Revista gjermane “Der Spiegel” e tërheq lexuesin në botën e errët të rrjetit neonazist “Gjak dhe Nder”. Frank T. është një ndër ish-drejtuesit e këtij grupimi, i cili konsiderohej si “elita e ekstremit të djathtë”. Beate Zschäpe, e akuzuar për vrasjen e 9 emigrantëve turq, e cila po procesohet aktualisht, ka qenë pjesë e tij
Rrjeti më i famshëm neonazit “Gjak dhe Nder” (Blood & Honour)ka përhapur ndër vite panik në Gjermani, për shkak të mesazheve nxitëse të dhunës dhe urrejtjes raciale. Studimi i një profili ekstremist, nënkupton zbritjen në errësirën e atij që e ka kthyer urrejtjen ndaj tjetrit një një doktrinë thelbësore të qenies së tij. E përjavshmja gjermane “Der Spiegel” ka marrë dëshminë anonime të Frank.T, një ndër ish-drejtuesit e këtij grupimi, për të kuptuar se ç’do të thotë të jesh pjesë e një kategorie sociale që i bazon rregullat e saj mbi terrorizmin psikologjik dhe dhunën fizike.
Dua të bëhem neonazist
Frank T. shpjegon se në fillim e mori si lojë afrimin me ekstremizmin e djathtë. Ishte adoleshent, dhe kërkonte dikë që ta përfaqësonte. Kishte nevojë për një identitet, për një ego artificiale. U njoh me dy vëllezër turq të cilët visheshin vetëm me marka të këtij komuniteti dhe bashkë filluan të frekuentonin lokalet e “kokërruarve” (imazh simbol e së djathtës ekstreme).
Çfarë bëhej në këto lokale? “Pihej, këndohej dhe flitej me përbuzje ndaj qytetërimit jashtë kufijve kombëtarë”, thotë Frank. Ai e nisi me frekuentimin e vendeve të tilla dhe pastaj vazhdoi t’i qëndronte besnik doktrinës, duke u kthyer më vonë në një ndër liderët e versionit gjerman “ Gjak dhe Nder” (grupim politik neonazist i themeluar në vitin 1987, në Britaninë e Madhe), i cili cilësohej si “elita e ekstremit të djathtë”. Organizata ia detyron emrin një slogani hitlerian. Rrjeti u ndalua në vjeshtën e vitit 2000, por deri në atë moment ai kishte ndikuar në mënyrë të pandreqshme te shumë të rinj gjermanë.
Udhëtim në fund të qytetërimit
Rrjeti “Gjak dhe Nder” i themeluar në Mbretërinë e Bashkuar u përhap shpejt edhe në shtete të tjera dhe për këtë ndihmuan materialet informative si revistat, filmat, manifestimet muzikore mbi këtë tematikë etj. Frank e adhuronte muzikën e ekstremit të djathtë, e cila ndërthurej me një gjuhë të dhunshme. Meqë të rinjtë neonazistë i pëlqenin koncertet e “kokërruarve”, Frank krijoi një sekson të vogël prej 18 vetash, të gjithë të veshur në stilin e “Ku Klux Klanit”: “Mbanim pishtarë dhe iu dilnim njerëzve në befasi”, duke ngjallur panik nëpër rrugët e qyteteve.
Për të kuptuar rëndësinë e gjurmës së “B&H”, duhet pasur parasysh prejardhja e disa prej anëtarëve të NSU-së “Rrjeti Socialist Kombëtar i Nëntokës”. Në filialin gjerman që u ndalua në fund të 1999-s, militonin edhe Uwe Böhnhardt, Uwe Mundlos e Beate Zschäpe, mbi të cilët aktualisht po zhvillohet një gjyq në Gjermani, lidhur me vrasjen e nëntë emigrantëve turq dhe një policeje gjermane, midis viteve 2000-2011.
Frank.T shpjegon se “besnikëria” ishte vetëm një fjalë dhe se në fakt grupi që drejtonte u shua nga hakmarrjet e brendshme: “Intriga, mëria dhe zilia e shkatërruan lidhjen tonë. Pjesëtarët filluan të luftonin njëri-tjetrin dhe të gjithë ramë pre e një lufte të brendshme”. Dëshmitari i intervistuar nga “Der Spiegel” nuk dha emrin e vërtetë të tij, por ndihmoi që të zbardhej disi ajo që ndodh brenda këtyre degëve neoaziste, të cilat nuk rreshtin së predikuari dhunë. Përgatiti: Dorina Gjuzi