Ja zhvillimet më të fundit në të dy segmentet e projektit në territorin shqiptar, Bilisht-Çorovodë dhe Çorovodë-Seman
Tashmë kjo udhë është ravijëzuar deri në detaje, jo vetëm në letër, por edhe në terren. Në shumë segmente ka filluar faza e ndërtimit të rrugëve me parametra teknikë ndërkombëtarë nga ku do të transportohen tubacionet dhe aksesorët e tjerë gjigantë të projektit.
Në gjithë këtë punë, në këtë projekt, është për t’u vënë në dukje bashkëpunimi i shkëlqyer i firmave projektuese dhe zbatuese të projektit me administratat vendore. Interesi është i përbashkët, në shumë vende shfrytëzohen transetë ekzistuese, që ulin shpenzimet, të cilat kalojnë në interes të komunitetit në forma nga më të ndryshmet.
Skrapari, megjithëse një krahinë me tipare të përbashkëta etno-kulturore me zona të tilla si Vakëfet, Oparin, Vithkuqin e Korçës, megjithëse dikur pazarin e bënte në Korçë, transportin e ka patur tepër të vështirë, vetëm me karvane dhe në këmbë, duke kaluar nëpër qafa malesh mbi 2000 metra lartësi, si Qafa e Martës, Qafa e Beçit, Qafa e Veshit, Qafa e Gjarprit, të cilat në dimër bëheshin të pakalueshme. Projekti i TAP me rrugën e re ka zgjuar një ëndërr shekullore të banorëve të këtyre anëve, duke sjellë Korçën dhe fshatra e saj afër me njëri-tjetrin.
Ndërtimi dhe rehabilitimi i mbi 100 kilometrave rrugë, dy urave të reja dhe rehabilitimin e rreth 50 urave ekzistuese përgjatë trajektores së tubacionit: në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës; Potom, Çorovodë, Kakrukë në rajonin e Skraparit, Beratit si dhe në atë të Fierit, do t’i rijetësojë në mënyrë të dukshme të gjitha këto zona, do t’i ndihmojë ato në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë social dhe kulturor.
Një prej zonave ku kanë nisur punimet për sistemimin e infrastrukturës rrugore është ajo e Vithkuqit në Bashkinë e Korçës. Në këtë zonë është parashikuar që të ndërtohen dhe rehabilitohen rreth 13 kilometra rrugë dhe do të ndërhyhet në përmirësimin e katër urave në segmentin Ura Floq- Vithkuq.
Kjo krahinë është shumë e veçantë pasi është e njohur për përqendrimin e një numri të madh objektesh të trashëgimisë kulturore, sidomos ato me subjekt fetar. Në Vithkuq gjenden 3 kala të lashta, ajo e Bellovodës, e Lubonjës dhe e Shën Pjetrit që datojnë që në shekullin e dytë para erës sonë. Gjithashtu këtu gjenden 24 kisha dhe tre manastire që datojnë që para shekullit XII si edhe mbi 100 kroje natyrore me ujë të pijshëm. Kjo e bën zonën e Vithkuqit një nga zonat me dendësinë më të madhe të objekteve të kultit në Shqipëri dhe një nga më të preferuarat nga turistët.
Duke e njohur rëndësinë që ka kjo zone përsa i përket trashëgimisë kulturore, TAP i ka kushtuar një vëmendje të veçantë vlerësimit dhe analizimit të gjurmës së gazsjellësit në këtë zone për të ruajtur të paprekur të gjitha këto monumente të çmuara dhe vetë natyrën e Vithkuqit.
Në të dy ekstremet e gjurmës së TAP-it në Shqipëri, si në Bilisht, në hyrje ashtu edhe në Seman, në dalje, puna ka filluar jo vetëm në infrastrukturën rrugore, por edhe në zbatimin e projektit të stacioneve të mëdha. Dy stacione pompimi do të bëjnë tranzitimin e gazit nga Korça në Fier e më pas nga bregdeti i Semanit në rrugë nënujore drejt Italisë.
Komuna Topojë është stacioni fundor i gazjellësit ku dhe do të ndërtohet stacioni i pompimit të gazit. Dhjetëra specialistë të fushave të ndryshme i gjen në të gjithë gjatësinë e projektit në faza të ndryshme studimi apo ndërtimi.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, TAP, kontraktorët dhe nënkontraktorët e tyre kanë punësuar direkt mbi 1 000 persona, ku mbi 95% e tyre janë shqiptarë dhe një pjesë e mirë e tyre nga zonat përgjatë gjurmës së projektit aty ku kryhen direkt punimet. Pritet që në periudhën në vijim, numri i të punësuarve direkt në operacionet e TAP të arrijë mbi 2 000 vetë.
Prej pak ditësh, në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, po shkarkohen tubat e parë, ku në total janë rreth 13,000 të tillë. Gjatë pesë viteve të ardhshme, TAP parashikohet që të investojë rreth 5.6 miliardë euro, nga të cilat rreth 1 miliard euro në Shqipëri, ndërsa në Greqi kjo shifër llogaritet në rreth 2.3 miliardë euro.
Në hotelet e Çorovodës, ku është gati gjysma e gjurmës së projektit, vështirë të gjesh vend për të fjetur. Shumë specialistë të TAP-it këtu kanë marrë shtëpi me qira. Nga numri i madh i kërkesave, çmimi i shtëpive këtu është rritur disafish krahasuar me dy vjet më parë, po ashtu dhe qiraja ka vajtur sa në Tiranë. Ca prej këtij projekti gjigant, ca dhe nga vizitat e shumta të turistëve vendës dhe të huaj në Kanionet e Osumit, qyteti i Çorovodës ka marrë një fytyrë të re, më civile, jo vetëm nga pamja, nga rrugët e shtruara bukur, por më shumë nga jeta intensive që zhvillohet aty.
TAP-i në territorin shqiptar
Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 215 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tre të reja. Gjatë verës së vitit 2015, TAP nisi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Punimet pritet të përfundojnë në vitin 2016, ndërkohë që ndërtimi i vetë gazsjellësit do të nisë në verën e vitit 2016. Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), një projekt gjigant
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut. Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut. TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik. Aktualisht projekti është në fazën e zbatimit dhe po bëhen përgatitjet për ndërtimin e gazsjellësit, çka parashikohet të nisë në vitin 2016. Pasi të ndërtohet, TAP-i do të ofrojë rrugën e transportit më të drejtpërdrejtë, më logjike dhe më me efikasitet kostoje, duke hapur kështu Korridorin Jugor të Gazit, një sistem 4000 km i gjatë me vlera gazifikimi që shtrihet nga Deti Kaspik e deri në Evropë. Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria. TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.
Njësitë administrative ku kalon TAP-i
Ndarja e re administrative ka krijuar tjetër konfigurim, por, meqenëse projekti i TAP është bërë që në kohën e ndarjes së më përparshme administrative me komuna, më poshtë ne po japim atë shtrirje, duke i kërkuar lexuesit të bëjë lidhjet logjike dhe të na mirëkuptojë për këtë rast.
Korçë
Bashkia Bilisht, Komuna Drenovë, Komuan Hoçisht, Komuna Mollaj, Komuna Pojan, Komuan Progër, Komuna Qendër Bilisht, Komuna Qendër Bulgarec, Komuna Vithkuq, Komuna Voskop
Berat
Bashkia Çorovodë, Bashkia Poliçan, Komuna Vendreshë, Komuna Bogovë, Komuna Potom
Komuna Qendër Skrapar, Bashkia Berat, Bashkia Ura Vajgurore, Komuan Cukalat, Komuna Kutalli, Komuna Otllak, Komuna Poshnjë, Komuna Roshnik, Komuna Velabisht, Komuna Vërtop
Myzeqe
Bashkia Roskovec, Komuna Bubullimë, Komuna Dermenas, Komuna Kuman, Komuna Kurjan, Komuna Libofshë, Komuna Mbrostar, Komuna Qendër Fier, Komuna Strum, Komuna Topojë
Durrës
Bashkia Durrës, Komuna Rrashbull, Komuna Synej
22 fakte interesante të parametrave ndërkombëtare të TAP-it në Shqipëri
Ndërtimi i gazsjellësit TAP, tashmë ka nisur në Shqipëri dhe gjatë këtij viti është vlerësuar si një nga kontribuuesit që të sjellë ndikime pozitiv në ekonominë e vendit. Projekti, për Shqipërinë, jep disa fakte interesante, ja disa prej tyre:
1. Rreth 13,000 tuba do të përdoren për ndërtimin e tubacionit në Shqipëri.
2. Tubat janë prodhuar nga kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH
3. Tubat kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit.
4. Tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15.
5. Anija e parë transportoi 1,390 tuba si dhe 73 bërryla
6. Shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë.
7. Sheshi kryesor i magazinimit është rreth 90.000 m2.
8. 90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra.
9. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra.
10. Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.
11. Pesha e tubave të çelikut për seksionin prej 215 km në Shqipëri është rreth 126.000 tonë. Kjo është sa 17 herë pesha e strukturës prej çeliku në Kullën Eifel (7.300 tonë) në Paris.
12. Një saldim i tubacionit ka gjatësi prej 3,83 m. Gjatësia e përgjithshme e saldimit për seksionin shqiptar të tubacionit është 16.5 km, që është pothuajse sa distanca nga Sheshi Skënderbej deri në Aeroportin e Rinasit.
13. Veshja e jashtme është e përbërë prej tre shtresash polietilen (3LPE) me trashësi minimale veshjeje prej 3,3 mm dhe sasi të përgjithshme prej 825.000 m2, e barabartë me 120 fusha futbolli.
14. Muret e brendshme të tubacionit janë të veshura me rrëshirë Epoksi. Qëllimi i saj kryesor është të reduktojë fërkimin e rrjedhjes së gazit dhe si rrjedhojë të kursejë energji
15. Trysnia maksimale e operimit në Stacionin e Kompresorëve është 95 bar, që është 50 herë më e lartë se trysnia e një gome makine.
16. Toka e marrë përkohësisht për korridorin e punës së tubacionit është rreth 8.170 ha (81,7 km²) që është pothuajse sa dy herë sipërfaqja e qytetit të Tiranës.
17. Toka e marrë në përdorim të përhershëm për 9 Stacionet e Valvulave të Bllokimit, 1 Stacion Kompresorësh, dhe 1 Stacion Matjesh është gjithsej 70 ha, që është e barabartë me sipërfaqen e 90 fushave futbolli.
18. Volumi i gërmuar i kanaleve për seksionin e tubacionit prej 215 km në Shqipëri është 1.600.000 m³ që është e barabartë me rreth 2/3 e volumit të Piramidës së Keopsit në Egjipt.
19. TAP krijon mundësinë e lidhjeve të ëndërruara të territoreve shqiptare, të Beratit dhe Skraparit me Korçën dhe Devollin.
20. Pothuajse e gjithë rruga e TAP do të jetë e asfaltuar dhe do të përdoret edhe për transport publik.
21. Pika më e lartë do të jetë 1820 metra mbi nivelin e detit, në malet shqiptare, ndërsa pika e tij më e thellë në pjesën detare do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Detin Adriatik.
22. Gjurma e TAP-it përmes Detit Adriatik do jetë rreth 105 km e gjatë dhe do të shtrihet në shtratin e detit nga bregu shqiptar deri në atë italian.

Ama kjo eshte merite e Berishes , jo e kesaj qeverie qe ka Rama
Sepse Berisha duke shfrytezuar miqesine qe kishte me presidentin e Azerbaixhanit beri qe TAP-i te kaloje edhe nga Shqiperia, pasi Greqia dhe Italia i bene bashke dhe kerkonin qe TAP-i te mos kalonte ne Shqiperi,
Por perfaqsuesi i Azerbaixhanit i theu hundet grekut dhe italianit duke ju kujtuar se nuk ishin ata qe vendosnin se ku do kalonte tubacioni i gazit, por ishte Azerbaixhani qe vendoste per ate pune
Ndaj duhet ti themi nje Faleminderit te madhe Sali Berishes dhe Presidentit te Azerbaixhanit qe na ndihmoi, qe ky projekt gjigand te kaloje nga Shqiperia. dhe po ashtu Azerbaixhani vendosi qe Shqiperia te beje shperndarjen e gazit edhe per Malin e zi, Kroqacine, Bosnjen etj
Pra, Thank You Mr.President of Azerbaijan !