strehën e shtëpisë time. Cicërimat përziheshin me muzikën që krijonin pikat e shiut. Unë u jepja këngët e mia që t’i këndonin larg, ndërsa qëndroja i pagjumë bashkë me erën e vendlindjes. Vetëm ata kishin mbetur të lirë. Dyfeqet me gjalmë kishin heshtur, s’kolliteshin më, por jo lufta. Ajo s’kishte pushuar, por bëhej ndryshe; me fjalë, me intriga, me gjykime celulash mbas krahëve.

Edhe qielli më dukej i trishtuar.

Rinia ime mbajti mbi shpatulla një peshë që s’i përkiste moshës. Kisha braktisur veten time. Me gjakun e xhaxhallareve te mi, “Dëshmorë të Atdheut”, sikurse ndodhi me gjithë martirët e tjerë, u lyen kolltukët e pushtetarëve. Gjithë ajo traditë bujarie dhe bese e Kurveleshit, u zhbë si vesa nën rrezet e diellit përvëlues. Ku humbi shpirti kryengritës? Mos vallë Zotin e kishte braktisur arsyeja! Edhe ai duhet të gabojë, apo jo? Ndryshe s’mund të shpjegohej ajo gjëndje.

Ndjehesha si në një tokë të huaj. Dajot m’i burgosën. S’e kishin duartrokitur komunizmin. U cilësuan armiq të rregjimit. Dashurinë e tyre s’e preka, madje s’e ndjeva asnjëherë pranë vetes. Shikoja mëmën time që sistemonte disa thasë me libra. I pastronte dhe qante. Kjo ishte pasuria që trashëgova prej tyre. Vetëm libra, shumë libra. Shumica të përkthyera nga rusishtja dhe greqishja. Autorë të njohur dhe të panjohur për mua. Ata u bënë miqtë e mi, shtegu ku mund të shikoja dritën, jastëku i ëndrrave ku vendosja kokën. U futa mes tyre për të zëvëndësuar duart e munguara. Gjeta ilaçin që qetësonte brengat. Pastaj, këngët e mia fillova t’i hedh në vargje.

Ku të mbështetesha; buzë humnerës, te fati im i pafat?

Më ka shpëtuar rastësia. Gjarpri që më ndiqte kishte dy kokë; njëra ruante “shokët” e udhëheqjes në Komitetin Qendror, ndërsa tjetra kafshonte dhe përgatiste arkivolë në vendlindje. Trupi im mund të kishte përfunduar poshtë trenit, i cili ecte mbi shinat e luftës së klasave, ndërsa koka, në pellgjet e terrorit të kuq.

E dini, shpirti njerëzor ka këngët e tij. Nëse e lini të lirë, ai mund t’i këndojë. Mirëpo atëherë s’kishte liri, as tani. E që të mos përfundoje në burgun e shtetit, duhet të ngujoheshe brënda burgut të fjalës. Mendoja se vargjet plot dhimbje të Bërnsit ishin shkruar duke ngjyer penën edhe në pikëllimin tim: “Më fal, Atdhe. Mbeç me shëndet/ Më prenë keq në besë!/ Por është i lig kush vdekjen pret/ E pret e s’di të vdesë”

Nëse lumit i vendosni prita, atëherë ai krijon gjolin e ujit, del nga shtrati dhe përmbys çfarë i del para. Me poetët ndodh ndryshe, ujin e kthejnë në dritë, si turbinat.  Poeti nuk “thot”. Ka një mënyrë interesante në rrëfimin e shpirtit dhe njohjeve, atëherë kur i bën publike. E pikërisht në djepin e lirisë, arrin të ndryshojë botën me të vërtetat që përcjell.

Por poezia është e paracaktuar të zbukurojë shtresën aristokrate. Prandaj lexohet rrallë dhe akoma më rrallë kuptohet.

Poetët janë shumë para në kohë, ata s’mund të presin, i takojnë ardhmërisë. Vdekja nuk është pronë e tyre. Andaj mbeten “dashnorë të padashuruar” sikurse shprehet Kuazimodo. Dhe s’ua kërkojnë vlerësimin e merituar, as duartrokitjet. Vetëm poshtërimet s’mund t’i pranojnë. Sepse kur fyeni poetin keni përbaltur popullin tuaj.

Poetët krijojnë Atdheun ideal  (“përherë i papërfunduar”!), që ju t’a mbartni brenda shpirtit.

E, Atdheu meriton një nderim të thellë. Nga të gjithë…

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *