Udhëheqësi bashkëbisedon…

anazapta

Ra zilja e telefonit. Ministri i Bujqësisë e mori menjëherë dhe, meqë nuk dëgjoi zë në anën tjetër, pyeti: Kush është?

Nga ana tjetër erdhi zëri i çjerrë i Udhëheqësit:

-Nuk është nevoja me pyet. Dua që nesër në drekë të vizitoj një nga stallat e lopëve më të mira të vendit. Njeh ti ndonjë?

Po,- u përgjigj ministri,- njoh njërin që është i yni. Ka bërë shumë për ne, por problemi është se biznesin e lopëve e ka bërë me paratë e drogës. I ati, që ka qenë zooteknik, e këshilloi t’i investonte në këtë fushë.

-Po ç’punë prish kjo, mor zotëni,- tha Udhëheqësi,- ne do e paraqesim si arritje të qeverisjes time! Populli nuk di gjë nga kanë ardh parat.

-Si urdhëron!- u përgjigj Ministri.

Të nesërmen, një radhë makinash ndaluan pranë stallës së lopëve. Në oborrin e stallës kishin dalë për të pritur Udhëheqësin pronari Mazllum Qytyku, i ati Rrahimi, kryetari i komunës dhe disa figura partiake të zonës.

Ministri e prezantoi Udhëheqësin me pronarin.

-Ky është Mazllumi. Shkurt, i thërrasin Llumi.

-Jam shum i gzuem që e takoj,- tha Udhëheqësi.- Kam shumë respekt për Llumin. Ka ba shumë për ne dhe për demokracinë. Që në 1990 nuk na është ndarë askund. Jemi një e të pandarë.

Pas përshëndetjeve, përqafimeve dhe ulërimave “Liri-Demokraci”, tufa partiake, e prirë nga pronari dhe Udhëheqësi, hyri në stallë. Të trembura nga zhurma, shumica e lopëve u ngritën në këmbë dhe u afruan, nga të dyja anët, pranë gardhit që i ndante nga korridori. Panë Udhëheqësin dhe iu përngjau në zotin Rrahim, që i ushqente çdo ditë. Por, shpejt u zhgënjyen prej zërit të zhurmshëm dhe mungesës së sfurkut që mbush grazhdin.

Lopët dhe shpura shoqëruese, me gishtat lart dhe vështrim nga kamerat, krijuan sfondin e duhur për madhështinë e Udhëheqësit. Pronar Mazllumi bëri prezantimin e rastit.

-Sot, kam kënaqësinë t’ju them se ka ardhur të na vizitojë Udhëheqësi. Është Ai që ka qenë dhe do të jetë, Ai që i përket të Kaluarës, të Sotmes dhe të Ardhmes, është Ai që na e ka dërguar vetë Zoti, pasi çdo Tufë ka Bariun që meriton. Në Vatikan janë ndërruar tre Papë qysh nga viti 1992, kurse Udhëheqësi ynë është dhe do të jetë i përjetshëm.

Ishte radha e Udhëheqësit. Nisi të klithte fjalët që duheshin për ekranet. Lopët që ishin më pranë u tremben. Mazllumi u mundua t’i qetësonte. Por njëra, që u çua në këmbë më vonë se të tjerat e shprehu hapur fikën. Ngriti bishtin, lëshoi disa bajga, por i shpëtuan edhe do p..rdhë. Mazllëmi u ndie i turpëruar. Po matej të thoshte se kjo ishte shprehje e nderimit, por Udhëheqësi ndërhyri në çast.

-I nderuem Mazllum!  Këtu nuk ka vend për t’u turpnue. Ai është një akt human, demokratik, që tregon se sa të lirë janë shqiptarët sot. Ministri i Bujqësisë u afrua ngadalë dhe i kujtoi Udhëheqësit se ndodheshin në një stallë lopësh.

-E di, e di,- tha Udhëheqësi,- dhe u drejtuar nga lopët:  – Të nderuara e të nderuar! Kurrë nuk kam qenë më i lumtur se sot. Po ju them se ndihem si në shtëpinë time. Me lopët është e lidhur fëmijëria ime, të cilën ma ka prish diktatura. Ju nuk mund ta kuptoni këtë, pasi ju jetoni në demokraci. Kur isha i vogël, isha shumë i lidhur me lopët e mia, por diktatura e pikasi këtë dhe më ndau prej tyre, më mori me forcë dhe më dërgoi në Tiranë. Unë u pikëllova shumë, por s’kisha ç’bëja. Më futën në shkollë të mesme dhe në universitet dhe, nga frika se do të kthehesha tek lopët e mia, vetë diktatura m’i pagoi shpenzimet e shkollës. Duke mos më zënë besë se do rrija pranë saj, më degdisi në Francë për studime. Edhe atje me paratë e diktaturës. Mirëpo, lopët ishin dashuria ime e parë e gjithnjë e kisha mendjen tek ato. Si unë e pësuan dhjetëra mijëra të tjerë.

-Gjynah, gjynah!- u dëgjuan shumë zëra nga stalla.

-Duke e ditur këtë, unë kam marrë masa që, gjatë këtyre 22 viteve, me mijëra vocërrakë të moshës time të atëhershme, të qëndrojnë pranë lopëve dhe kafshëve të tjera dhe të mos merren me punë të kota. Sepse, jua them unë ju, unë i due të gjitha kafshët. Po, po, pa përjashtim! Shpesh kam mendue me u kthye tek kulla ime.

-Insha-allah jo, insha-allah jo!- u dëgjuan lutje nga stalla. Na duhesh këtu, në krye.

-Faleminderit,- vazhdoi Udhëheqësi,- mirëpo, kulla ime atje asht damtue. Edhe livadhet janë mbush me ferra. Jo, po, do të thoni ju, përse nuk e riparon. Po une nuk jam futur në politikë për t’u pasurue. Fëmijët e mi, me zor, i bëjnë një milion Euro në vit. Misioni im asht liria dhe mirëqenia juej.

Në stallë shpërtheu hareja. Të gjithë dukeshin të lumtur.

-Se, ja,- vazhdoi Udhëheqësi,- ne kemi mendue me ju vendos edhe çipa. Po, po, edhe çipa, sepse kështu rritet saktësia e të ushqyerit dhe rendimenti.

-Insha-allah, insha-allah!- u dëgjuan përsëri lutje nga stalla. Njëra nga lopët tundi bishtin.

-Siç ju thashë,- vijoi Udhëheqësi,- jemi në prag të fushatës elektorale. Jo shumë larg prej këtu ndodhet Ruzhdija. E dini ju çfarë është Ruzhdija? Është një fshat model. Atje të gjithë kanë votue dhe do të votojnë për ne. Ata kanë sakrifikue, duke votue për ne, edhe pse, ditën e zgjedhjeve, ishin në Australi, Zelandën e Re, Amerikë apo Kanada. Madje, kanë votue edhe ata që s’kishin lindur ende si dhe shumë prej atyre që kishin vdekur. Ne do të synojmë që më 23 qershor ta bëjmë gjithë Shqipërinë si Ruzhdija. Prandaj po bëjmë edhe këto ndryshimet në Komisionet Zgjedhore.

Shpërthyen duartrokitjet dhe pëllitjet gazmore.

Ushëheqësi bëri një shenjë me duar dhe vazhdoi: – Pak ditë ma parë shkova për vizitë tek ngjalat. Bashkëpunëtoret e mia më kanë nxitur vazhdimisht, sidomos Zëvendësja dhe Zëdhënësja, që vdesin për ngjala dhe kurrë nuk thonë jo. Në vitin 1992, katër muaj pas ardhjes time në pushtet, unë hëngra ngjala. Që nga ajo ditë nuk m’u ndanë, por në maj 1996 vendosa, qoftë edhe me dhunë, t’i refuzoj. Nuk durohej më. Ia dhashë opozitës, me zor. Mirëpo, u inatosen këta ndërkombëtarët dhe, në vitin 1997 më detyruen t’i ha. Për tetë vjet nuk m’u ndanë ngjalat. Në 2005-n, për faj të vet, ngjalat i hëngrën ata që ishin në pushtet. Nga ajo ditë, me marifet, ua kam lënë gjithnjë në grazhd. Edhe këtë radhë, në prani të ngjalave, premtova t’ia lë opozitës. Se, në fund të fundit, diçka do marrin edhe ata. Mirëpo, ngjalat m’u lutën që këtë radhë t’i ha unë. Jam në dy mëndje. T’i ha më mirë me nder apo me zor? Nuk kam vendosur, por duke parë e duke bërë. Nji nga kafshët që admiroj ma shumë janë edhe gomarët. Se gomarët…

Nga stalla iu bë një pyetje. Donin të dinin ç’mendonte për qentë.

-Qentë i due shumë,- e nisi përgjigjen Udhëheqësi.- Shumë prej tyre i mbaj në oborr. Ju them unë ju, janë kafshë besnike qentë. Disa prej tyre m’u larguen para disa viteve, mirëpo u penduen dhe u kthyen përsëri. (Ministri i Bujqësisë ishte vrenjtur në fytyrë dhe syzet iu varën mbi hundë). Qentë kanë virtytin më të çmuar për mue, aty ku hanë, aty lehin. Ju premtoj se për katër vitet e ardhshëm do e shtoj numrin e qenve. Po, po. Unë i mbaj premtimet.

Shpërthyen prapë duartrokitje. Por kësaj here atmosferën e prishi një pëllitje e vrazhdët. Ishte një lopë laramane. Udhëheqësi kërkoi t’i shpjegonin domethënien. Rrahimi u nxi, por udhëheqësit duhesh thënë e vërteta.

– Tha se e ëma dhe gjyshja kishin jetuar dhe vdekur në stallë, por pa çip dhe pyeti pse Udhëheqësi flet gjithmonë në Kohën e Ardhme dhe, gati asnjëherë, në Të Kryerën e Thjeshtë. Gjithashtu, ajo donte të dinte se pse Udhëheqësi nuk kishte shkuar tek kushërirat e saj në fushat e Shkodrës dhe Lezhës, të cilat jetonin prej tre vitesh në ujë dhe kishin humbur edhe viçat e tyre.

Udhëheqësit iu shtangos fytyra, por përgjigjen e kishte të gatshme.

-E shikoj se qenke e kuqe,- nisi t’i fliste,- por kjo s’më pengon të të them në sy se ka ikur koha e baballarëve tuaj dhe ju jeni të pashpresë. Ne do të qeverisim edhe katër vjet të tjerë, madje, edhe katërmbëdhjetë vjet. Po, po, kam fol me… Zoti asht me mue!

Meqë atmosfera u prish, Udhëheqësi, eskorta dhe tufa partiake morën rrugën e largimit. Atëherë, lopë, viça dhe stallierë i kënduan një këngë vendase, refreni i së cilës thoshte:

 

Ik or Plak se të zuri nata

Ka ardhë koha të hash ngjala

Daç të shkurtra, daç të gjata

Mos kij frikë se nuk kanë hala.

Share This Article
2 Comments
  • Bukur eshte shkruar. Alegoria per Rrulin, Imamamin, Ceken dhe te tjere si qen qe lehin ne oborrin e Saliut eshte nje realitet shume i hidhur.
    Duke e lexuar njeriu qesh, por edhe pezmatohet, ngase prej kaq vjetesh durojme bajgat dhe p… e ketij palku te rrjedhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *